EKSKLUZIVE/ “Dinamo nuk është ekip arbitrash”, presidenti Bardhi: Çdo pikë me meritë, ja e vërteta me tifozët në Korçë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2024 | 18:36

EKSKLUZIVE/ “Dinamo nuk është ekip arbitrash”, presidenti Bardhi: Çdo pikë me meritë, ja e vërteta me tifozët në Korçë (E PLOTË)

Me fitoren në Korçë, Dinamo ka kapur vendin e katërt në renditje. Ecuria e mirë e bluve në javët e fundit, me 4 fitore dhe 1 barazim, sigurisht që ka rritur entuziazmin, por edhe pse nuk fshihen për objektivin e “Final 4”, kryeqytetasit qëndrojnë me këmbë në tokë dhe tashmë shohin vetëm ndeshjen e radhës me Vllazninë. Ata e kanë të qartë se nuk kanë arritur ende asgjë dhe se duhet qëndrueshmëri për të përballur pjesën e mbetur të sezonit.

bardhi

REAGIMI – Presidenti i Dinamos, Adrian Bardhi, në një prononcim për “Panorama Sport”, komenton shkurt atë incident sporadik me tifozët korçarë pas ndeshjes me Skënderbeun e më pas flet për ngritjen, gjendjen e skuadrës dhe atë çfarë pret në vazhdim të këtij kampionati.

“Nuk pati asnjë fërkim, nuk mund ta quaj incident. Disa tifozë korçarë që ishin aty u afruan dhe po flisnin për pretendimet se arbitrimi ishte kundër Skënderbeut. Nuk ka rëndësi ai moment”, ka thënë kreu i klubit blu.

Më tej ai ka shtuar: “Dinamo nuk është skuadër arbitrash, nuk merret me ta. Unë gjithmonë kam qenë i kënaqur me arbitrat. Edhe mund të na kenë dëmtuar në ndonjë rast, mund të kenë gabuar, por me këtë punë merren njerëzit kompetentë të këtij profesioni. Ajo që e them me forcë është se Dinamo çdo pikë e ka fituar me djersë në fushën e lojës. Nuk e mohon dot kush. Ne gjithmonë e shohim çdo gjë të vetja dhe e kërkojmë po te vetja. Dinamo është një klub model në këtë drejtim, nuk ka krijuar kurrë probleme në asnjë fushë me drejtuesit, stafin teknik, lojtarët e tifozët. Jemi dhe do të mbetemi gjithmonë një klub zotëri”.

KARAKTERI – Presidenti Bardhi, duke u përqendruar pastaj te skuadra e tij, thekson se është i kënaqur më shumë për faktin se ka parë nga të tijtë karakter në fushë, atë që ai ka dëshiruar gjithmonë.

“Jam i kënaqur nga të gjithë pas kësaj ecurie të javëve të fundit. Jam i kënaqur nga stafi teknik, nga lojtarët dhe çdo pjesëtar i klubit. Kam parë karakter në fushë në ndeshjet e fundit, kam parë reagimin e duhur nga djemtë, që nga fitoret me Erzenin e Partizanin, barazimi në Laç dhe tani fitorja në Korçë. Skuadra është rritur, ka fituar besimin në vetvete dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu, duke parë gjithmonë për lart”, u shpreh Bardhi.

VËSHTIRËSIA – Megjithatë, është shumë shpejt për të menduar se objektivi është arritur.

“Ne duam të jemi sa më të qetë dhe të vazhdojmë punën tonë me këtë ritëm. Asgjë nuk ka përfunduar, e kemi arritur katërshen aktualisht, por dihet që është shumë e vështirë për ta mbajtur një pozicion sesa për ta kapur atë. Tani kemi përpara ndeshjen me Vllazninë dhe përqendrimi ynë është i gjithi aty. Do të shohim hap pas hapi, por skuadra i ka mundësitë për të bërë diçka të mirë në këtë sezon”, ka përfunduar numri 1 i klubit kryeqytetas, Adrian Bardhi.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"