EKSKLUZIVE/ Beteja e Durrësit me Teutën, Partizani shkon pa dy “komandantë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2023 | 14:52

EKSKLUZIVE/ Beteja e Durrësit me Teutën, Partizani shkon pa dy “komandantë”

Futbolli i kombëtareve mbaroi dhe Partizani është gati t’i rikthehet misionit për të shkuar te titulli kampion. Gjithçka rinis me një transfertë ndaj Teutës në “Niko Dovana” ditën e nesërme në orën 18:00.

partizani

Jemi vetëm 10 ndeshje nga fundi, saktësisht 900 minuta dhe çdo detaj duhet vlerësuar në maksimum, pasi Tirana premton luftë deri në çastin e fundit. Ditën e djeshme të kuqtë kanë zhvilluar stërvitjen e radhës.

Të gjithë lojtarët kanë qenë të pranishëm në seancën stërvitore, me Kolelën, që po përpilon detajet e fundit për të zënë në “kurth” Teutën e Martinit, që në përballjen e kaluar u largua me tri pikë në xhep nga stadiumi “Partizani”, pas një fitoreje me shifrat 0-2.

ATANASKOSKI – Në këtë pjesë të sezonit mbrojtësi i majtë është shndërruar në një element kyç për skuadrën. Falë aftësive të mira defensive dhe forcës më të madhe në duele, ai e ka ulur në stol prej kohësh talentin Buxhelaj.

DAVID ATANASKOSKI

Megjithatë, të paktën për Teutën do të duhet të ndalet. Bëhet me dije se 26- vjeçari ka pasur shqetësime në ditët e fundit dhe dje është stërvitur individualisht. Ndeshja me Teutën është shumë pranë dhe rikuperimi i tij duket thuajse i pamundur. Në këto kushte, Buxhelaj “mpreh armët” për të hyrë nga minuta e parë.

MATONDO – Mesfushori difensiv nuk është stërvitur me grupin prej më shumë se 10 ditësh për shkak se ai qe thirrur nga kombëtarja e Kongos dhe ende nuk është kthyer. Largësia dhe mungesa e linjave ajrore direkte ka bërë që 23- vjeçari të mos kthehet në kohë.

matondo

“Panorama Sport” mëson se ai pritet të bashkohet me skuadrën vetëm sot. “Tanku” i mesfushës luajti 90 minuta vetëm para tri ditësh me Kongon, por pas kësaj nuk është stërvitur më.

Kjo e vë seriozisht në diskutim praninë e tij në sfidën e nesërme. Gjithçka do të vendoset pas stërvitjes së sotme, ku do të vlerësohet gjendja e tij.

TË TJERËT – Përveç kësaj dysheje, të gjithë të tjerët janë të gatshëm dhe Kolela i ka gati zëvendësuesit e tyre. Maget, Telushi dhe Menish, që kanë pasur probleme në ditët e fundit, janë kthyer të stërviten normalisht.

Përveç tyre, një rikthim mund të quhet edhe Saliu Sembene, i cili pasi zhvilloi një ndeshje shumë të mirë ndaj Luzit, pritet të rikthehet në pankinë, si një opsion për trajnerin.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"