EDITORIALI I “KATAR 2022″/ Nuk ka më befasi, ka globalizim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2022 | 13:49

EDITORIALI I “KATAR 2022″/ Nuk ka më befasi, ka globalizim

NGA BESNIK DIZDARI
Edhe futbolli kështu. Nuk ka më befasi. Kësisoj, edhe në këtë sport, që gjithnjë e më fort i thonë lojë. Ndërkaq, globalizimi, dihet se ka kuptimin e prirjes së jetës së sotme deri në përmasa botërore, madje në të gjitha fushat e jetës, që i tejkalon kufijtë dhe rajonet.

Besnik-Dizdari

E megjithatë, ky kampionat nisi me ato që ne përherë i quajmë befasi, jo shqip “surpriza”. Deri tash ishin vetëm dy: GjermaniaJaponia 1-2 dhe Argjentina-Arabia Saudite po 1-2. Humbje të kampioneve më të ndritura botërore. Kopje të njëra-tjetrës? Në një vështrim po. 1-0 për Argjentinën me golin e Mesit, por 2-1 për Arabinë Saudite. Dhe 1-0 për Gjermaninë me golin e Gyndoan, por në fund të fundit, 2-1 për Japoninë.

E pra, nuk është befasia që sendërtuan fitoret arabe dhe japoneze, por ajo që dy të mëdhatë, Argjentinë e Gjermani, edhe pse kryesonin, “falën” humbjet. Këto dy ngjarje të rrufeshme besoj se nuk kanë ndodhur asnjëherë kaq të ngjashme në prologun e Kupës së Botës. Ose kanë ndodhur krejt ndryshe, pra jo në prolog, por në finale, vetëm një herë, në atë të edicionit 1954, kur Hungaria e Pushkashit kryesonte me Gjermaninë 2-0. Dhe mandej gjermanët që shkojnë deri në 3-2 dhe rrëmbejnë në mënyrën më absurde titullin ndaj Hungarisë legjendare të Gusztav Sebes: Grosics, Buzansky, Lorant, Lantos, Bozsik, Zakarias, Czibor, Kocsis, Hedegkuti, Puskas, Toth!

E Gjermania ishte thjesht një skuadër krejt “e zakonshme”, e cila vetëm 13 ditë më parë qe mposhtur 8-3 po prej kësaj Hungarie. Dhe mû për këtë, kthesa gjermane në finalen dramatike të Bernës më 4 korrik 1954 ishte befasia më e papranueshme në histori. Ndoshta fitorja e SHBA-së më 1954-ën 1- 0 ndaj Anglisë dhe ajo po 1-0 e Koresë së Veriut më 1966 ndaj Italisë, mund të hyjnë në ngjashmërinë e rastit Arabi Saudite & Japoni 2022.

Sot futbolli është globalizuar, ose për të folur me gjuhën e vjetruar të komenteve, na duhet të themi përsëri, se “janë barazuar forcat, dhe nuk ka më skuadra të mëdha apo të vogla”. Monotone kjo.

Dhe fakti i fakteve: FIFA e ka çuar Kupën e Botës në një vend me vetëm 2.9 milionë banorë dhe me një sipërfaqe 11.000 km2, vetëm pak “metra” më shumë se veriu i maleve të Shqipërisë. Për më tepër bash në pragdimër. Qenka ky Katari pra, e edhe kjo ndoshta duhet të na hyjë te globalizimi i futbollit. Ndonëse nuk harrojmë që Katari është një ndër vendet më të pasura të botës. Përveçse shtet islamik. Kjo do të thotë se edhe organizimi i kampionatit për herë të parë në një shtet islamik, shkon për te globalizimi.

Dhe një tufë temash të tjera:

A ka më shkolla origjinale të futbollit? Braziliane apo angleze, holandeze apo transalpine, iberike apo danubiane, italike apo gjermanike? Kanë “marrë fund” të gjitha? Ndoshta janë njëtrajtësuar deri aty sa s’ka ku shkon më. Nuk ka më risi, nuk ka më futboll total si i Holandës së Krujfit. Total janë bërë të gjithë. E shihni se sa pak flitet për taktikën. Sepse taktika është unifikuar deri te të gjithë. Po a vërtetë kështu është?

Kjo pyetje të lind kur kujton tri rezultate, si të thuash, të kundërt me dy të parët: Anglia-Irani 6-2, Franca-Australia 4-1 dhe sidomos Spanja-Kosta Rika 7-0. Paska edhe skuadra “të vogla”. Çka për një çast të duket se e cenon mendimin tonë globalist.

Nejse! Të gjitha këto hanë diskutim. Por një gjë është fort e vërtetë. Që megjithatë, futbolli është globalizuar. Me një përjashtim: që roli i individit prapë merr përparësi. Shpesh deri aty sa që mund të cenojë edhe sundimin prepotent të lojës kolektive, pa të cilin futbolli nuk ka kuptim. Më mbeti në mendje një gjykim, që do ta quaja disi analitik, i përcaktuar prej atij, të madhit, që mungon në Botëror: Karim Benzema.

Përgjigjet ai në intervistën tradicionale të “France Football” si fitues i “Topit të Artë” 2022: “Instinkti a është një mënyrë për të fituar realitetin apo i parapërcaktuar? Ke përherë një mendim që të shtyn të bësh një truk, një marifet. Më pas ti zgjedh. Unë zgjedh instinktin dhe e bëj. Ka ndodhur kur kam pasur një ‘ndoshta’, dhe kam humbur. Por instinkti im ka të bëjë me gjuajtjen, përfundimin. Pjesa tjetër është avantazhi i ndjeshmërisë. Unë kam ndjeshmërinë e aksionit dhe përmes lëvizjeve parashikoj zhvendosjen e mbrojtësit tim. Goli i tretë përballë PSG-së ishte vërtetë instinkt. Vrapoja, ‘clac’ (ai përplas duart), jashtë! Mund të vendosja në pjesën e sheshtë këmbën, trupi ishte pak i përkulur dhe instinkti më tha: ‘nga jashtë’! Unë vazhdova rrugëtimin tim e topi nuk kishte hyrë ende në portë kur unë nisa të festoj. Ky është instinkti”.

Duke u kthyer te “Katar 2022″,ndoshta instinkt ishte edhe goli madhështor i Riçarlisonit të Brazilit ndaj Serbisë. I thirri instinkti. Ndoshta individualizmi. Edhe ky në jetën e sotme bën pjesë te globalizimi. Përherë nuk i ikim rolit të individit në histori. Dikur thuhej ose titullohej:”Mësimet e Botërorit”. Mirëpo, edhe kjo sot është mjaft e vjetruar. Nuk ke se çka mëson. Më saktë: “mësimet” janë krejt të hapura e të qarta. Mjafton t’i përvetësosh.

E megjithatë, nuk mund të jenë të gjithë njëlloj. Ndryshimet i gjen edhe te globalizimi. Shtet i vogël e shtet i madh, shtet i varfër e shtet i pasur, mendje e madhe dhe mendje e cekët.

Po përse e çuan Kupën e Botës në Katar? Përse pra? Pyetje kot së koti edhe kjo. E çuan për paratë dhe vetëm kaq. FIFA që para pak kohësh na doli “e pandershme”, tash me dokumente të reja mund të shndërrohet si e ndershme, pikërisht në një botë mikroskopike që quhet Katar!?

Mjaft! T’i lëmë këto dhe të kujtojmë, se në fund të fundit, futbolli është një lojë. Madje gjithnjë e më rrallë po e quajnë sport. Por është loja më unike e historisë së njerëzimit. Lojë miliardash, që përmenden shumë më tepër se golat, se taktika, se teknika. Ndonëse vetëm goli i Riçarlisonit të duket se i përmbys të gjitha këto.

Ndoshta instinkti i jep vlera artistike futbollit të sotëm, vlera që rrezikojnë të humbasin prej fjalorit të pamëshirshëm të shitjeve, blerjeve, të “merkatos”. “Merkatoja” – së cilës në shqip i thonë “treg”- që europianizoi deri edhe futbollin spektakolar të Brazilit. Të presim megjithatë…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"