EKSKLUZIVE/ Duro: Egnatia e meriton më shumë sesa Partizani finalen, Struga nuk më vendosi as në foto! Ja e vërteta me Tiranën (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2024 | 0:01

EKSKLUZIVE/ Duro: Egnatia e meriton më shumë sesa Partizani finalen, Struga nuk më vendosi as në foto! Ja e vërteta me Tiranën (E PLOTË)

Shpëtim Duro është një nga emrat më të për folur në futbollin shqiptar në javët e fundit, sidomos pas ndarjes së befasishme me Strugën, vetëm tri ndeshje para fundit të kampionatit. Në një intervistë për “Panorama Sport” trajneri flet për ndarjen dhe eksperiencën në Maqedoninë e Veriut. Më pas ai flet për finalen e madhe për titullin mes Partizanit dhe Egnatias, teksa sqaron edhe zërat në lidhje me drejtimin e mundshëm të Tiranës.

shpetim duro

Profesor, largoheni nga Struga vetëm tri ndeshje para fundit. Në fund skuadra shpallet kampione me ndihmësin tuaj. Ndiheni se ju morën meritat e titullit?

Jam i lumtur që Struga u shpall kampion. Jam krenar për skuadrën që e udhëhoqa për 30 ndeshje, nga 33 gjithsej. Nën drejtimin tim skuadra mori 58 pikë, nga 64 të grumbulluara gjithsej. U largova nga klubi, duke e lënë në vendin e parë. Jam i gëzuar që në tri ndeshjet e fundit skuadrën e drejtoi ish-asistenti im (Meriton Gega), të cilin e pata përzgjedhur personalisht kur nisa punën te Struga. Mund të them se bashkëpunimi me të vazhdoi edhe në tri ndeshjet e mbetura. Historia ime me Strugën është shkruar dhe nuk fshihet.

Si i konsideroni këto dy vite të kaluara në Strugë?

Arritëm të shpalleshim dy herë kampion dhe regjistruam një ecuri rekord në Europë, duke mbërritur deri në fazën “play off” të Ligës së Konferencës. Të gjitha këto arritje janë historike për Strugën, që në raport me Shkupin dhe Shkëndijën, ka një buxhet sa çereku i tyre. Pavarësisht kësaj, ia dolëm të fusim këtë klub në historinë e artë të futbollit të Maqedonisë së Veriut.

Përse nuk ishit në festën e titullit dhe a jua ka akorduar klubi medaljen e kampionit?

Unë isha i ftuar në festën e titullit kampion, por për arsye shëndetësore nuk munda të shkoja. Përtej çështjes së medaljes, mendoj se meritoja të isha në foton e publikuar nga klubi në rrjetet sociale, ku shfaqen të gjithë protagonistët e këtij sezoni. Sepse lojtarët e dinë mirë punën që kam bërë unë me këtë skuadër në këto dy edicione.

Flasim pak për Superioren. Mendoni se kaluan dy skuadrat më të mira në finale?

Nëse do t’i referohemi kampionatit të rregullt, Partizani dhe Egnatia janë dy skuadrat, që e kanë merituar më shumë këtë arritje. Por nëse do të duhej të veçoja njërën, ajo do të ishte Egnatia. Ka udhëhequr kampionatin nga fillimi në fund dhe ka treguar një nivel që e dallonte me të tjerat, sidomos në dy fazat e para. Skuadra e nisi këtë ngjitje të dukshme në atë aventurë timen, që edhe pse e shkurtër, rezultoi e rëndësishme. Në të vetmen përballje që kisha me Partizanin, e mposhtëm me shifrat 3-0.

Cilën mes Partizanit dhe Egnatias shihni si favorite në këtë ndeshje?

Një finale nuk ka favoritë as në momentin kur ka disbalanca të skuadrave e jo më në këtë rast, ku niveli është aty-aty. Kjo finale do të varet shumë nga mënyra sesi do ta interpretojnë skuadrat. Mund të vendoset edhe nga detaji më i vogël.

Çfarë përshtypjeje ju lanë Egnatia dhe Partizani në gjysmëfinale?

Partizani e gjeti Skënderbeun të dorëzuar dhe nuk e pati të vështirë. Megjithatë, në tërësi ishte një ndeshje e interpretuar shumë mirë nga ana e tyre, me disa lojtarë që nxorën në pah cilësitë e tyre. Skuadra ishte mjaft agresive, por nga ana tjetër më bëri përshtypje përgjumja që pati Skënderbeu. Sa i përket Egnatias, nxori në pah një tjetër aftësi që i duhet këtyre ndeshjeve, menaxhimin. E pa veten nën presion dhe bëri qëndresën e duhur kundër Vllaznisë. Nga ana tjetër krijoi rastet e veta, që do ta kishin “vrarë” ndeshjen. Por me Partizanin do të duhet një paraqitje e nivelit më të lartë.

A i prisni “të ndrojtura” skuadrat në finale?

Nuk e kemi parë ndonjëherë këtu në Shqipëri që në një ndeshje të vetme të vendoset titulli dhe shumë të ardhura financiare. Kjo i step skuadrat psikologjikisht dhe natyrshëm i pres të kujdesshme. Por nuk besoj se ndonjëra prej tyre do të parkojë “autobusin”, sepse të dyja janë ekipe me lojtarë me tipare sulmuese.

Mendoni se mund të ndikojë historia dhe eksperienca e Partizanit?

Luhet në Tiranë dhe përveç kësaj, dihet që Partizani është një nga skuadrat me më shumë mbështetës në vendin tonë. Në stadium do të ketë më shumë tifozë të tyre dhe ky është një avantazh për skuadrën e Shehit. Sa i përket eksperiencës, edhe Egnatia ka në organikë lojtarë me përvojë.

Mendoni se duhet të ndryshojë skema e Superiores?

Unë e kam thënë që në fillim se jam kundër kësaj skeme. E kemi parë tashmë se kjo mënyrë e zhvillimit të kampionatit ka humbur motivimin në gjithë sezonin e rregullt.

Jeni përfolur në javët e fundit me stolin e Tiranës, ndoshta ndikuar edhe nga një deklaratë e juaja javë më parë. Mund të ndodhë diçka?

Nuk kam dëshirë që të lakohet emri im si trajner i Tiranës në këtë rast, por edhe i çdo skuadre tjetër, deri në momentin që nuk ka asgjë konkrete në lidhje me këtë çështje.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"