EKSKLUZIVE/ Dinamo jashtë Europës, blutë bëjnë gati 2 largime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2024 | 21:06

EKSKLUZIVE/ Dinamo jashtë Europës, blutë bëjnë gati 2 largime

Protokolli i ndeshjes së fundit me Teutën tregoi se kush do të jenë largimet e para te Dinamo. Bëhet fjalë për titullarët, pasi lëvizjet e para në dalje te blutë janë bërë tashmë. Skuadra do të vijojë punën deri në fund të muajit maj dhe ndryshimet me kalimin e ditëve pritet të bëhen zyrtare.

dinamo1

BEHIRATÇE-MARKU – Për ndeshjen me Teutën ra në sy mungesa e mbrojtësit Zhoselin Behiratçe, titullar gjatë gjithë sezonit. Emri i tij nuk figuronte në protokoll dhe mund të ketë qenë një mënyrë ndëshkimi për autogolin që lojtari shkaktoi kundër Egnatias në javën e parafundit. Po ashtu, mungonte në formacion, por jo në protokoll, mbrojtësi i djathtë Albion Marku, që nuk luajti asnjë minutë. Janë që të dy lojtarë në fund të kontratës dhe mund të thuhet se e kanë mbyllur aventurën e tyre me blutë. Behiratçe u bashkua verën e kaluar me Dinamon, ku erdhi nga Dinamo, ndërsa Marku firmosi para dy vitesh, por sezonin e kaluar u huazua te Teuta. Nuk janë të vetmit lojtarë në fund kontrate me klubin kryeqytetas. Në të njëjtën situatë është edhe Patrik Bardhi, që kishte një kontratë 3-vjeçare me blutë dhe nuk pritet që të vazhdojë më me ta.

LARGIME TË TJERA – Kohët e fundit janë larguar nga Dinamo dy lojtarë të ardhur në merkaton e janarit. Mbrojtësi Kilian Çuni dhe sulmuesi Mori Bamba nuk janë më pjesë e bluve. Prej tyre, vetëm Bamba luajti pak minuta në një derbi me Tiranën. Lista e largimeve me siguri do të shtohet me emra të tjerë lojtarësh që janë nën kontratë. Bëhet fjalë për ata që për arsye të ndryshme nuk kanë qenë protagonistë me fanellën e Dinamos këtë sezon. Portieri Bekim Rexhepi, për shembull, luajti vetëm fazën e parë dhe më pas ka qëndruar në stol, kështu që ndarja duket e paevitueshme. Edhe Veton Tusha është një emër që mund të largohet nga kryeqytetasit, megjithatë gjithçka do të jetë e qartë deri në fund të këtij muaji.

BAZA – Mes emrave që duken të sigurtë sa i takon Dinamos së sezonit të ardhshëm janë lojtarë si Sali, Hoxha, Lorran, Gudiabi, Zabërgja, Qefalija, Meksi dhe ndonjë tjetër.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"