Egnatia miqësore me Apoloninë, tre futbollistë të rrogozhinasve ende me probleme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2022 | 12:22

Egnatia miqësore me Apoloninë, tre futbollistë të rrogozhinasve ende me probleme

Egnatia pauzën e kësaj periudhë pa ndeshje zyrtare të kampionatit, do të nisë ta mbushë me miqësore dhe sot do të luajë në Fier ndaj Apolonisë.

egnatia

Pritet një ndeshje interesante, përtej faktit se në cilën kategori luajnë njëra apo tjetra skuadër. Në bilancin e ndeshjeve miqësore të 18 viteve të fundit janë rrogozhinasit, që dominojnë me shtatë fitore, kundrejt 3 triumfeve të fierakëve në ndeshjet miqësore.

Interesant është fakti që në përballjet e deritanishme nuk ka pasur asnjë barazim. Ndeshja e fundit pak ditë para se të niste ky sezon aktual, ku u takuan në Fier, kaloi me fitoren e pastër të Apolonisë 2-0.

VLERËSIMI – Në kampin rrogozhinas, ku përgatitjet e kësaj periudhe janë duke u kryer me intensitet, momentin e miqësoreve Egnatia kërkon ta shfrytëzojë sa më pozitivisht duke i bërë vlerësimin e duhur. Pritet që sot ndaj Apolonisë të luajnë lojtarët që kanë mbajtur më tepër peshë në 12 javët e para të kampionatit.

Në varësi me ecurinë e ndeshjes, ndoshta edhe të rezultatit, edhe pse në miqësore ka më pak rëndësi, do të përdoret pjesa tjetër e lojtarëve, që kanë pasur më pak minuta në dispozicion në ndeshjet e luajtura në këtë kampionat.

Mungesa të sigurta ka edhe në këtë miqësore, përderisa janë prej disa ditësh në fazë riaftësimi, mesfushori fierak me tipare sulmuese Redon Mihana, sulmuesi Dzon Delarzhe dhe mesfushori beratas Erald Hyseni.

Gjithë pjesa tjetër e futbollistëve do të jenë në dispozicion të trajnerit Shpëtim Duro, duke përfshirë edhe ata lojtarë të rinj, që në mesjavë kishin luajtur në ndeshjen e U-21, që Egnatia e humbi ndaj Kukësit në Lekaj me shifrat 1-3.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"