EKSKLUZIVE/ Apolonia e mbante ‘peng’, Lutaj fiton gjyqin. Rrëfehet mesfushori 17-vjeçar: FSHF-ja u dha fund dilemave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2023 | 9:27

EKSKLUZIVE/ Apolonia e mbante ‘peng’, Lutaj fiton gjyqin. Rrëfehet mesfushori 17-vjeçar: FSHF-ja u dha fund dilemave

Apolonia humb “gjyqin” me një lojtar të akademisë. Jemi duke folur për Xhoel Lutajn, një mesfushor vetëm 17-vjeçar dhe i angazhuar me ekipet zinxhir të fierakëve. Pa nisur ky sezon futbollistik, i riu kërkoi largimin nga Fieri. MixCollage-30-Nov-2023-09-19-AM-751

Do të zhvendosej bashkë me familjen drejt kryeqytetit, për t’u angazhuar edhe te Partizani U19. Këta të fundit i kishin bërë ftesë, por klubi bardhejeshil e ndaloi. Më 31 gusht 2023 u vendos zyrtarisht nga FSHF, që ai të federohej tek ekipi “mëmë”, që njëherësh kishte përparësi për të nënshkruar kontratën e tij të parë profesionale.

Lojtari, sidoqoftë, nuk u aktivizua kurrë në këtë kampionat dhe u detyrua që të ndiqte një tjetër rrugë, për të fituar “lirinë”. Çështja kaloi te Komisioni i Statusit dhe Transferimit të Lojtarëve, pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Dhe pas dy mbledhjeve të zhvilluara më datë 1 dhe 20 nëntor 2023, ai fitoi përfundimisht të drejtën për t’u federuar në një tjetër ekip, pa pasur pengesën e Apolonisë. Në janar mund të transferohet si lojtar i lirë në çdo skuadër.

Faksimile e vendimit të FSHF-së, ku i jep të drejtë Xhoel Lutajt

Faksimile e vendimit të FSHF-së, ku i jep të drejtë Xhoel Lutajt

REAGIMI I LOJTARIT

I kontaktuar ekskluzivisht nga “Panorama Sport”, 17- vjeçari ka sqaruar situatën e tij.

“E kisha të pamundur që të vazhdoja të kontribuoja tek ekipet zinxhirë të FK Apolonia, pasi familjarisht u shpërngulëm drejt kryeqytetit. Kemi komunikuar fizikisht, por edhe me shkresa me përfaqësuesit e klubit. Me gjithë lutjet që të merrja lejen e tyre dhe të vijoja pasionin tim për futbollin në një ekip në Tiranë, nuk gjetëm kurrë një akord. Unë e kam shprehur mirënjohjen e plotë për ekipin ‘mëmë’ dhe atë që më kanë dhënë. Bashkë ngjitën në majat e futbollit Apoloninë U-19, por tashmë angazhimi im përfundoi dhe vendimi ka ardhur nga organet kompetente në FSHF. Më duhet ta përsëris, largim nga FK Apolonia erdhi për dy arsye. E para jemi transferuar në Tiranë dhe e dyta, dua të arsimohem dhe zhvilloj pasionin pranë familjarëve të mi. Unë kam qenë korrekt me detyrimet e mia si pjesë e FK Apolonia. Kur familjarët vendosën për transferimin dhe sistemimin tonë për të banuar në Tiranë, në të njëjtën kohë u regjistrova edhe në një shkollë në kryeqytet dhe iu drejtova menjëherë klubit duke i shpjeguar gjithçka rreth situatës sime. Nuk mora ndonjë përgjigje bindëse dhe nuk e kam kuptuar as sot se pse po pengohesha! Sidoqoftë, tani mori zgjidhje gjithçka… Organet ligjore në FSHF u dhanë fund dilemave. Po mundohem të vazhdoj ta ushtroj pasionin tim të veçantë, futbollin pa ndalur asnjë çast stërvitjen dhe sigurisht, synimi im i afërt është që t’u bashkohem menjëherë ndonjërit prej ekipeve të moshave të kryeqytetit”, deklaroi Lutaj mes të tjerash.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"