EKSKLUZIVE/ Dinamo pret dy futbollistë kampionë, “nëndetësja” hedh sytë edhe nga Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2023 | 23:13

EKSKLUZIVE/ Dinamo pret dy futbollistë kampionë, “nëndetësja” hedh sytë edhe nga Tirana

Kjo merkato vere ka krijuar ditët e fun dit edhe një lloj çoroditjeje, pasi janë shumë emra lojtarësh që dalin në disa ekipe njëkohësisht. Dinamo, nga ana e saj, vazhdon punën me shumë qetësi për të forcuar grupin për sezonin e ardhshëm.

DINAMOOOO

Gazeta ka bërë me dije ditë më parë listën e dëshirave që kanë drejtuesit blu, ndërkohë që me disa prej tyre bisedimet kanë avancuar dhe për momentin klubi kryeqytetas ka arritur marrëveshjen me mbrojtësin Rustem Hoxha, ndërsa ka një akord verbal edhe me 2 lojtarë të njohur të Superiores që mbyllën sezonin me Tiranën: Zhozelin Behiratçe dhe Albano Aleksi. Ditët në vazhdim pritet që marrëveshjet të konkretizohen me firmën në kontratë.

HOXHA –  Rustem Hoxha është një njohje e vjetër e presidentit Bardhi. Dje qendërmbrojtësi durrsak ka mbyllur kontratën me Ballkanin e Suharekës në Kosovë, ndërsa ka pranuar që të bashkohet me Dinamon pas bisedimeve që ka pasur në ditët e fundit me drejtuesit blu. Në faqen zyrtare të skuadrës që drejtohet nga ishtrajneri i Dinamos, Ilir Daja, konfirmohej mbyllja e bashkëpunimit, ndërsa “Panorama Sport” mëson se 31- vjeçari mbetet vetëm të firmosë zyrtarisht kontratën me Dinamon, pasi ka rënë më parë dakord për të gjitha kushtet. Ai mund të quhet tashmë si goditja e parë e bluve në merkaton e verës.

ALEKSI – Dinamo është gati të sfidojë Tiranën dhe Egnatian për shërbimet e mesfushorit Albano Aleksi. Burime të gazetës pranë klubit bëjnë me dije se lojtari është gati të vishet blu. Aleksit i ka përfunduar kontrata me Tiranën dhe duket se njohja e mëparshme me presidentin Adrian Bardhi, që nga koha kur ishin te Teuta, ka bërë të vetën. Mesfushori ka rënë parimisht dakord për të kaluar te Dinamo, megjithatë duhet pritur për të mësuar çfarë do të ndodhë konkretisht javën e ardhshme. Në këtë lloj merkatoje asgjë nuk mund të ketë siguri. Duhet theksuar se blutë e kishin vënë në shënjestër Aleksin që në fillim, pasi e konsiderojnë një përforcim shumë të nevojshëm.

BEHIRATÇE – E njëjtë është situata edhe me mbrojtësin Zhozelin Behiratçe, edhe ky pjesë e Tiranës sezonin e fundit. Mbrojtësit afrikan po ashtu i ka përfunduar kontrata dhe nëse do të qëndrojë në Shqipëri, me 99% ai do të veshë fanellën e Dinamos. Për 23- vjeçarin ka pasur disa oferta nga jashtë, por nëse asnjëra prej tyre nuk konkretizohet shpejt, do të firmosë për blutë. Behiratçe dhe Aleksi kanë qenë të dy titullarë me Tiranën dhe do të ishin një forcë e madhe për skuadrën e trajnerit Mehmeti. Gazeta mëson gjithashtu se Aleksi dhe Behiratçe nuk janë të vetmit lojtarë të Tiranës që mund të kalojnë te Dinamo.

FRASHERI – Për sa i takon portës, duhet thënë se vazhdon të jetë e hapur pista e Stivi Frashërit, korçarit që ka luajtur me disa skuadra në Superiore dhe së fundmi në Kosovë me Ballkanin e Suharekës. “Panorama Sport” mëson se palët vazhdojnë të jenë në kontakte dhe në vazhdim mund të ketë një marrëveshje. Për çështjen e portës drejtuesit e klubit po marrin pak më shumë kohë, sepse në lojë janë edhe alternativa të tjera, kryesisht në tregun kosovar, ku përflitet Gjokaj i Drenicës.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"