EKSKLUZIVE/ Albano Aleksi beson: Jemi gati për të përballuar çdo situatë, titulli vjen në Rrogozhinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2024 | 14:20

EKSKLUZIVE/ Albano Aleksi beson: Jemi gati për të përballuar çdo situatë, titulli vjen në Rrogozhinë

Egnatia do të luajë me Laçin në transfertë në kuadër të javës së 32- të të Kategorisë Superiore.

aleksi

Rrogozhinasit ia kanë dalë të hipotekojnë 7 pikë në tre takimet e këtij sezoni kundër një nga ekipeve me të cilët nuk humbet në kampionat prej 10 sfidash. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Albano Aleksi, i cili u sakrifikua të luajë në cilësinë e qendërmbrojtësit kundër Partizanit shprehet se bardhëjeshilët do të vijojnë me rezultatet pozitive edhe kundër Laçit. Mesfushori 31 vjeçar theksoi se Egnatia duhet të qëndrojë me këmbë në tokë për të shpresuar te titulli.

Aleksi, si u përjetua suksesi ndaj të kuqve?

E patëm vlerësuar si një ndeshje të “Final 4”. U munduam të japim maksimumin dhe ia dolëm të mposhtim një nga rivalët këtë sezon. E shijuam fitoren, pasi për ne janë 3 pikë të arta që shërbejnë shumë për ecurinë e skuadrës. Suksesi me të kuqtë erdhi në momentin e duhur dhe besoj që ia ka vlejtur edhe në aspektin psikologjik tek të gjithë lojtarët pas atyre rezultateve jo të mira ndonëse kemi bërë paraqitje pozitive.

Këtë javë do të luani kundër Laçit. Çfarë do të synoni në këtë takim?

Laçi është një skuadër e fortë që mundohet të japë maksimumin në fushën e tyre. Është e vërtetë që kanë bërë ndeshje të mira, duke arritur edhe rezultate të kënaqshme, por ne do të kërkojmë fitoren e radhës për të qenë më të qetë në takimet e tjera. Po stërvitemi mirë dhe këtë javë me ekipin janë bashkuar edhe lojtarët e dëmtuar që besoj do na ndihmojnë për të siguruar një rezultat pozitiv në këtë transfertë delikate.

I druheni faktit që kurbinasit vijnë pas një momenti të mirë dhe duan pikë?

Në këtë fazë të kampionatit të gjitha ekipet janë të etura për pikë. Dikush synon kreun, luhet për “Final 4” dhe mbijetesë ndaj për këtë pjesë jemi të vetëdijshëm që çdo ndeshje ka vështirësitë e veta. Sikundër çdo ekipi, ne kemi thjesht respekt dhe aspak ndrojtje, pasi mundohemi të fokusohemi te loja dhe cilësitë që disponojmë. Jemi në një fazë delikate ku na duhet të fitojmë pothuajse të gjitha ndeshjet që kemi për të zhvilluar.

A do ta ruajë Egnatia vendin e parë?

Nuk e kemi diskutuar asnjëherë kreun e klasifikimit dhe mendoj që do ta ruajmë deri në fund. Mendoj që e kemi merituar të udhëheqim, pasi përtej rezultateve kemi dominuar çdo ekip këtë sezon. Natyrisht që nuk ka mbaruar asgjë, pasi janë edhe goxha pikë në lojë, por referuar distancës që kemi krijuar me ndjekësit mund ta menaxhojmë me pak kujdes vendin e parë. E kemi objektiv të qëndrojmë mbi të gjithë për të shkuar në takimet teke si fituesit moral të këtij sezoni.

Luani në dy fronte, a do ta përballojë skuadra lodhjen fizike?

Fatmirësisht gjendja e skuadrës është e mirë ndonëse kemi luajtur shpesh. Egnatia ka alternativa dhe të gjithë këtu ndihen të freskët fizikisht. Jemi të përgatitur për ta përballuar me sukses këtë moment përcaktues për fatin e sezonit. Ne besojmë fort te fitimi i të dy trofeve, pasi këtu dëshira për të dhënë maksimumin është e madhe. Trajneri mundohet të na jap ngarkesat e duhura fizike gjatë seancave stërvitore dhe kjo na ka ndihmuar të mos ndjejmë lodhjen fizike që të mundëson fundi i sezonit.

Sa i arritshëm është titulli kampion për ekipin rrogozhinas?

Ne e kemi objektiv titullin dhe besoj shumë te triumfi në fund të sezonit. Mendoj që është koha për të punuar dhe qëndruar me këmbë në tokë, pasi në fund triumfon ai ekip që tregohet më i saktë para portës dhe përpiqet të bëjë më pak gabime. Ne kemi treguar se jemi në garë për të tentuar trofeun, pasi kemi kualitete në skuadër. Do të mundohemi t’i shfrytëzojmë aftësitë tona deri në fund dhe më pas të shohim se ku mund të arrijmë.

Cili mendon se është rivali kryesor në “Final 4”?

Nuk dua të flas për rivalët, pasi fusha është ajo që vendos verdiktet e gjithsecilit. Ne duhet ta shohim rivalitetin te vetja me synimin për t’u përmirësuar dhe qenë sa më konciz në çdo takim të mbetur të këtij sezoni. Shpresoj ta mbyllin pozitivisht sezonin e rregullt më pas, duke i vlerësuar ndeshjet një e nga një do të kemi mundësinë të vlerësojmë çdo rival që do të kemi përballë. E rëndësishme është të punojmë të bashkuar siç kemi bërë deri tani pasi vetëm kështu mund të arrijmë objektivat që kemi këtë sezon.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"