EKSKLUZIVE/ “Dëmtimi më futi në stres”, çoi Shqipërinë në finale, Gega: Ndihem e çliruar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2023 | 9:01

EKSKLUZIVE/ “Dëmtimi më futi në stres”, çoi Shqipërinë në finale, Gega: Ndihem e çliruar

Deri në vitin 2019 Shqipëria nuk kishte qenë kurrë e pranishme në finalet e një kampionati botëror të atletikës, por që nga ky vit e deri me sot, flamuri kuqezi është pjesë e finaleve në tre Botërorë radhazi. Këto rezultate mbajnë firmën dhe vulën e Luiza Gegës, e cila po rishkruan historinë sa herë që zbret në pistë për eventet madhore. Kështu pas “Doha 2019” dhe “Oregon 2022”, Luiza ka prerë biletën e finales në garën e 3000 metrave me pengesa edhe në kampionatin botëror “Budapest 2023”, aktivitet që po mbahet në kryeqytetin e Hungarisë që prej datës 19 gusht.

gega

Kampionia e Europës garoi në Baterinë 3, duke fiksuar kohën 9:17.71, për t’u renditur treta në baterinë e saj, kohë që është gjithashtu edhe rezultati i tretë më i mirë në total për të gjitha bateritë. Pasi ka futur në kasafortë një tjetër kualifikim historik për në finale, në një prononcim për “Panorama Sport”, Luiza e ka komentuar kështu rezultatin dhe garën e saj në Budapest: “Është hera e tretë radhazi që futem në finalen e një botërori dhe sigurisht jam shumë e lumtur për këtë. Në fakt, gara sigurisht që është më shumë taktike, pasi objektivi kryesor ishte të klasifikohesha në 5 të parat, për t’u kualifikuar për në finale. E gjeta veten duke kryesuar që në fillim të garës, ndërsa asnjë nga vajzat nuk po dilte para dhe m’u desh ta mbaja unë ritmin, gjë që se kisha llogaritur, sepse nuk doja, por gjithsesi e kisha garën nën kontroll dhe kam vrapuar në zonë komode”, deklaron kampioni kuqezi.

DËMTIMI – Mbërritja në këto kualifikuese nuk ka qenë aspak e lehtë për Luiza Gegën, e cila duhet të përballej edhe me një dëmtim të pësuar ditët e fundit para garës. Një problem, të cilin rekordmenia e atletikës sonë e rrëfen për gazetën: “Po, në fakt dy javë para Botërorit mbas një stërvitjeje shumë të mirë shpejtësie ndjeva një dhimbje në bicepsin e këmbës së majtë, fillimisht mendova që ishte një kontraktim muskulor, por dhimbja po vazhdonte dhe në ditët në vijim bërë një kontroll dhe rezultoi që kisha një inflamacion në tendinë. Nga ai moment ula ngarkesën dhe fillova terapi intensive për ta sjellë në gjendje sa më të mirë për garën e madhe që më priste. Kam qenë shumë në stres këtë periudhë, sepse nuk e dija si do të me reagonte në garë, duke qenë se gara ka intensitet të lartë. Kisha frikë mos ndoshta do të kisha shumë dhimbje, por për fat të mirë dhimbja ishte minimaliste dhe me la të vrapoja komode. Tani mbas gare e ndiej në fakt të ngarkuar, por finalen e kam më datë 27 dhe besoj që do të më kalojë këto ditë”, shprehet 34-vjeçarja.

FINALJA – Pyetjes se çfarë duhet të presim nga Luiza në finalen e 27 gushtit dhe cili është rezultati që do ta kënaqte, atletja i përgjigjet kështu: “Sigurisht që tani që ia arrita të futem në finale dhe këmba më la të vrapoj, ndihem më e qetë psikologjikisht dhe me më shumë besim për finalen. Do të bëj maksimumin, pasi dua vërtet të luftoj për një pozicionim të mirë. Uroj shumë që këmba të më lejojë të shkoj në maksimumin tim, sepse sigurisht që në finale do të ketë një ritëm dhe intensitet akoma më të lartë. Por besoj që do të jetë një finale emocionuese, sepse shumë vajza janë afër me rezultat dhe te gjitha do të luftojmë për pozicionim sa më të mirë”, përfundon Luiza Gega, duke treguar kështu objektivat për garën finale.

FINALISTET (1)

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"