EKSKLUZIVE / Arratisja në Athinë, Arvid Hoxha: Në ambasadën jugosllave thikën e mbajta në fyt, më kërkuan të luaj me Partizanin e Beogradit (PJESA E TRETE)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2022 | 23:15

EKSKLUZIVE / Arratisja në Athinë, Arvid Hoxha: Në ambasadën jugosllave thikën e mbajta në fyt, më kërkuan të luaj me Partizanin e Beogradit (PJESA E TRETE)

Nga JETMIR HALILAJ
Arratisja e bujshme ndodhi në Athinë, por stresi i madh për Hoxhën, Bërshenin dhe gjithë skuadrën e Vllaznisë nisi që në Finlandë. Fakti që kishin përfunduar në polici për një bluzë dhe një palë xhinse, e kishte tërbuar Sigurimin e Shtetit dhe gjatë rrugës në kthim, kur ishin ndalur transit në Hungari, autoritetet e ambasadës shqiptare aty u kishin marrë sërish pasaportat lojtarëve të Vllaznisë. Arvid Hoxha thotë se nisi të mendonte vetëm për arratinë, por nuk kishte folur fare me Lulëzim Bërshenin, edhe pse ndjesia ishte se të dy po mendonin për të njëjtën gjë. Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, Arvid Hoxha thotë se gjithçka ndodhi në Athinë…

Arvid Hoxha dhe Lulëzim Bërsheni

Arvid Hoxha dhe Lulëzim Bërsheni

Të rikthehemi pak te ndalesa juaj në Hungari, sepse thatë që tensioni u rrit në skuadër…
Po, por kur presioni u rrit, çdo gjë filloi e u tensionua te gjithsecili se diçka po ndodhte dhe kur shkuam në ambasadë në Hungari, na mblodhën sërish pasaportat. Zakonisht kjo nuk ndodhte në kthim dhe na jepnin njëfarë lirie sa për të bërë pazar. Në fakt, të gjithë donin të bënin pazar në përgjithësi. Hungaria e kishte kursin e dollarit më të lartë sesa vendet e tjera të pranimit. Atëherë ne mund të blinim orët ose diçka tjetër më lirë, gjëra që mund t’i konvertonim në Shqipëri pak më shtrenjtë. Ishin nga ato pazaret që bënte çdo ekip sportiv që dilte jashtë në atë kohë. Ky ka qenë privilegji më i madh që kemi pasur ne, se kemi përfituar diçka nga pazaret që kemi bërë, nga kursi.

Dhe çfarë ndodhi saktësisht aty?
I pashë që pasi na mblodhën pasaportat, njerëzit ishin pak të acaruar. Me Lulëzim Bërshenin nuk kam folur absolutisht për sa i përket dëshirës që kisha për t’u arratisur deri sa mbërritëm në Athinë. Nuk kishim folur fare me njëri-tjetrin, por më pas mësuam se të dy kishim menduar arratisjen. Normalisht ne e kishim ndarë mendjen dhe fytyrat tona nuk ishin më të qeta, ishin bërë si akull. Luli kur ishim në Hungari, nisi të më thoshte: “Arvid, shiko se…”. Nuk e lashë të fliste dhe i thashë shkurt: “Luli, flasim në Athinë”.

Asgjë më shumë?
Asgjë më shumë, në Hungari nuk kemi folur. I thashë Lulit vetëm kaq: “Në Athinë, vetëm atje flasim”. Ai heshti dhe nuk foli më.

Çfarë ndodhi kur mbërritët në Athinë?
Kur mbërritëm në Athinë, shkuam në “Athinais Hotel” dhe në atë kohë unë e mora vesh se hoteli ishte përballë ambasadës jugosllave, se nuk e dija më parë. Gjatë gjithë kësaj kohe po mendoja se cila do të jetë rruga më e mirë dhe më e sigurt që të shpëtonim gjallë. Të paktën ta realizonim pa vdekur, se po të ktheheshim mbrapa, do të ishim të mbaruar.

Pra, për shkak të incidentit që ndodhi në supermarketin e Helsinkit ju nuk ndiheshit më të sigurt, sepse dyshonit se mund t’ju dënonin?
Po, këtë frikë kishim të dy.

Edhe çfarë ndodhi pasi mbërritët në Athinë dhe u akomoduat në hotel?
Atëherë, kur u bë ndarja e dhomave, në hotel i them Lulit: “Tani rrimë vetëm në fund, mos u ngut”. Doktor Zyhdi Çoba ishte personi që ndante dyshet nëpër dhoma. Në dyshen që unë isha gjithmonë, isha me Kujtim Shabën. Unë dhe Kujtimi, ndërsa Luli ishte me Ilir Kepën. Kur vazhdoi ndarja e dhomave, gjithsecili, Rragami, Jera, Bushati, Zmijani, Maliqati, Pashaj, të gjithë u ndanë në dyshe, ne mbetëm në dyshen e fundit dhe morëm të hynim në ashensor dhe këtu dua t’i kërkoj falje Isak Pashajt për atë natë. Unë doja që në ashensor të hynim unë, Luli, Iliri dhe Kujtimi. Isaku merr të hyjë me ne në ashensor dhe unë vura dorën përpara. “Isak, – i them, – katër vetë lejohet të hyjnë në ashensor”. Ose kaq persona dhe kaq pesha, kështu e kishte të shkruar udhëzimin ashensori. “Merr ashensorin tjetër, – i them, – se po na ndodh ndonjë gjë”. “Po jo mor burr…”, – tha. “Isak na lër pra”, – i them, dhe Isaku u tërhoq. U ngjitëm për te dhomat dhe brenda në ashensor i them shkurt Kujtim Shabës: “Tani jemi në ashensor nuk na dëgjon njeri… Unë dhe Luli kemi blerë diçka në Hungari dhe duam ta fshehim. A i ndërrojmë dhomat unë me Lulin? Ti fli me Ilirin dhe po na i zunë në Rinas këta sahatë e këto gjëra që kemi marrë, të paktën mos i mbetet faji njërit-jetrit”. “S’ka problem”, – tha Kujtimi. Dhe Iliri: “Po mo ta marrsha, s’ka problem”. I ndërruam dhomat pa ditur stafi. Ky ndërrim dhomash ishte midis nesh. Aty kam bërë planin si të arratiseshim.

arvid hoxha

Si e bëtë planin, çfarë diskutuat?
Asgjë. Planin e kisha 100 për qind në kokë: do të ikja. Tani puna ishte si do të dilja nga hoteli pa u marrë vesh. Me çdo kusht do të hyja në ambasadën jugosllave, jo të dorëzohesha tek autoritetet greke.

Po pse në ambasadën jugosllave?
Në bazë të atyre që ndodhnin në atë periudhë, me jugosllavët nuk kishim marrëdhënie të mira, ndërsa me grekët kishim marrëdhënie të mira. Rrjedhimisht, jugosllavët në atë kohë nuk bënin kthimin e të arratisurve. Kështu e kisha ndarë mendjen për të bërë këtë punë. Gjithë kohën kam ndenjur duke kontrolluar. Në kat të katërt ishim ne të futbollit, ndërsa në kat të tretë ishte dhoma e të dërguarit të qeverisë nga Sigurimi, që nuk ia kujtoj emrin, Theodhori, Thoma, Kozma, diçka të tillë e kishte. Ishte një njeri i mirë, i qetë. Ai po ruante dhe kishte marrë dhomën ballë për ballë me ashensorin. Unë zbrisja herë pas here kontrolloja. Zbrisja ngadalë-ngadalë nga shkallët dhe pashë që ai kishte hapur derën dhe po lexonte gazetën. Herën e parë, herën e dytë, të tretën dhe nga ora 01:30–02:00 e natës zbres edhe një herë shoh, atij i kishte rënë gazeta në fytyrë. Aty u ngjita në dhomë dhe i them Lulit: “Gati. Ikim”. “Të marrim çantat”, thotë Luli. “Asgjë, – i them, – shpejt të ikim. Tani është momenti”.

Edhe si vepruat pastaj?
Zbritëm poshtë dhe dorëzuam çelësin që të mos binim në sy, të dukej sikur po dilnim për qejf. Dolëm jashtë dhe morëm një taksi. Luli më thotë: “Kam ardhur një herë me Shpresat këtu dhe qendra e Athinës është ‘Omonia’”. Me taksi shkuam në “Omonia”. Gjatë rrugës për në “Omonia”, shoferi greqisht ndërsa ne mundoheshim të flisnim anglisht vetëm se kemi bërë lidhjen ambasada jugosllave. Ai thoshte greqisht: “Jugosllavi pres vissa”, dhe u kuptuam që flisnim për të njëjtën gjë. Ai tha 2 dollarë deri në Omonia dhe 2 dollarë deri te ambasada jugosllave. Ndoshta një nga taksistët e parë e të ndershëm… (qesh). Nxorëm paratë që kishim me vete dhe ai mori 2+2. “Ja edhe 1 i thashë më tepër”. I dhamë 5 dollarë. Zbritëm duke parë nga ambasada. Aty Luli më tha: “Arvid a e di ku jemi?” I thashë: “Lul jemi te ambasada jugosllave”. “Ktheje kokën mbrapa”, më tha. Ktheva kokën mbrapa dhe pashë që ishim përballë hotelit nga dolëm. U tronditëm. Kishim qenë mu përballë ambasadës jugosllave dhe nuk e dinim, por kishim marrë taksi dhe kishim ardhur sërish në të njëjtin vend. Autobusi i Cacit ishte përballë hotelit ende dhe e kuptuam që kishim bërë një xhiro kot…

Çfarë ndodhi më pas?
I ramë ziles së ambasadës, por nuk u përgjigj njeri. I ramë e i ramë disa herë dhe pastaj dolëm nga mbrapa, në një rrugicë të vogël, aty ku ishte një pllakatë e shkruar me shkronja cirilike. Muri ishte shumë i lartë. U dëshpëruam, por nuk u dorëzuam. Hipa mbi Lulin, hyra në ambasadë, hapa derën dhe futa Lulin brenda. Pamë një dritë aty, ishte një si shtëpi private e ambasadës.

Sa ishte ora kur ju dolët nga hoteli juaj?
Ora ishte afërisht 02:00. Shkova aty dhe pashë një nga të ambasadës. Dragan më duket se e kishte emrin. Ne kishim me vete dhuratën që të thashë më lart, thikën që na e patën dhënë simbolikisht ata të klubit të Rovaniemit. I rashë me thikë xhamit, por personi që po lante fytyrën në atë kohë u tremb. “Shto je bre?”, tha (çfarë ka ndodhur) dhe hapi pak derën. Unë flas sllavisht dhe i them: “Jemi dy futbollistë të Vllaznisë së Shkodrës, kemi ardhur për të kërkuar strehim politik”. “Po këtu jemi në ambasadë jugosllave, – tha. – Pse nuk e kërkoni jashtë këtë?” “Jo, jo, – i thashë, – vetëm këtu. Gjallë a vdek nuk dalim prej këtu”. Thikën e kisha në fytin tim ndërkohë, për t’i treguar se e kisha seriozisht se unë nuk dilja më gjallë nga ambasada pa më dhënë strehim politik. “Po hiqe ore atë thikë”, më tha. “Jo, jo, – i thashë, – vetëm kur të na japësh të drejtë”. “Duhet të çoj njerëzit, – tha. – Duhet të çoj ambasadorin…”.

Thika që iu dha dhuratë në Finlandë në ndeshjen me Rovaniemin dhe të cilën Arvid Hoxha e ruan si kujtim edhe sot e kësaj dite

Thika që iu dha dhuratë në Finlandë në ndeshjen me Rovaniemin dhe të cilën Arvid Hoxha e ruan si kujtim edhe sot e kësaj dite

Çfarë ndodhi më pas?
Kemi qëndruar për 10 orë brenda në ambasadë, por kanë qenë orët më të gjata të jetës sime dhe të Lulit…

Pse?
Sepse nuk e dinim nëse do të jetonim më apo do të vdisnim.

Në ç’kuptim?
Shikoni, mirë që hymë në ambasadë, por nuk dinim se çfarë vendimi do të merrnin ata, se tani nuk kishim ku të iknim më. Nëse ata vendosnin të na kthenin, ne ishim të vdekur.

Ju çfarë bënit ndërkohë?
Na thanë gjëra të ndryshme, rrihnin mendime të ndryshme, por fati ynë ndoshta se ishte e shtunë dhe asnjë nuk e çonte telefonin nga eprorët e tyre në Beograd. Një nga punonjësit që ishte slloven, sepse atëherë Jugosllavia ishte federatë, na tha: “Do të interesohemi kështu që rrini të qetë”.

Përballë ambasadës ishte hoteli ku qëndronte skuadra e Vllaznisë dhe shihej se çfarë po ndodhte aty, apo jo?
Po, ne i shinim të gjitha. Aty te ne kishte ardhur ambasadori jugosllav dhe teksa shikonte panikun që kishte kapur stafin e Vllaznisë, rrinte afër dritares dhe thoshte: “U çmendën këta, u çmendën. Po luajnë mendsh ata përballë”. Pastaj u mblodhën me polici greke, me ambasadën shqiptare e ku di unë se çfarë tjetër….

Ju i shihnit ndërkohë, apo jo?
Ne i shihnim se ishim përballë. Të gjithë shokët tanë ishin në autobus, tensioni ishte i jashtëzakonshëm. Në orën 10:30–11:00 të darkës së ditës tjetër na thanë aty në ambasadë: “Tani do të ndahemi. T’ju përqafojmë dhe të mos bëheni merak për asgjë se do t’ju çojmë në vendin e duhur, në Organizatën e të Drejtave të Njeriut”. Atë kohë në Greqi ishte Kallamaqi, ishte Organizata e Kishave dhe e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, diçka e tillë. Ata erdhën me 2-3 makina të tyre, na morën së bashku me përkthyesin. Pastaj vazhduam kalvarin e njerëzve të arratisur. Në orën 05:00 të mëngjesit kemi qenë në Lavrio në kampin e refugjatëve. Brenda ambasadës ishin malazezë me shumë nostalgji për Shkodrën. Njëri prej tyre tha: “Kanë braktisur Bunën, kanë braktisur Drinin…”. “Vetëm ato, – i thashë, – nuk i lë kurrë. Unë lë vetëm sistemin, gjë tjetër nuk kam lënë prej Shqipërie”. Një tjetër, përfaqësues serb, na afroi të kërkonim të drejtën të shkonim në Jugosllavi me garanci për të luajtur me Partizanin e Beogradit, por që ne duhet të flisnim, të jepnim një intervistë për serbët në lidhje me Shqipërinë. Por ne, as njëri dhe as tjetri nuk e pranuam.

Pse nuk pranuat?
“Nuk është kjo ideja, – i thamë. – Ideja është që ne të largohemi vetëm për lirinë tonë”, dhe mbaroi kjo punë. Atëherë vazhduam rrugën për në Lavrio ku ishte kampi i refugjatëve nga vende të ndryshme të bllokut komunist ose socialist. Kishte polakë, hungarezë, rumunë, kishte turq, bullgarë, kishte disa jugosllavë, dy kosovarë dhe 4 shqiptarë. Një prej tyre ishte dhe Ilir Bulka, që ishte arratisur një muaj përpara nesh në Maltë. Aty u mor vesh se çfarë ka ndodhur dhe ndenjëm 10-12 ditë.

VIJON…

NGJARJA NË 1987 / Çfarë ndodhi pas ndeshjes Rovaniemi-Vllaznia 1-0?

Arratisja e dy futbollistëve të Vllaznisë, Arvid Hoxha dhe Lulëzim Bërsheni, në vjeshtën e vitit 1987, ishte një goditje e rëndë për sportin shqiptar dhe vetë sistemin komunist të kohës. Ngjarje e cila u pasua me një sistem zinxhir pasojash për familjarët e atyre që kishin tradhtuar atdheun dhe idealet e Partisë së Punës, si dhe pjesëtarët e tjerë të skuadrës që morën pjesë në transfertën që ekipi shkodran pati në Finlandë ndaj Rovaniemit, e vlefshme për turin e dytë të Kupës së Kupave. Problemet për delegacionin e Vllaznisë nisën që më 5 nëntor 1987 kur katër futbollistë u ndaluan në një dyqan të Helsinkit dhe u akuzuan për vjedhje. Ndërsa kulmi arriti në orët e para të mëngjesit të 7 nëntorit kur dy futbollistë të Vllaznisë, Arvid Hoxha dhe Lulëzim Bërsheni, vunë në zbatim planin e tyre për arratisjen nga hoteli gjatë qëndrimit në kryeqytetin grek. Dy lojtarët, pas manovrave që bënë me ndërrimin e dhomave, pasi nuk ishin caktuar të qëndronin bashkë, arritën që në orët e para të mëngjesit të largoheshin nga grumbullimi dhe më pas të kërkonin strehim politik. Pas pikasjes së dezertimit të dy lojtarëve, edhe pse u vu në lëvizje ambasada shqiptare në Athinë, nuk u bë e mundur që ata të gjendeshin nga policia greke. Ngjarja ishte shumë e rëndë për kohën dhe pasojat diheshin. Sipas rrëfimit të Arvid Hoxhës për “Panorama Sport”, nuk munguan as masat ekstreme për farefisin, ndonëse protagonistët vinin nga familje të ngritura dhe me pozita partiake, por që gjithsesi pësuan ulje në detyra apo transferime në zona të thella.

03.11.1987
ROVANIEMI-VLLAZNIA 1-0
GOLI:
 Steven Polack 47’
ROVANIEMI: Matinlassi, Autti, Tolvanen, Polack, Ollila, Ilola, Kallio (Honkanen 28’), Tegelberg (P. Tauriainen 64’), V.Tauriainen, Heaton, Hannola.
Trajner: Graham Uilliams
VLLAZNIA: Agim Maliqati, Kujtim Shaba, Isak Pashaj, Fatbardh Jera, Hysen Dedja, Adrian Barbullushi, Luan Vukatana, Ferid Rragami, Viktor Briza, Arjan Laçja, Ilir Kepa.
Trajner: Astrit Hafizi
TIFOZË: 7.312
GJYQTAR: Bo Karlsson (Suedi)

NESËR DO TË LEXONI:
* Si u internuan familjet e dy ish-lojtarëve dhe i çuan më pas “atje ku ha pulë gurë”;
* Si i përndiqte Sigurimi në Greqi edhe pse Arvid Hoxha u detyrua të hante letrën që mori nga Shqipëria;
* Çfarë ndodhi te Panioniosi me dy shkodranët dhe pse Hoxha thotë se u është mirënjohës përjetë grekëve.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “PanoramaSport.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pa vendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

LEXO EDHE:

EKSKLUZIVE / Arratisja e Arvid Hoxhës dhe Lulzim Bërshenit në vitin 1987, rrëfimi unik i ish-portierit: Si pësova 9 thyerje në fytyrë, më ndihmoi vëllai i Astrit Hafizit (PJESA E PARË)

EKSKLUZIVE/ “Vetëm vdekja na ndan”, Arvid Hoxha: Si nisi plani i arratisë me Bershenin në Athinë (PJESA E DYTË)

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"