“Ekipi është i motivuar”, mesfushori i Lushnjës: Ndeshje e fortë me Besën, por alternativa e vetme janë pikët e plota

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2023 | 13:16

“Ekipi është i motivuar”, mesfushori i Lushnjës: Ndeshje e fortë me Besën, por alternativa e vetme janë pikët e plota

Lushnja u ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve dhe është gati për të luajtur javën e 13-të. Pas asaj humbjeje në Fier, kërkohet kthesa. Dhe luksi i vetëm që u krijohet është faktori fushë dhe tifozët.

lushnja

Do të luajnë në “Roza Haxhiu” dhe në krahë do të kenë edhe publikun. Edhe pse zhgënjimi ka qenë i madh nga rezultati i ndeshjes së fundit, ata nuk do ta lënë në baltë ekipin. Gugash Magani edhe këtë javë duhet të bëjë llogaritë me mungesa. Verdhejeshilëve do t’u mungojnë në këtë takim mbrojtësi Ledion Ruço, që u dëmtua në derbi. Në këtë listë mund të shtojmë edhe sulmuesin Mikel Canka, që ende nuk është rikuperuar plotësisht. Me kontingjent të plotë ose jo, lushnjarët janë të detyruar që të reagojnë. Statistikat nuk i ndihmojnë aspak, kanë vetëm 12 pikë në po kaq javë. Situata rëndohet edhe me zhvillimet e ndeshjeve të djeshme. Lushnjarët humbën terren në tabelë dhe e vetmja formë për të rikuperuar është fitorja.

Këtë e thotë në një prononcim për gazetën “Panorama Sport” edhe mesfushori Dejan Andoni: “Është një ndeshje shumë e fortë, por edhe delikate. Ashtu si ne edhe kundërshtari vjen nga humbjet. Ndodhemi në zonat e poshtme të tabelës. Fitorja ka shumë vlerë. Ne do të futemi në fushë vetëm për të marrë maksimumin. Luajmë në shtëpinë tonë dhe para publikut lushnjar, nuk mund të falim më. Alternativë e vetme jona, janë pikët e plota. Ekipi është i motivuar për të gjetur rrugën e kthesës. Zgjidhje tjetër nuk kemi”.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"