Egnatia bën rrotacion, Tetova: I jam mirënjohës Edmond Zallës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2023 | 12:15

Egnatia bën rrotacion, Tetova: I jam mirënjohës Edmond Zallës

Egnatia luan sot ndaj Teutës në kushte komode, pasi e ka arritur objektivin në kampionat, duke siguruar vendin e tretë dhe një biletë në Ligën e Konferencës. Trajneri Edlir Tetova, para ndeshjes në Durrës, konfirmoi për “Panorama Sport”, se do të bëjë rrotacion në formacion, duke aktivizuar lojtarë që kanë marrë pak minuta së fundmi, ndërsa mungesë e sigurt është mbrojtësi i djathtë, Aburraman Fangaj, për shkak kartonësh. Në prononcimin për gazetën, krahas ndeshjes së radhës dhe situatës në skuadër, Tetova komentoi edhe suksesin historik, ndërsa i bëri një dedikim special ish-trajnerit të tij durrsak, Edmond Zalla, i cili ka drejtuar Teutën dy dekada më parë.

Tetova

Edlir, çfarë ndjesie morët si trajner në atë minifestë që u bë pas fitores së fundmit me Erzenin, ku siguruat edhe Europën?

Ishte një sukses që u dedikohet të gjithë atyre që ndihmuan dhe kontribuuan fuqishëm, që nga drejtuesit, lojtarët dhe tifozët. Ia dedikoj presidentit Agim Demrozi dhe drejtorit sportiv, Kledi Zenelaj, ndërsa në planin profesional mësuesit tim, ish-trajnerit të shquar durrsak, Edmond Zalla, të cilit i drejtoj një mirënjohje të veçantë.

Sot luani kundër skuadrës së vendlindjes, Teutës, por me ndryshimin që shkoni me objektivin e arritur. Çfarë ndeshjeje prisni?

Te Teuta jam bërë futbollist, por gjithashtu nga ky klub kam nisur edhe karrierën si trajner. Tani kushtet kanë ndryshuar për mua. Futbolli profesionist i ka të zakonshme këto situata, duke luajtur pikërisht kundër skuadrës së vendlindjes. Tek Egnatia kemi shkruar historinë, por tani na duhet edhe më shumë “uri” për të mbajtur ritmin. Objektivi i arritur na motivon për të bërë edhe më mirë.

Krahas Tiranës, një nga skuadrat që ka hasur më shumë vështirësi Egnatia këtë kampionat është pikërisht Teuta. Si e shpjegoni?

Po, ndaj Teutës kemi marrë vetëm dy pikë në tri ndeshjet që kemi luajtur deri më tani. Kjo tregon për vështirësinë reale që ka edhe ndeshja e sotme, por ne do të bëjmë maksimumin për të qenë në nivelin e duhur sportiv, me entuziazmin dhe ambicien që na karakterizon.

Po afron edhe finalja e Kupës ndaj Tiranës, keni nisur që tani punën?

Është akoma shpejt për finalen. Kemi edhe dy ndeshje në kampionat, për të cilat po përgatitemi për të bërë më të mirën tonë. Do të ketë rrotacion në formacion, duke filluar nga sot, por jo me shumë lojtarë. Na duhet ta mbajmë në tonus skuadrën, për të qenë në lartësitë e këtyre momenteve që po kalojmë si në kampionat ashtu edhe në Kupë.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"