EKSKLUZIVE/ “Kemi një grup kompakt”, kapiteni Hoxha: Dinamo nuk luan për barazim në derbi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2024 | 20:26

EKSKLUZIVE/ “Kemi një grup kompakt”, kapiteni Hoxha: Dinamo nuk luan për barazim në derbi (E PLOTË)

Ndeshjen e fundit e pa nga tribuna e “Air Albania”-s. Rustem Hoxha, kapiteni i Dinamos, kthehet në formacion për derbin me Partizanin, që luhet të shtunën në “Arena e Demave”.Rustem-Hoxha

Është një nga 5 “finalet” e mbetura të bluve, të cilët, pasi atij starti shumë të vështirë të sezonit, janë shumë afër “Final 4”. Megjithatë, kryeqytetasit preferojnë të mbajnë profilin e ulët deri në fund, vërtet si një “Nëndetëse”, siç e njohin të gjithë Dinamon. Edhe Hoxha flet në këtë linjë në intervistën për “Panorama Sport”, ku vlerëson kundërshtarin, pot thekson se Dinamo sheh përpara për të fituar çdo ndeshje dhe për të shkuar në “Final 4”.

Rustem, kundër Erzenit munguat për shkak kartonësh. Si ju është dukur skuadra nga tribuna e stadiumit?

Me Erzenin ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe jam i kënaqur për mënyrën sesi skuadra luajti në atë 90-minutësh. Çunat dhanë maksimumin, u treguan të kujdesshëm dhe arritëm të shfrytëzonim rastet, duke shënuar 2 gola. Mendoj se ishte një fitore plotësisht e merituar për Dinamon, që na mban në pozita pretenduese. Dua të falënderoj tifozët e Dinamos, të cilët na kanë mbështetur në atë ndeshje dhe në të tjerat më parë.

Tani është radha e derbit me Partizanin, ku ju vini në një moment më të mirë sesa kundërshtari. Sa ju ndihmon ky fakt?

Po, është e vërtetë që jemi në një moment të mirë, por derbet dihet si janë. Janë ndeshje që mund të ndryshojnë gjithçka. Ky kampionat është edhe pak i çuditshëm, me të gjitha skuadra që janë në lojë dhe në asnjë moment nuk mund ta ulësh vigjilencën dhe përqendrimin, sepse pastaj gjithçka komplikohet. Nuk dua të flas për momentin e Partizanit, janë punë që u takojnë atyre, por di të them se ka një skuadër të fortë. Partizani ka një grup lojtarësh me kualitet dhe meriton gjithë respektin, megjithatë ne do të zbresim në fushë për të bërë më të mirën. Do të bëjmë lojën e zakonshme të Dinamos, duke shpresuar për të vazhduar me rezultatet pozitive.

Do ta pranonit një barazim në këtë derbi, apo Dinamo tani shikon më shumë sesa vendi i 4-t?

Ne nuk hyjmë asnjëherë për barazim në ndeshje. Dinamo nuk është skuadër që luan për minimumin. Në çdo ndeshje, qofshin këto edhe derbi, hyjmë në fushë për të marrë më të mirën. Jemi në një moment pozitiv aktualisht dhe do të përpiqemi ta kalojmë me sukses këtë sfidë. Nuk shohim përtej ndeshjes me Partizanin, gjithë fokusi ynë është vetëm aty dhe shpresojmë që ruajmë ritmin.

Sa u takon ndeshjeve derbi të sezonit, me Tiranën bilanci juaj është negativ, kurse me Partizanin ka baraspeshë. Sa shanse i jepni vetes për ta mbyllur pozitivisht me këtë rival?

Ne e shohim derbin me Partizanin si një ndeshje që duhet fituar. Nëse e bëjmë këtë gjë, i bie që ta kemi bilancin pozitiv me këtë kundërshtar dhe shpresojmë të ndodhë kështu. Por e ritheksoj, Dinamo nuk bën llogari tani, ne ecim me parimin e përqendrimit vetëm te ndeshja e radhës.

Në opinion flitet se Dinamo, nëse do të jetë në 4-she, bëhet e rrezikshme dhe kandidate e fortë për titullin. Ju, si mendoni?

Ne së pari shohim objektivin e parë, të jemi në “Final 4”. Të gjitha përpjekjet tona janë për këtë objektiv dhe nëse e arrijmë, pastaj pse jo, do të tentojmë dhe titullin. Skuadra është, investimi është, kështu që nuk ka pse të mos pretendojmë. Dinamo ka një grup lojtarësh me cilësi, që kanë dhënë në skuadrat kanë qenë më parë. Kemi një grup kompakt, që ka treguar karakter gjatë sezonit dhe shkon në harmoni. Kam besim se do ta çojmë Dinamon në vendin që i takon.

FATJON RUPI- PANORAMA SPORT

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"