EKSKLUZIVE/ E konfirmon presidenti, trajneri i njohur i jep fund me skuadrën e Kategorisë së Parë: Për dy ditë zgjidhet i riu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2023 | 14:08

EKSKLUZIVE/ E konfirmon presidenti, trajneri i njohur i jep fund me skuadrën e Kategorisë së Parë: Për dy ditë zgjidhet i riu

Besa mbetet pa tra jner. Gugash Magani është larguar përfundimisht nga stoli, pasi mbylli një sezon të plotë me kavajasit. Një ditë pas lajmit të publikuar nga “Panorama Sport”, se peqinasi ishte takuar me kryebashkiaken e Lushnjës, sqarohet gjithçka. Pasi i skadoi kontrata me verdhezinjtë, nuk ka ardhur as rinovimi. 58-vjeçari është shumë pranë firmës me verdhejeshilët dhe tashmë Nexhat Bizhdilit nuk i mbetet tjetër veçse të zgjedhë pasardhësin.

MAGANI

Është vetë presidenti që konfirmon për gazetën lëvizjen më të fundit, ndërsa evidenton se brenda kësaj jave do të zgjedhë edhe “timonierin” e ri.

“Gugash Magani nuk është më trajner i Besës. I mbaroi kontrata. Largimi i tij na imponon të zgjedhim një tjetër ‘timonier’ dhe brenda 2 ditësh besoj do të njiheni dhe me emrin e tij. Fillimisht do të na duhet të analizojmë me detaje kandidatët që kemi në tavolinë. Me të marrë këtë vendim dhe gjetur akordin final, do ta zbulojmë edhe publikisht”, u shpreh fillimisht i pari i klubit kavajas.

GRUPI- Besa nuk do të bëjë ndryshime të mëdha në organikë. Presidenti rrëfen se do të ruajë 90 për qind të grupit që mbylli sezonin 2022-2023: “Siç e dini, pjesa dërrmuese e futbollistëve që mbyllën sezonin me Besën kanë kontrata 3 dhe 5-vjeçare me klubin. Pra, pjesa dërrmuese e tyre do të mbeten pjesë e Besës edhe për sezonin e ri.

STADIUMI- “Thembra e Akilit” për kavajasit mbetet vetëm një: infrastruktura. Mungesa e saj e penalizoi së tepërmi kampionatin e fundit dhe duket se njësoj do të vazhdojë situata edhe në sezonin e ri. Pak shpresa ka edhe vetë Bizhdili, ndonëse deklaron se do të vijojë të këmbëngulë që edhe në Kavajë të nisë ndërtimi i stadiumit.

“E di se nuk varet asgjë nga ne, por sikurse e dini, ne në fushatë ia kërkuam kryeministrit Rama nisjen e punimeve të stadiumit. Nuk e di nëse do të ndodhë kjo apo jo. Por edhe nëse nisin punimet, por edhe e kundërta, sërish sezonin e ri do të jemi të detyruar t’i luajmë ndeshjet e shtëpisë jashtë Kavajës”, përfundoi presidenti.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"