EKSKLUZIVE/ “Broja diamanti ynë, Shqipërisë i duhet Hasi”, Skela i zhgënjyer nga FSHF: Nuk më pyetën pasi lashë futbollin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2022 | 0:01

EKSKLUZIVE/ “Broja diamanti ynë, Shqipërisë i duhet Hasi”, Skela i zhgënjyer nga FSHF: Nuk më pyetën pasi lashë futbollin (E PLOTË)

Ervin Skela nuk e humbet kurrë klasin. As kur kritikon dhe as kur bën sugjerime. Asnjëherë bajat, përkundrazi, shumë i kujdesshëm për të evituar polemikat. Nuk e fsheh zhgënjimin që përjetoi pasi la futbollin, por është një lab atipik, sepse është nga ata që edhe kur vendosin të të kritikojnë, e bën duke të “gjuajtur me pambuk”. 

ERVIN SKELA

Pa deklarata të forta, por gjithsesi i drejtpërdrejtë. Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, e thotë hapur se është ndier keq që FSHF nuk i ofroi asgjë pasi la futbollin. “E kuptoj që jo gjithmonë ka diçka për të ofruar, por ndonjëherë mjafton edhe një telefonatë kortezie: ‘A je mirë? A të duhet diçka?’ Nuk ndodhi për fat të keq. Askush nuk pyeti për mua”, thotë vlonjati që ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit në Kombëtare. Një nga lojtarët më të dashur nga tifozët vite më parë, sot ka disa “porosi” speciale për Kombëtaren. “Broja është diamanti ynë.

Mendoj që rreth tij duhet të ndërtohet gjithçka. Balliu më pëlqen shumë, por nuk e di pse nuk ka luajtur…”, thotë ish-fantazisti kuqezi. Kur pyetet nëse një ditë do të donte të bëhej trajner i Shqipërisë, ai ka sërish një propozim interesant. “Unë nuk jam ende gati, por Besnik Hasi po. Është profili i duhur për të marrë drejtimin e Kombëtares nëse ata që vendosin për trajnerin mendojnë se ka ardhur koha që në krye të ekipit të jetë një shqiptar”, shprehet Skela.

ervin skela

U bënë disa vite që punon si trajner i moshave tek Eintraht Frankfurt dhe ky ishte një sezon fantastik për klubin e tij. “Qava kur fituam Ligën e Europës. Isha në stadium, sepse klubi më ftoi familjarisht të shkonim në Sevilje. Ishte e mahnitshme”, tregon vlonjati.

Ervin, pse është kaq e vështirë t’ju intervistosh ju?

Sepse kam preferuar të jem i tërhequr këto kohë. Kam qenë shumë i zënë me punë, por edhe nuk më pëlqen që të merrem me intervista. As këtu në Gjermani nuk flas. Është zgjedhje imja.

Pse kështu?

Sepse ndonjëherë gjërat fillojnë bëjnë xhiron e rrjetit, madje edhe keqpërdoren ose nxirren nga konteksti. Më bezdis kjo pjesë.

Si shkojnë punët tek Eintraht Frankfurti?

Shumë mirë. Shkëlqyeshëm. Unë jam aty prej disa vitesh dhe ky sezon mendoj se ishte i suksesshëm me skuadrën e grupmoshës U17. Sezonin tjetër do të trajnoj ekipin U-19 që luan edhe në Champions.

Pse luani në Champions?

Sepse Eintrahti fitoi Ligën e Europës dhe skuadra e moshave merr automatikisht pjesë në Champions, njësoj si edhe skuadra e parë.

ervin skela

Ju ishit i ftuar nga klubi për finalen e Ligës së Europës në Sevilje, si e përjetuat?

Emocione të jashtëzakonshme. Kënaqësi e madhe. Ishte thjesht e paharrueshme. Kam qarë për herë të dytë për futbollin.

Kur keni qarë për herë të parë?

Kur isha futbollist i Eintraht Frankfurtit dhe e ngjitëm në Bundesligën 1.

Ju ishit edhe në Barcelonë gjatë çerekfinaleve, apo jo?

Po, klubi më ftoi familjarisht mua dhe të gjithë punonjësit e tij, duke na ofruar biletat dhe hotelin. U ndjeva mirë, u ndjeva i vlerësuar.

Pse jeni tërhequr kaq shumë nga Shqipëria? Jeni bërë pothuajse i padukshëm…

Kështu mund t’ju duket juve, unë thjesht nuk kam dashur që të përzihem dhe fundja askush nuk ka shfaqur interes për mua.

E keni fjalën për klubet shqiptare apo për federatën?

Shikoni, unë kam miq te Tirana dhe Flamurtari, por nuk e kam fjalën për klubet.

E keni fjalën për FSHF-në?

Po, nuk ka pasur asnjë interesim për mua.

Pse?

Nuk e di pse.

Pasi latë futbollin çfarë ndodhi me ju?

Ka qenë një periudhë e vështirë, në kuptimin që isha i pavendosur dhe i paqartë se çfarë do të bëja. Prisja që dikush, qoftë edhe për kontributin që unë kam dhënë në ekipin kombëtar, minimalisht të pyeste: “Çfarë do bësh, çfarë plani ke…?”

A ju telefonoi dikush?

Jo, për fat të keq, jo. Dhe u zhgënjeva disi. Unë jam njeri që e kam kulturën e punës, i respektoj njerëzit dhe përpiqem gjithnjë që të mësoj sa më shumë. Mirëpo, ajo periudhë, që është një nga më të vështirat për çdo futbollist profesionist që lë futbollin, ishte edhe një moment reflektimi.

SKELA

Në ç’kuptim?

U qartësova se si funksionojnë gjërat. Pashë se sa më vlerësonin…

Ka disa ish-lojtarë të Kombëtares që ndihen të lënë pas dore nga FSHF-ja. Pse ndodh kjo, sipas jush?

Në fakt, disave u është dhënë mundësia, ndërsa disa të tjerëve jo. Të kuptohemi drejt, nuk jam xheloz për askënd, sepse atyre që u është dhënë mundësia, shumë mirë kanë bërë. Janë miqtë e mi, shokët e mi, me të cilët kam luajtur dhe kanë kontribut në Kombëtare. Kështu duhet të jetë për të gjithë.

Nëse nuk i ndihmon dot duke u ofruar një mundësi pune apo një pozicion që mund ta kryejnë, atëherë minimalisht nga ana njerëzore i pyet: “Ore si je? A të nevojitet diçka?” Por kur të lënë në harresë, atëherë ndihesh keq dhe i pavlerësuar.

Si është raporti juaj me Dukën?

Me presidentin e FSHF-së kam pasur një raport të mirë, korrekt dhe të drejtpërdrejte.

Kur ju kanë telefonuar së fundmi nga FSHF-ja?

Nuk e mbaj mend. Më morën para disa muajsh, por nuk dua të them detaje.

A ka frikë kjo federatë nga njerëz me një karrierë të pasur jashtë Shqipërisë, pra i druhet personalitetit dhe famës suaj, Tares, Hasit, Lalës etj., që nuk ju afron?

Këtë nuk di ta them. Nuk besoj. Unë mendoj se gjërat shkojnë mirë dhe ka progres kur rrethohesh nga njerëz të aftë, të drejtpërdrejtë dhe me njohuri të mira. Por nuk mund të them më shumë sepse nuk është pyetje për mua.

skela fakaj bogdani

Po nëse ju thonë në të ardhmen: “Eja të marrësh drejtimin e një ekipi kombëtar të moshave”, a do të vinit?

Po jua them sinqerisht: në pozitat që jam tani, jo. Nëse do të më ofronin skuadrën e 17- vjeçarëve, ndërkohë që unë do të drejtoj ekipin U-19 të Frankfurtit në Champions, atëherë jo. Më parë ndoshta edhe mund ta merrja një detyrë të tillë, por kjo nuk do të thotë se nuk do të kthehem një ditë në Shqipëri.

Si ju është dukur Kombëtarja?

Kam ndjekur vetëm ndeshjet e fundit. Nuk mund të bëj analiza të detajuara për një gjë që nuk kam informacionin e duhur.

Kombëtarja është e të gjithëve, ju mund të jepni një mendim…

Natyrisht që nuk ka qenë atje ku duhet ndeshjet e fundit. Por nuk jam nga ata që i vërsulem trajnerit dhe të them se e ka fajin vetëm ai. Tani që punoj prej vitesh me moshat si trajner, kam kuptuar se është e vështirë.

Pse?

Sepse ndonjëherë është fati, ndonjëherë mungesat e lojtarëve apo edhe disa që mund të mos jenë në formë. Ka shumë arsye në rendimentin e një skuadre. Megjithatë, unë shoh që kemi shumë potencial që ndoshta duhet të menaxhohet më mirë. Njësoj siç bënte De Biazi që i merrte maksimumin ekipit.

Në ç’kuptim më mirë?

Shoh që ka lojtarë me potencial dhe luajnë në klube të rëndësishme. Janë të rinj, por me shumë ndeshje në këmbët e tyre. Ky është një element që duhet ta shfrytëzojmë. Natyrisht, stafi dhe Reja e dinë më mirë, por unë tani flas pak edhe si tifoz që e sheh nga TV Kombëtaren.

Reja është kritikuar për fanatizmin që ka ndaj skemës 3-5-2 dhe që nuk ndryshon pothuajse fare…

Së pari, çdo skuadër duhet të ketë disa zgjidhje dhe disa module. Kjo është pak, por e sigurt. Së dyti, nuk kam asgjë me skemën, por unë mendoj se problemi është diku tjetër.

Ku saktësisht?

Në ekipin kombëtar duhet të luajnë gjithnjë ata që janë më në formë. Ky është një rregull i pashkruar, por thelbësor. Te Shqipëria ndonjëherë shoh gjëra të çuditshme, pa dashur kurrsesi ta teproj me gjykimet e mia.

Skela2

Mund të jeni pak më konkret?

Shikoni, unë kam parë së fundmi Balliun, një lojtar që më ka pëlqyer shumë. Ai ka disa sezone që luan mirë në klubet ku ka qenë, por në Kombëtare tani po shfaqet. Më lind pyetja: Pse nuk ka luajtur deri tani? Në të djathtë ai duhet të jetë titullar i padiskutueshëm me ato që ka treguar dhe me modulin që përdor trajneri. Ndërkohë kam dëgjuar që Reja ka provuar në tri vite 63 lojtarë… Kjo është e tepruar, Shqipëria nuk ka nevojë për kaq shumë eksperimente.

Edi Reja është kritikuar shpesh për mënyrën se si i menaxhon lojtarët e rinj dhe me teknikë, mes të cilëve edhe Broja. Ju si mendoni?

Reja ka shumë eksperiencë dhe natyrisht që ai do ta ruajë pozicionin dhe autoritetin e tij. Ndonjëherë të jesh i talentuar nuk do të thotë ta kesh të garantuar vendin e titullarit. Por ama Broja është tjetër gjë.

Në ç’kuptim?

Broja është “diamanti” i Shqipërisë sot. Shqipëria, për aq sa unë e njoh historinë e Kombëtares, nuk ka pasur kurrë një si Broja. Kam luajtur me futbollistë të mëdhenj në epokën time dhe kam shumë respekt për të gjithë, por nuk kam parë asnjë si Broja. Nëse unë do të isha trajneri i Shqipërisë, do ta ndërtoja gjithçka rreth tij.

Çfarë doni të thoni?

Ai pra do të ishte pika e referimit për gjithë skuadrën. Do ta pyesja: Si e do topin? Ku e do? Si të ndihmojmë? Etj… Fundja, edhe te Barcelona luanin për Mesin të gjithë, edhe tek Anglia për Kejnin, edhe te Polonia për Levandovskin… Ky është futbolli: nëse ke dikë në ekip që të bën diferencën, do t’i përshtatesh dhe do ta ndihmosh që t’i marrësh maksimumin, por edhe të piqet si lojtar. Me Brojën duhet pasur kujdes.

Pse?

Sepse është i ri, i duhet kohë që të piqet sa duhet, por ndërkohë është i vetmi që bën diferencën në çdo prekje topi. Më besoni, sa herë ai ka topin në këmbë, kundërshtarët futen në panik, edhe kur është jashtë zone, sepse nisin të mendojnë: “Mos do të gjuajë që aty”, “Mos do të na driblojë”, “Mos do të na mundë në shpejtësi…”.

ervin skela

Ai i bën të gjitha sepse ka forcë, ka shpejtësi, ka gjuajtjen e mirë dhe ka personalitet. Po, ai është edhe një lojtar me shumë personalitet që te disa të tjerë unë ende nuk e kam parë. Ka ego dhe më kujton kohën kur unë vetë luaja futboll.

Ju thoni që gjithçka duhet ndërtuar rreth Brojës, por a i prish kjo ekuilibrat në ekip?

Jo, dhe jua them unë pse… Broja është lojtar që bën diferencën dhe e nxjerr skuadrën nga halli nëse atij i shërbehet mirë. Ai shënon, ai krijon hapësira, ai ngjall panik. Por duhet t’u shpjegohet edhe shokëve të tij se përse duhet ta ndihmojnë dhe përse duhet që ta shërbejnë mirë. Kështu ndodhte edhe me ne…

Çfarë ndodhte me ju?

Edhe në kohën tonë, në klube, por edhe në Kombëtare. Loja ndërtohet rreth lojtarëve që kanë teknikë, zgjuarsi dhe personalitet, sepse në shumicën e kohës vetëm ata bëjnë diferencën. Por nëse e trajton si një lojtar normal, i kërkon që të mbrojë njësoj si një mesfushor, nuk e shërben kurrë si duhet, atëherë natyrisht që edhe rendimenti i tij do të jetë normal. Por e përsëris, që duhet edhe që të luajnë lojtarët më në formë.

Jo si me Brojën që i shënoi dy gola Hungarisë, i dhuroi 6 pikë Kombëtares edhe kundër Polonisë nuk ishte titullar… Kjo për mua nuk shkon. Nuk ka logjikë. Ai mund të mos bënte asgjë kundër Polonisë, por ishte në formë edhe duhet që t’i jepej shansi. Kombëtarja nuk është klub futbolli.

Ku doni të dilni?

Në klub futbolli ke një formacion që edhe të “pret” dy apo tri ndeshje nëse nuk je në formë. Në Kombëtare digjesh edhe për një pikë nga Europiani edhe prandaj duhet të luajnë gjithnjë ata që janë më mirë fizikisht dhe psikologjikisht. Plus që duhet pasur edhe kujdes se si menaxhohen të rinjtë.

skela bogdani

Pse?

Sepse tani që punoj vetë trajner me moshat, e kuptoj se sa të ndryshëm janë brezat. Ti flet me një lojtar të ri, ai të sheh në sy, të thotë “po, po” edhe ti mendon se e ke bindur dhe ai e ka kuptuar. Pastaj ai hyn në fushë edhe bën si i thotë koka… Mirëpo, nuk mund ta djegësh për një gabim, kur ti e di se sa potencial ka. Merita është që atë ta fusësh në shina dhe t’i marrësh maksimumin e potencialit.

Pse kaq shumë ndryshime mes brezave?

Sepse këta janë brez që janë rritur në luks, ndërsa ne jemi brezi që ia dolëm mes vuajtjeve. Prandaj duhet punë e madhe edhe në aspektin psikologjik, duhet edhe shumë durim që të arrish aty ku duhet. Duhet edhe t’i prekësh në tela…

Ju kush ju prekte në tela kur luanit në Kombëtare?

Josip Kuzhe. Ish-trajneri i ndjerë.

Çfarë ju ka thënë saktësisht?

Më grumbulloi njëherë kur isha pa skuadër… Gjithë opinioni në Shqipëri e kritikoi, deri diku edhe me të drejtë: “Pse e merr Skelën pa ekip?!” Një ditë para ndeshjes më thirri veçmas edhe më tha:

“Kanë një muaj që flasin për ty që s’ke skuadër. Unë e di potencialin tënd, por tregojua edhe atyre të lutem…”. Zbrita më i karikuar se kurrë në fushë dhe kam bërë dy nga ndeshjet më të mira me Kombëtaren. Kanë qenë ato kundër Bjellorusisë dhe Bullgarisë.

Çfarë i mungon tjetër Shqipërisë sot?

Fryma e të qenit një familje. Eintrahti nisi një strategji 6 vite më parë duke investuar te moshat, por duke kthyer edhe ish-lojtarë që kanë lënë gjurmë në atë klub ndër vite. Natyrisht, duke përzgjedhur edhe karakteret e duhura.

skela

Me kalimin e kohës është krijuar një qetësi shpirtërore, një mirëkuptim i jashtëzakonshëm dhe të gjithë tashmë kanë vetëm një qëllim: ta bëjnë punën sa më mirë dhe të përmirësohen ditë pas dite. Nëse nuk punohet kështu, pra me një strategji afatgjatë, atëherë mendoj se është e vështirë ose e pamundur për të pasur progres. Shembulli më i mirë është Eintrahti për mua sepse në 2018 fitoi kupën e Gjermanisë dhe pak ditë më parë fitoi Ligën e Europës. Madhështore.

A ka ardhur koha për një trajner shqiptar?

Po, pse jo.

Ju a do ta pranonit këtë detyrë?

Jo, ende jo. Më duhet kohë dhe mund të flasim për këtë pas disa vitesh. Tani jam mirë te skuadra U-19 e Frankfurtit. Por dikush tjetër pa dyshim që po.

Kush, sipas jush?

Besnik Hasi. Ka personalitetin e duhur, eksperiencën dhe mbi të gjitha ambicien. Ai e di se çfarë është Shqipëria, si mund të ndërtohen gjërat e mira dhe se si mund të fitohet. Ka qenë fitues si lojtar dhe më pas si trajner. Për mua do të ishte një zgjedhje e mirë.

Keni qarë dy herë për Frankfurtin, po për Kombëtaren a keni qarë ndonjëherë?

Jo, por kam ngelur i shokuar nga fitorja me Greqinë në vitin 2004.

Pse?

Shikoja aq shumë njerëz në rrugë, aq të gëzuar dhe aq të prekur me Kombëtaren, saqë nuk po e kuptoja as vetë se si ndihesha. Më vinte të festoja, pastaj të qaja. Pastaj doja t’i prekja dhe t’i përqafoja të gjithë me shumë dashuri. U bllokova, ishte një ndjesi e çuditshme.

Po si tifoz me Frankfurtin si u ndiet?

Ishte krejt ndryshe. Dikur, kur kishim ndonjë sukses me Kombëtaren ose klubin, thjesht i shihje gjërat nga autobusi. Ndërsa këtë herë me Frankfurtin kam freskuar edhe një herë memorien për sakrificat që bëjnë tifozët.

8a9129cb-63a2-4bf3-8657-8eb8c79fe04e

Ishte e mahnitshme kur shikoje që edhe 5 eurot e fundit në xhep i shpenzonin për të mbështetur skuadrën, për një dekor apo për një udhëtim. Kur shikoja se si merrnin fëmijët me vete, udhëtonin me autobusë drejt Barcelonës apo Seviljes për të mbështetur ekipin. Një dashuri e jashtëzakonshme, por edhe një sakrificë e madhe.

Kur do të ktheheni në Shqipëri?

Nuk mendoj se do të ndodhë tani afër, por një ditë dëshiroj të kthehem. Aty është toka ime, atdheu im dhe kam kujtimet e fëmijërisë. Do të doja të kthehesha një ditë edhe si trajner, por kur të jem gati

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i paautorizuar në çfarëdo mënyre, i këtij artikulli pa lejën e kompanisë! 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"