Editoriali Nr. 1 i Kampionatit 2023-‘24/ Tituj tronditës që flakin tej futbollistët e rinj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2023 | 20:06

Editoriali Nr. 1 i Kampionatit 2023-‘24/ Tituj tronditës që flakin tej futbollistët e rinj

NGA BEZNIK DIZDARI
Këta këtu janë tituj të shkrimeve të marra nga gazeta “Panorama Sport” të ditëve 4, 5, 6 dhe 7 korrik 2023. Janë shkrime që kanë të bëjnë me ndryshimet, me shitjet e blerjet, me kontrata dhe “rrëmbime” të futbollistëve të skuadrave shqiptare për stinën e re të futbollit, këtë 2023-‘24. Vështrojini:

Besnik-Dizdari

“Elbasani bind Grecën, pritet Edon Hasani”.
“Egnatia, 350 mijë për Xheksonin”.
“Tetë afrime, si do të jetë Vllaznia e Memellit”.
“Teuta, negociata me disa lojtarë”.
“Kukësi, prezantohet Sahitaj”.
“Besa, merkatoja nis nga krahët, firmosin Spahiu dhe Penku”.
“Ndizet Dinamo, pritet Kaçorri”.
“Përforcime te Kukësi, firmos edhe Beshiraj”.
“Vora pret edhe Tafën nga Tirana”.
“Lushnja po lëviz, por duhet akoma merkato cilësore”.
“Dinamo, zyrtarizohet Kaçorri”.
“Firmos Iskandarli, Egnatia një hap larg Ndrecës”.
“Godet Teuta, Fili zbarkon në Durrës”.
“Këto ditë Teuta do të bëjë zyrtar sulmuesin kryeqytetas, Gjumsi”.
“Superxhiro në merkato, vijnë Imami dhe dy të tjerë”.
“Vora, mbërrin edhe gjermani, klubi po pret përgjigje për Tafën”.
“Godet Elbasani, bind Hasanin”.
“Besa nis pazarin në Kosovë, tre lojtarë për prapavijën”.
“Partizani firmos me Taipin”.
“Gvozdenoviç do sulmues, klubi gjen një xhamajkan”.
“Teuta pa frena, vjen edhe Kruja”.
“Rrogozhinasit blindojnë Duamenën, firmos edhe Alesandro Ahmataj”.
“Dinamo siguron portën, blen kartonin e Salit”.

X X X

Kësisoj, gjithçka të duket si terminologji e luftës: “negociata”, “ndezje”, “zbarkim”, “gjerman”, “xhamajkan”, “goditje”, “prapavijë”, “blindim”!…

Siç e shihni, titujt flasin vetë. Ata tregojnë se skuadrat shqiptare, si të ishin klubet më në zë në Europë, dashkan të fuqizohen fort, në të shumtën me lojtarë të tjetërkujt. Sikur të synonin fitimin e Kupave të Europës, ndonëse një vit më parë, në pjesëmarrjen 2022- ‘23, ato ishin të fundit në Europë. Veç dështime! Tash ato janë hedhur në një sulm të paparë për të marrë lojtarë të tjetërkujt. Lexojini me vëmendje këta tituj të shkrimeve dhe e shihni se asnjëri nuk flet për ardhjen e një lojtari të vetëm nga skuadrat e të rinjve të këtyre klubeve shqiptare, të afruar pra, për te skuadra e të rriturve. Çka do të thotë se në klubet shqiptare nuk ka asnjë përparësi që të mund të afrohet një futbollist i skuadrave të të rinjve të qytetit.

Këtu kemi mbërritur.

Dihet, për ne kjo nuk është një temë e re, madje tashmë ajo është një temë e vjetruar. Por që nuk trondit askënd. Është vendosur tashmë: skuadrat e qyteteve shqiptare duhet të përbëhen domosdoshmërish vetëm nga futbollistë të jashtëqytetit të tyre, sa më larg që të jetë e mundur, madje. Vërtet, si hyri kështu në jetën futbollistike shqiptare kjo mënyrë kaq e pamëshirë që godet talentet e qyteteve tona të Tiranës e të Shkodrës, të Durrësit e të Korçës, të Vlorës e të Elbasanit, të Kavajës e Beratit, e deri të Vorës së vogël që dashka lojtarë edhe nga Gjermania!…

Dhe përsërisim pyetjen “antike”: përse janë skuadrat e të rinjve?

Vllaznia, Kampione e Shqipërisë për U21 në edicionin 2022-2023

Vllaznia, Kampione e Shqipërisë për U21 në edicionin 2022-2023

Nuk do ta zgjas. Më është mbushë mendja në një gjë: që fajtorë “të shkëlqyeshëm” janë edhe trajnerët e skuadrave. Ata ndërrohen çdo vit, teksa trajneri i ri që vjen, në të shumtën nuk është prej qytetit të skuadrës, por vjen prej një qyteti tjetër. Ai e di që pa mëshirë mund të shkarkohet jo thjesht në fund të kampionatit, por edhe gjatë kampionatit.

Atëherë? Kërkon lojtarë prej tregut të futbollit që në Shqipëri quhet italisht “mercato”. Kësisoj, ngaqë vetëm kështu mbase mund të zgjasë disa muaj që të jetë trajner i skuadrës në fjalë. Këta trajnerë që merren me bujë, madje të deklaruar përmes njoftimeve të titujve të kubikë të gazetave, as që nuk duan t’ia dinë për skuadrat e të rinjve të qytetit. Nuk duan t’ia dinë nëse humbasin talentet vendëse. Për fat të keq, ata as që i njohin këta lojtarë të ekipeve të të rinjve dhe duket që as nuk duan t’i njohin ata. Dhe të gjithë u nënshtrohen këtyre trajnerëve, shumica e të cilëve nuk qëndrojnë më shumë se 1 vit në këto skuadra.

Janë pra, edhe këta trajnerë, shkaktarë të mospërfshirjes së futbollistëve të rinj në skuadrat e qyteteve. Kjo edhe ngaqë në Shqipëri nuk ka trajnerë të qëndrimit disavjeçarë me skuadrat e qyteteve. E kam fjalën për ata të cilët qëndrojnë aty më gjatë, që ndjekin ekipet e të rinjve, të cilët bashkëpunojnë me trajnerët e këtyre ekipeve, të cilët janë aty, hap pas hapi, në ecurinë disasezonale të këtyre të rinjve. Si të thuash, trajnerë, që dinë t’i bëjnë këta të rinj – ashtu siç ngjiste dikur – titullarë të fuqishëm të skuadrave të qytetit. Dhe fakti që këta trajnerë lejohen të fetishizojnë këtë që quaka “mercato”, prej këtu mandej kalojmë te fajtorë të tjerë me në krye presidentët apo pronarët e klubeve. Se për opinionin qytetar të futbollit, më vjen keq që e them, ky thuajse nuk ekziston prej kohësh në qytetet tona.

Dihet, “tregu i futbollit” ekziston në gjitha vendet e botës dhe shitblerjet e futbollistëve lulëzojnë kudo. Pra, nuk kërkojmë të nxisim ndalimin e këtij tregu në Shqipëri. Vetëm duam të kujtojmë se ky treg, si çdo lloj tregu, pra si dhe vetë kuptimi i çdo lloj tregu, sidomos në një vend të vogël si Shqipëria e një futbolli modest, nuk duhet lejuar të sundojë deri aty sa të mungojë thuajse krejtësisht prodhimi i qytetit përkatës.

Mënyrat për ta fuqizuar këtë treg edhe me këtë prodhim të çmuar, që nuk i ka munguar asnjëherë Shqipërisë, pra mospengimin e formimit dhe të tërheqjes së futbollistëve të rinj, i kemi thënë njëqind e sa herë. Nuk e besoj se i keni harruar. Pra, nuk po i përsërisim. Ndërkohë që nuk mbërrijmë as deri aty sa të themi ndalojeni tregun e futbollit. Ajo që mund të thërrasim deri në kupë të qiellit është kjo tjetra: ndaloni fetishizimin e këtij tregu që po flak tej talentet e futbollit të qyteteve shqiptare.

X X X

E megjithatë, në këto ditë të braktisjes së pamëshirshme që cituam në hyrje të këtij shkrimi, papritmas gjeta edhe një njoftim të llojit tjetër. Është një intervistë e Ermal Sikës me futbollistin e madh të Flamurtarit të Vlorës, Rrapo Taho, i cili thotë:

“E mira do të ishte që të kishim boshtin e skuadrës me lojtarë vlonjatë. Po u realizua kjo gjë, është edhe më e suksesshme. Vlonjatët ndiejnë edhe përgjegjësinë e fanellës. Kështu që do të ishim më të suksesshëm me lojtarë vendës”.

Ky është besimi i madh te talentet e pashtershme të Flamurtarit të Vlorës, besim që më fort se askush e kanë të mëdhenj të tillë si Rrapo Taho. E falënderoj, që më në fund gjeta një mbështetës nga familja e madhe futbollistike, për këtë problematikë, e cila, sa e rëndësishme që është për zhvillimin e futbollit shqiptar! Dhe shkova te Flamurtari i ndeshjes së 1 dhjetorit 1986 në “Nou Camp” të Barcelonës, ndeshje e Kupës së UEFAs, ajo Barcelona – Flamurtari 0-0. Ishte ky Flamurtar:

Lekbello, P.Ruci (Iljadhi 84’), Taho, K.Çipi, Lushaj, Ferko, Zijaj, Ziu, Gjondeda, V.Ruci, (Muça 76’), Bubeqi. Trajner: L.Çuri.

Është një Flamurtar 99.99 për qind vlonjat. (Të “merkatos”, siç i thonë me pasion sot tregut të futbollit, është vetëm Lekbello dhe 14 minuta Muça. Nuk i harrojnë Taho e shokët e tij këto vlera që spikatën në një histori europiane, legjendare për ne. Natyrisht, që nuk i harrojmë as ne.

E pra: a mundet që futbolli i Vlorës, i Shkodrës, i Tiranës, i Durrësit, i Elbasanit, i Kavajës, i Korçës, i Beratit, i Gjirokastrës e të tjerë, të mos lindë e të mos formojë më talente për skuadrat e qytetit të tyre?

Kurrsesi!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"