EKSKLUZIVE/ Dhunë në ndeshjen e kampionatit shqiptar, zyrtari i klubit: Na goditën me gurë dhe lejuan 1 mijë tifozë në stadium

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2020 | 23:38

EKSKLUZIVE/ Dhunë në ndeshjen e kampionatit shqiptar, zyrtari i klubit: Na goditën me gurë dhe lejuan 1 mijë tifozë në stadium

Shkumbini ndalet në shtëpi nga Luzi 2008, duke hedhur një hap fals drejt kreut të Grupit A. Ka qenë një ndeshje shumë e luftuar në Peqin, ku nuk ka munguar tensioni dhe akuzat nga klubi mik për dhunë. Në pjesën e parë peqinasit nuk kanë dalë në lojën e tyre, ndërsa rastet më të mira i ka pasur Luzi. Në minutën e 41-të Mustafaji realizon për Shkumbinin pas goditjes me kokë, por anësori anulon golin për pozicion jashtë loje dhe kjo irriton shumë peqinasit.
shkumbiniii

Në pjesën e dytë Shkumbini dominoi lojën, por hasi në një mbrojtje të ngjeshur të ekipit mik. Ndërprerjet e shpeshta ia ulën ritmin lojës, ndërsa në fund ishte Mustafaji që iu afrua golit. Barazimi kënaqi Luzin, ndërsa skuadra e drejtuar nga Lorenc Pashja doli e zhgënjyer nga ky rezultat.
pjimage (1)

REAGIMI – Akuza të forta nga Luzi pas ndeshjes, teksa për “Panorama Sport” ka folur shefi i klubit, Gëzim Bushi. “Jemi të indinjuar nga pritja që na bënë në Peqin. Si fillim u sulmuam me gurë gjatë ndeshjes e gjithashtu sende të tjera që vinin nga tribuna. Ofendimet për stafin dhe lojtarët në fushë nuk u ndalën asnjë moment. Nga drejtuesit e Shkumbinit u lejuan të futeshin plot 1000 tifozë në shkallët e stadiumit. Delegati duhet ta ndërpriste ndeshjen, por reagimi ishte zero. Në fushë u futën edhe tifozë, prandaj dhe indinjimi nga ne si klub është i madh. Duam garanci për lojtarët dhe stafin, që raste të tilla të mos përsëriten. Shpëtuam këtë herë dhe duhen falënderuar forcat e policisë që reaguan shpejt. Jemi kundër dhunës dhe masat duhet të jenë për të gjithë njësoj”, ka deklaruar shefi i klubit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"