EKSKLUZIVE/ “Apolonia ka grup kompakt”, Bellai: Qëndrojmë në krye, Bylisi ekipi për t’u mundur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 10, 2024 | 9:50

EKSKLUZIVE/ “Apolonia ka grup kompakt”, Bellai: Qëndrojmë në krye, Bylisi ekipi për t’u mundur

Bylisi ka mbyllur për gatitjet për derbin me Apoloninë, që do ta luajë sot, orën 13:30, në “Adush Muçaj”. Mallakastriotët do të jenë të plotë, ndërsa trajneri Arian Bellai është optimist.Bellai

Ai ka besim se skuadra do të vijojë me rrugën e rezultateve pozitive. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Bellai kërkon vigjilencë dhe vëmendje nga lojtarët e tij. Madje, sipas trajnerit, Apolonia është një ekip rival dhe me emër, por Bylisi është më lart dhe këtë e ka treguar në çdo ndeshje me çdo kundërshtar. Për trajnerin Bellai çdo sfidë është përcaktuese dhe Bylisi do të jap maksimumin për 3 pikët, si brenda dhe jashtë fushës.

Bellai, Apolonia është në radhë. Si e pret Bylisi këtë sfidë?

Jemi përgatitur dhe kemi punuar gjatë gjithë javës me të gjithë lojtarët që kemi në dispozicion. Duhet të shfrytëzojmë momentin e mirë, të ruajmë ecurinë në çdo fushë dhe sot presim tri pikët.

Apolonia ka pësuar shumë ndryshime…

Gjithsesi duhet vlerësuar, janë ekip me traditë dhe kanë kualitet dhe cilësi, por edhe djem të rinj që kanë bërë mirë. Unë i kam ndjekur. Luajmë në shtëpinë tonë dhe duhet të mos falim, por të futemi në fushë të përqendruar dhe të marrim pikët e plota.

Cilat janë pikat e forta të Apolonisë?

Janë ekip kompakt dhe kanë disa pika të forta. Por më së miri këtë do ta shihni sot në fushë. Ne si staf, por edhe skuadra e ka të qartë se çfarë duhet të bëjmë sot, kemi vetëm një mision ose qëllim.

Janë bërë disa afrime gjatë merkatos dhe Bylisi mund të quhet “top” për përballimin e garës dhe realizimin e synimeve…

Janë afruar lojtarë në çdo repart, madje shumë role janë dubluar. Ne jemi pretendentë dhe synimi ynë është që të përballojmë garën, sepse e shoh që kampionati ka rivalitet dhe kjo është pozitive. Padyshim kjo i jep më shumë cilësi dhe bukuri garës deri në fund.

A është Bylisi skuadra për t’u mundur në Kategorinë e Parë?

Gara është e gjatë, ekipet kanë nisur llogaritë. Ne kemi bërë mirë dhe kjo në saj të një pune të mirë të nisur nga presidenti që në verë, por dhe nga ne si staf. Pastaj, djemtë kanë ardhur më në formë dhe unë i falënderoj për paraqitjen. Këtë sezon na pret një garë e gjatë dhe shohim vetëm ecurinë tonë. Çdo ndeshje ka veçoritë e veta dhe këtë u them edhe djemve. Ne kemi politikat tona, por deri tani kemi treguar se, me meritë, ne kemi qenë skuadra për t’u mundur. Bylisi i Kategorisë së Parë ka me të vërtetë një ekip cilësor.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"