EKSKLUZIVE/ Apolonia gjen menjëherë trajner, ja kush u prezantua dje para skuadrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 5, 2023 | 12:02

EKSKLUZIVE/ Apolonia gjen menjëherë trajner, ja kush u prezantua dje para skuadrës

Kaos tek Apolonia, largohet boshnjaku Veljko Dovedan dhe vjen në krye të skuadrës vlonjati Besmir Shabani. Nuk ka zgjatur më shumë se një muaj aventura e 68-vjeçarit në krye të pankinës fierake dhe stërvitja e djeshme ka konfirmuar gjithçka.

I qëndron besnik Labërisë, trajneri vlonjat refuzon ofertën e Apolonisë

Me Dovedan ka ndodhur e njëjta gjë si me ish-trajnerin Klevis Dalipi, i cili u largua në mënyrë të befasishme. Si për ironi të fatit, të dy kanë ikur nga drejtimi i ekipit pas vetëm tri ndeshjesh të zhvilluara, duke marrë katër nga nëntë pikë të mundshme. Dovedan arriti të fitojë në transfertë me Besëlidhjen, mori një pikë të rëndësishme me Luzin po jashtë fushe, si dhe humbi minimalisht në ndeshjen e parë përballë Skënderbeut në stadiumin “Loni Papuçiu”. Edhe pse boshnjaku mori përsipër që të drejtonte një ekip ku dominonin kryesisht të rinjtë, drejtuesit me siguri prisnin një tjetër qasje.

Dje, në seancën e parë për këtë vit, “Panorama Sport” ka konfirmuar gjithçka sa i përket lëvizjes në stol, nisur nga ajo që ndodhi në fushë. Trajneri i ri vlonjat, Besmir Shabani, doli para skuadrës, ndërsa Dovedan nuk po dukej në ambientet e klubit fierak. Të pranishëm në seancën e parë të këtij viti ishin edhe drejtori sportiv, Mariglen Kule, si dhe njëkohësisht drejtori i klubit, Kir Doshi. Rreth orës 16:40 në mesin e fushës ka ndodhur takimi i shumëpritur mes lojtarëve fierakë, dy trajnerëve dhe drejtuesve të tjerë prezentë. Mungesa e boshnjakut Dovedan për minuta të tëra, si dhe zbritja e menjëhershme e trajnerit të ri vlonjat Besmir Shabani ishin pikënisja e gjithçkaje. U nënkuptua që asgjë nuk ishte rastësi, prandaj ndodhi ajo që pritej. Dovedan është përshëndetur me të gjithë lojtarët, si dhe me pjesëtarët e stafit teknik. I ka përqafuar të gjithë, ndërsa në fund ka përshëndetur edhe trajnerin e ri, Shabani, i cili pa humbur kohë ka nisur menjëherë punën në krye të pankinës fierake. Vlonjati iku nga drejtimi i Labërisë në Kategorinë e Dytë në muajin dhjetor, ndërsa ka qenë një dëshirë e kahershme e drejtuesve të Apolonisë dhe tashmë palët kanë gjetur momentin e duhur për të nisur një bashkëpunim.

KLUBI – Pas publikimit të lajmit për largimin e Dovedan nga Apolonia në faqen zyrtare të gazetës “Panorama Sport” (“panoramasport.al”), ka reaguar drejtori i klubit fierak, Kir Doshi: “Dovedan nuk është larguar, të paktën për momentin. Shabani do të jetë ndihmësi i tij, të paktën për momentin dhe njëkohësisht do të drejtojë Apoloninë U-21”. Kjo deklaratë e bën edhe më kaotike situatën te fierakët.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"