Pa Korçë, Vlorë, Elbasan, Berat, Gjirokastër e Kavajë editoriali më “dështon”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2023 | 19:11

Pa Korçë, Vlorë, Elbasan, Berat, Gjirokastër e Kavajë editoriali më “dështon”

NGA BESNIK DIZDARI
E kam fjalën për Skënderbeun e Korçës, Flamurtarin e Vlorës, AF El basanin e Elbasanit, Besën e Kavajës, Luftëtarin e Gjirokastrës, Tomorin e Beratit – skuadra, të cilat, edhe pse janë simbole të kampionatit të Shqipërisë, nuk bëjnë pjesë në të. Pa harruar Dinamon e Tiranës – 18 herë kampione e Shqipërisë, 9 herë nënkampione e 11 herë e treta në podiumin e titujve.

dinamo skenderbeu

Kësisoj, editoriali vjen e më bëhet fort i vështirë. Janë 7 skuadra të cilat në renditjen e të gjitha kampionateve të Shqipërisë të plot 94 vjetëve jetë, bëjnë pjesë në 12-shen më të mirë historike. Renditja që përcaktohet sipas arritjes së tri vendeve të para në të gjitha kampionatet. Është kjo:

1. SPORT KLUB TIRANA / Tirana
2. DINAMO / Tiranë
3. PARTIZANI / Tiranë
4. VLLAZNIA / Shkodër
5. SKËNDERBEU / Korçë
6. TEUTA / Durrës
7. AF ELBASANI / Elbasan
8. FLAMURTARI / Vlorë
9. KF KUKËSI / Kukës
10. BESA / Kavajë
11. TOMORI / Berat
12. LUFTËTARI / Gjirokastër

Çka do të thotë se na mungojnë (janë vendosur me germa “bold”) plot 7 skuadra të tilla, pra më shumë se gjysma e themeleve dhe lartësisë së kampionateve të Shqipërisë!

Dhe editoriali që më bëhet krejt i vështirë! Kjo ngaqë prej fjalësit dhe emërorit të tij më zhduket futbolli i pashlyeshëm korçar, ai vlonjat, ai elbasanas, ai beratas, ai gjirokastrit, ai kavajas, ai dinamas. Dhe me keqardhje më duhet të them se për këtë katastrofë, me sa shoh, mërzitem vetëm unë me nja 100 vetë të tjerë gjithsej. Nuk përjetoj askund, me në krye bashkitë përkatëse, ndonjë mërzi te njerëzit që i drejtojnë këto skuadra historike, tash në Kategoritë e Dyta, madje edhe në të Treta. Po a vërtet ata janë njerëzit e duhur për t’i drejtuar këto skuadra të lavdishme të qyteteve kryesore të Shqipërisë? Apo ata janë të nënshtruarit më shembullorë të FSHF-së?

Nuk e di. Di vetëm se ata heshtin. Heshtin keqas. Heshtin, edhe pse kampionati me 10 skuadra ka dështuar me kohë, e ata nuk kërkojnë shtimin, zgjerimin e tij, siç e kemi pasur përherë. Dhe sa shpejt që harruan kur para nja tri vitesh e kërkuan këtë zgjerim. Heshtin, sepse duket që i janë nënshtruar po keqas diktaturës së FSHF-së.

Heshtin ndoshta edhe sepse kështu, duke i pasur skuadrat në kategori të ulëta, ata konsumojnë shumë më pak financa. E, kushedi se për çka tjetër heshtin. Ndoshta heshtin, ngaqë nuk arrijnë të kuptojnë që për herë të parë në histori ky është 50 për qind kampionati kombëtar i qendrave të vogla të banimit të Shqipërisë: Kukës, Ballsh, Laç, Krujë, Shijak, Rrogozhinë! Harrojnë se kështu, i cenuar keqas në gjeografi, në demografi, në përfaqësimin e vërtetë kombëtar, në kujtime, në traditat, në ngjarjet, në titujt – e gjithë kjo ka shuar shpirtin e vërtetë qytetar, sociologjik e “anagrafik” apo gjeopolitik të një atdhetarie, që dihet se mëkohet edhe përmes sportit të futbollit.

Kësisoj, gjithë çka përsiata, ma mpakë edhe editorialin tim tradicional, ma varfëron fjalorin e personazhet e një kujtese kombëtare, deri aty sa gati-gati më bëjnë të heq dorë prej tij. Mirëpo, ja që e paskam të vështirë të heq dorë…

Dhe kërkoj me mundim të madh, të merrem me atë çka, bie fjala, ndodhi pas javës së 21-të të këtij kampionati, datuar i vitit 2023 të shekullit XXI, kur fitorja e Vllaznisë ndaj Sport Klub Tiranës na e paska hapur kampionatin. Ndërsa unë me kokëfortësinë e fakteve, them që jo. Nuk e ka hapur aspak. Sepse me mungesat e skuadrave të qyteteve të mësipërme, vetvetiu ky kampionat është mbyllur “hermetikisht”.

Fitorja e Vllaznisë qe e bukur vërtet, dhe më duket që, për fat të madh, kjo qe ndeshja më e bukur e kampionatit. Jo vetëm për këmbënguljen shkodrane, por po aq edhe për këmbënguljen shembullore të Sport Klubit për të mos humbur. E, ai nuk desh të dorëzohej deri në fund. Humbja minimale e tij, nuk është një dorëzim. Është një lloj pranimi edhe i forcës së publikut të stadiumit kombëtar “Loro Boriçi”, i cili në këtë varfëri shqiptare, gati-gati të turpshme, të mungesës së spektatorëve në stadiume, ai befasoi me bukur nja 6000 të tijtë. Ishte si një lloj sfide, në të vërtetë një lloj revolte kundër organizimit krejt të papranueshëm të kampionatit.

Ndërkohë, nga vështrimi disi teknik, çuditem se si ndodhi që një ndeshje kaq e hapur, kaq tërheqëse, me sulme e gjuajtje të bukura, me lirshmëri e elegancë aksionesh prej të dyja palëve, ajo prodhoi vetëm 1 gol. Madje, edhe ky me 11-metërsh. Ky episod bëri që, sidomos mjetet e informacionit apo të medias, veçan ato televizive dhe të sunduara deri në skaj prej “autorësh” kryeqytetas të lidhur me klubet e tij, të merren pra, pa u ndalur. Madje, pati edhe nga ata, të cilët me një lloj prepotence e mohuan dhënien e këtij 11-metërshi, edhe pse ai qe një 11-metërsh klasik, siç u pa njëqind herë. Fati e desh që e pakta nja katër gjyqtarë-analistë e argumentuan bukur e mirë drejtësinë e dhënies së këtij 11-metërshi. E ky qe një unanimitet vërtetë i rrallë. Me siguri ata e dinë fort mirë se 11-metërsh jepet kur:
– Kërcen mbi një kundërshtar.
– Kur markon në mënyrë të dhunshme ose të rrezikshme.
– Kur trysnon nga mbrapa, duke e penguar me forcë kundërshtarin.
– Kur godet kundërshtarin, e madje edhe kur përpiqesh ta godasësh.
– Kur e mban atë që të mos lëvizë.
– Kur e shtyn.
– Të gjitha këto gabime, nëse kryhen në zonën e 11-metërshit, e detyrojnë gjyqtarin të fishkëllejë për ta miratuar dhënien e tij.

Tjetër temë mandej, ndalimi i topit me një dorë ose krah, por edhe më…

Këto përbëjnë, pak a shumë, kuintesencën e 11-metërshit, të cilat thuajse të gjitha ndodhën në rastin e ndeshjes së Shkodrës. Dhe këto nuk i thotë autori i këtushëm, por rregullorja e 11-metërshit, që ka lindur qysh më 1890.

Ndërkaq, duke u ndalur te renditja e kampionatit, ta do mendja se një rivalitet paksa të ri të kampionatit, veç ky 11-metërsh nuk e krijoi. E krijoi loja më e mirë e Vllaznisë dhe përgjigjja dinjitoze e lojës së kryesueses Sport Klub Tirana, e cila si “njohëse” e mirë e futbollit, nuk ka arsye të tronditet aspak.

Dhe? Gjysma e skuadrave, plot 5, janë në vetëm 3, 5 e 6 pikë ndryshim midis vetes. Për ta kuptuar këtë ngushtësi po i kthehemi rregullit të dikurshëm që jepte 2 pikë për fitoren dhe pesëshja do të renditej kështu:
SK Tirana 26 pikë, Vllaznia 24, Partizani 24, KF Laçi 22, Erzeni 21.

Kuptohet që kjo është një renditje e përkohshme, por e cila i jep kampionatit mundësinë, që garën ta zbukurojë sado pak. Ai do edhe 15 javë që të përfundojë dhe mëtueset e titullit, tash për tash, në dukje të jashtme, janë e pakta tri: SK Tirana – Vllaznia – Partizani. Nuk mund të parashikojmë nëse do të jenë të vetme apo mund t’ua prishin planet edhe një Laç apo edhe një Erzen. Pa harruar se edhe pesëshja e dytë nuk duket fort larg, sidomos kur sheh largësinë krejt të vogël në atë që po e quaj “rruga Egnatia” (27 pikë) – KF Kukës (25) – Teuta (23). Të cilave u duhet të ruajnë përditë forcën e kujtesës që pa mëshirë u thotë se nga kategoria nuk bien 2, por mundet edhe 3 skuadra! Kjo ngaqë drejtimi i futbollit në Shqipëri, më fort ka dëshirë të përjashtojë sesa të ofrojë rritje e zgjerim, teksa kërkon që mundësisht të përjashtojë deri dhe 3, prej një kampionati me vetëm 10 skuadra, që do të thotë 30 për qind të tyre. Ky është “origjinaliteti” i organizimeve shqiptare, që nuk e sheh askund tjetër në Europë.

Është vërtet interesante, se si ndodh që askush prej drejtuesve a pronarëve me skuadrat e tyre në kampionat nuk bëzan, nuk revoltohet, nuk kërkon, nuk kritikon. Çka të bën të mendosh edhe për një lloj heqjeje të së drejtës deri të vetë fjalës, siç ndodh në regjimet diktatoriale. Këtë nënshtrim të skajshëm e vërteton edhe heshtja për shuarjen e Ligës Profesioniste Kombëtare të Futbollit – që do të ishte pavarësia e plotë e vetë lirisë për skuadrat shqiptare.

Nuk e di nëse vërtet mund të ketë mirëfilli një shpresë me këtë heshtje “të frikshme”…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"