“Ekipi është larg pretendimeve, të dielën luhet sezoni”, Xhavit Sefa: Lushnja, e dënuar të fitojë kundër Besës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2024 | 15:20

“Ekipi është larg pretendimeve, të dielën luhet sezoni”, Xhavit Sefa: Lushnja, e dënuar të fitojë kundër Besës

Katër javë para përfundimit të kampionatit, lushnjarët ndodhen në zonën e “play-out”-it. Skuadra verdhejeshile është në pikë të barabarta me Besën dhe Burrelin duke ndarë me ta vendet, nga i shtati tek i nënti. Të dielën lushnjarët do të presin Besën në stadiumin “Roza Haxhiu”.

Xhavit Sefa, ish-trajneri i Lushnjës 10

Një përballje e drejtpërdrejtë për të evituar ndeshjen shtesë në fund të sezonit, në lidhje me qëndrimin në Kategorinë e Parë. Verdhejeshilët vijnë pas tri humbjeve radhazi dhe është hera e dytë që ata humbasin tri ndeshje rresht, teksa për herë të parë iu ka ndodhur në tri javët e para të këtij kampionati. Tashmë pritet kthesa e menjëhershme, që të shpëtohet sezoni. Për “Panorama Sport” ish-sulmuesi dhe ish-trajneri Xhavit Sefa thotë: “Lushnjës nuk i lejohet të humbasë 0-4 me Luzin. Aq më tepër që vinte pas dy humbjeve dhe klasifikimi i imponon pikë. Nuk duhet të vazhdohet në këtë mënyrë. Kjo nuk ka asnjë lloj justifikimi.

Ekipi ditën e diel duhet të fitojë me çdo kusht. Është një ndeshje e drejtpërdrejtë dhe skuadra duhet të shpëtojë nga rënia më poshtë. E vetmja mënyrë për t’ia dalë kësaj është fitorja. Ekipi është larg premtimeve dhe pretendimeve, prandaj duhet ta vlerësojë seriozisht situatën. Me qetësi dhe profesionalizëm, verdhejeshilët të vlerësojnë ndeshjen me Besën dhe ta fitojnë.

Personalisht jam shumë i shqetësuar dhe mendoj se shpreh shqetësimin e të gjithë njerëzve të sportit, dashamirësve të Lushnjës. Futbollistët, stafi, bashkia që sponsorizon skuadrën, të bëjnë përpjekje maksimale që ekipi të dalë nga kjo situatë. E vetmja rrugëdalje është fitorja me Besën. Është një ndeshje e drejtpërdrejtë. Lushnja luan brenda, ka mbështetjen e publikut dhe duhet të bëjë maksimumin për të marrë tri pikët”, deklaroi ish-trajneri Xhavit Sefa.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"