EKSKLUZIVE/ “Derbi si ilaç për Tiranën”, ish-mbrojtësi Dabulla: Duhen profesionistë, 10 mijë euro i meritonte vetëm Duamena (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2023 | 20:51

EKSKLUZIVE/ “Derbi si ilaç për Tiranën”, ish-mbrojtësi Dabulla: Duhen profesionistë, 10 mijë euro i meritonte vetëm Duamena (E PLOTË)

Rezart Dabulla thotë se derbi mund të jetë “ilaçi” i duhur për të bërë kthesën këtë sezon. Ai vazhdon ta kritikojë formatin e ri të Superiores me “Final 4”, por e pranon se pikërisht ky format e mban ende në lojë Tiranën për titull. Mandej nuk i kursen kritikat për skuadrën, por edhe për Halilin. “Duhet ta trajtojë klubin më të madh si brand-in më të rëndësishëm sportiv dhe të mos ndikohet nga njerëz që nuk i kanë gjuajtur një herë topit…”, thotë ish-mbrojtësi i shquar i bardhebluve ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

dabulla

Çfarë po ndodh me Tiranën?

Halilin e kam mik dhe ai e di shumë mirë se, edhe disa gjëra që i them në mënyrë të drejtpërdrejtë, nuk e bëj për kritikë, por për të përmirësuar disa gjëra që nuk shkojnë.

Dakord, çfarë nuk shkon?

Bënë gabim me Shehin. Gabim trashanik. Kishin një trajner që një herë doli kampion, një herë nënkampion. Për mua ishte kampion edhe në sezonin pasardhës, por nuk dua t’i kthehem më asaj teme… Patën lojtarë të rëndësishëm, i shitën disa dhe fituan para. Pra kishin një njeri që u ktheu mbrapsht investimin. E hoqën. Pse e hoqën? Sepse te Tirana nuk funksionojnë disa hallka. E kam parë Halilin që edhe kur shkon në stadium shoqërohet me njerëz, që nuk ia kanë idenë futbollit. Nuk kanë gjuajtur kurrë top me këmbë. Edhe këta tipat fillojnë flasin pastaj: “Jo po duhet të luajë filani, jo po fajin e ka fisteku…”. Jo mo nuk është kështu. Ai më pas merr vendime emocionale që e dëmtojnë klubin. Tirana është “brand”-i më i rëndësishëm futbollistik në Shqipëri, pas kombëtares. Halili duhet ta trajtojë si të tillë. Dhe po ju marr një shembull. Halili është ndërtues, ai e ndërton pallatin me arkitektë dhe me inxhinierë. Nuk i thotë kuzhinierit “hajde më bëj pallatin”. Edhe futbolli do disa njerëz profesionistë. Prandaj edhe Tirana më duket në rënie të lirë.

Por ama kjo skemë e mban në lojë për titullin, dukeni sikur ju Dabulla po e dramatizoni shumë situatën…

Për mua kjo është një skemë idiote që e ka dëmtuar rëndë kampionatin shqiptar. Por paradoksalisht keni të drejtë. Tirana ka shanse për titullin vetëm falë kësaj skeme. Nëse do të ishte skema e vjetshme, zor se matej dot me Egnatian dhe Partizanin. E megjithatë, po e përsëris, kjo është një skemë e papërshtatshme dhe shkatërruese për kampionatin. Shikoni si i kemi stadiumet, pothuajse bosh. Dhe nuk keni parë gjë akoma…

Të kthehemi tek Tirana… Halili u bëri apel lojtarëve që t’i vinin gishtin kokës, por nuk pati ndonjë reflektim…

Jo vetëm që nuk pati reflektim, por humbën me Erzenin. Dhe duhet të kujtojmë që Erzeni u ka marrë 6 pikë këtë sezon. Me shumë respekt për shijakasit, por Tirana duhet të merrte masa pasi ke humbur ndeshjen e parë me një rival që për hir të së vërtetës, nuk është maja e futbollit shqiptar. Dakord, Tirana prodhoi volum loje, por lojtarët e saj nuk janë as të uritur dhe as cinikë. Kjo më shqetëson.

Janë kritikuar shpesh disa nga lojtarët kryesorë të Tiranës, që nuk po bëjnë diferencën. Është përgjegjësia vetëm e tyre?

Ata nuk i shpëtojnë dot përgjegjësisë, sepse kanë emrin, cilësinë dhe të kaluarën mbi supe. Por ndoshta duhet bërë disa pyetje. Cili është motivi që të gjithë njëherësh qenkan nën nivelin mesatar? Mos vallë dikush ka ardhur i dëmtuar? Mos ndoshta ka ardhur pa dëshirën e ish-trajnerit (Shehit) që u kishte sugjeruar drejtuesve se ndonjëri ka emrin e madh, por është jashtë formës? Mos ndoshta nuk po menaxhohen mirë dhomat e zhveshjes? A janë paguar ata rregullisht? Pra, ka disa gjëra që ne nuk i dimë dhe i gjykojmë vetëm nga jashtë. Por kjo ama e ka një zgjidhje.

Cila është zgjidhja?

Tirana paguan afro 150 mijë euro rroga në muaj dhe është realisht shumë. Asnjë futbollist nuk meriton në Shqipëri 10 mijë euro në muaj. Vetëm i ndjeri Duamena i meritonte, sepse në 70% të ndeshjeve ai bënte diferencën i vetëm. Më gjeni një lojtar tjetër sot në Superiore që e bën këtë. Pra, që është vendimtar apo spektakolar. Asnjë nuk ka. Atëherë kontrata bëhet me klauzola. Pikë.

Çfarë klauzolash?

Siç i bëjnë në vendet perëndimore. Paguhesh në varësi të rendimentit dhe të arritjes. Supozojmë se kontratën e ke 40 mijë euro në vit, ndërsa po fituat titullin që i sjell klubit 1.5 milionë euro, atëherë automatikisht kontrata bëhet 100 mijë euro në vit. Se edhe që të marrësh lojtarë me emër edhe ti shkosh që shëtisin në fund nuk shkon. Por është edhe ana tjetër e medaljes, firmos në një klub profesionist, por ke tre muaj pa u paguar, atëherë mos prit që lojtarët të shkëlqejnë në fushë. Pra, është reciproke. Ndaj them që këto kontratat marramendëse duhet të marrin fund.

Po Partizani si ju duket?

Partizani është më i organizuar se të gjithë klubet e tjerë sot. Nuk është në nivelin që duhet, madje shumë larg vendeve të zhvilluara, por në Shqipëri është më mirë se të gjithë në këtë aspekt. Presidenti bën presidentin, drejtori bën drejtorin dhe trajneri bën trajnerin… Kaq e thjeshtë është. Por ama Partizani dhe Tirana duhet që të kishin ngritur fort zërin kundër kësaj skeme. Janë më të goditurit.

Pse kishte më shumë tifozë te Lushnja-Besa se sa te Partizani-Dinamo?

Ka shumë arsye. E para është skema me “Final 4”. Njerëzit thonë: “E mo ndeshje koti janë tani, shkojmë tek ato 4 të fundit edhe në rregull jemi…”. Së dyti ishte e hënë. Njerëzit vijnë edhe nga puna, kanë edhe halle. Nuk jetojnë të gjithë me futboll. Së treti, është edhe pak larg ajo zona atje te stadiumi i Partizanit. Nuk është si të shkosh te “Air Albania” apo në “Selman Stërmasi”. Së katërti, fusha e Partizanit me thënë drejtën lë shumë për të dëshiruar. Ata kanë shpenzuar miliona euro për atë kompleks dhe e kanë bërë mirë, por duhet ta rregullojnë edhe atë fushën. Për mendimin tim duhet bar natyral, por edhe nëse duan ta mbajnë artificial, ka standard tjetër. Le të shikojnë vendet e Lindjes si e kanë fushën artificiale. Ajo e Partizanit më duket e papërshtatshme për një futboll normal. Së pesti, Dinamo jo vetëm që ka shumë vite që ka dalë nga skena, sepse ka luajtur në kategoritë inferiore, por edhe tani që është kthyer, nuk është bindëse. Rezultatet i ka pasur mediokre. Së gjashti, Dinamo ka ndryshuar emrin dhe ka vendosur një emër që nuk iu thotë asgjë tifozëve të saj. Së shtati, Dinamo ka pak tifozë, madje shumë më pak tani. Edhe më parë derbi Partizani-Dinamo konsiderohej si “derbi i vogël”, imagjinoni si është bërë tani…

A vjen derbi në një moment të vështirë për Tiranën?

Jo, nuk mendoj. Është e vetmja ndeshje që nuk ka favoritë. Madje po të jenë të zotë, ata të Tiranës duhet ta shndërrojnë këtë derbi në “ilaç”. Nuk ka ilaç më të mirë se sa derbi për të nisur një cikël fitues.

Edhe si mund të arrihet kjo?

Duke mundur Partizanin pra …(qesh). Nuk do të jetë e lehtë, por nëse shtrëngohen, mund t’ia dalin.

Çfarë duhet të ndryshojë Tirana urgjentisht sipas jush?

E thashë, Halili duhet ta trajtojë si “brand”-in më të rëndësishëm sportiv sepse e tillë është. Ai edhe Devi Mukën, mik prej shumë vitesh nuk e ka më bashkëpunëtor në klub. Devi, një njeri që merrte vesh nga futbolli dhe që e orientonte gjithnjë për të mirën e Tiranës, jo për interesa të tjera, u largua. Nuk e di nëse ka pasur ndonjë mosmarrëveshje mes tyre, por as Mukën nuk e ka më. Duhet të matet mirë kur merr vendime ekstreme, sepse kanë kosto për atë dhe klubin. Plus edhe nga ana njerëzore diçka mund të menaxhohet më ndryshe. Shehi nuk lejonte që tensionet brenda skuadrës, të shkonin deri tek drejtuesit. Amortizonte shumë gjëra. Ishte si jastëk. Ahmataj nuk mendoj se e bën dot këtë ose do t’i duhet kohë deri sa ta rregullojë këtë punë.

Ç’mendim keni për Kombëtaren?

Arritje spektakolare. Kemi një skuadër të mirë, një trajner të shkëlqyer që shfrytëzoi të gjitha anët tona pozitive dhe të gjitha dobësitë e rivalëve. Ka meritë edhe federata, por kjo e fundit ama duhet të shohë edhe kampionatin vendës. Nuk mundet që në kampionat të eksperimentohet kështu. Një skemë e paprovuar më parë testohet në Shqipëri. E pse? A u bë ndonjë sondazh me klubet? Çfarë garancish kemi që do shkojë mirë? E përsëris, FSHF-ja ka meritën e saj në kualifikimin në Europian, por duhet të shohë kampionatin vendës. Nuk mund të vazhdohet me shpërblimet e vitit 2002 për kampionët e Shqipërisë. Tani marrin plotë para nga UEFA, le të shpërndajnë ca më shumë te klubet. Fundja për çfarë i duhen lekët FSHF-së…

 

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"