Kush na i boshatisi stadiumet…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2023 | 21:04

Kush na i boshatisi stadiumet…

NGA BESNIK DIZDARI
Java e 23-të e Kampionatit të Shqipërisë 2022-‘23 dha 3 rezultate tronditëse. Humbën tri kryesueset, dy prej të cilave, SK Tirana, e sidomos Vllaznia, asisoj duken si të papranueshme. Aq më tepër që edhe kryeqytetasit, edhe shkodranët luajtën në fushën e tyre, pa harruar se një ditë më parë kishin mësuar humbjen e rivalit Partizani me KF Kukësin. Humbën prej Teutës, deri para pak kohësh e vendeve të fundit, dhe prej Kastriotit, plotësisht i fundit. Shto këtu humbjen e kryesueses tjetër, Partizanit, prej skuadrës së parafundit, që ishte KF Kukësi.

Besnik-Dizdari

Mendova se për këto tri humbje do të buçisnin pakënaqësitë, revolta tifozësh, replika të ashpra, mërzi të skajshme futbollistike. Jo! Nuk ndodhi asgjë e kësaj natyre. Madje, duke parë lojtarët humbës teksa dilnin nga fusha, në fytyrat e jo pak prej tyre nuk shihej ndonjë tronditje emotive që sjell humbja e një ndeshjeje prej një kundërshtari më të dobët?!…

Kampionati i Shqipërisë ka humbur forcën e tij vitale, ndjenjën e lartë të përgjegjësisë, vetëkritikën. Për të mos shkuar te personaliteti i tij si gara më e rëndësishme sportive e kombit.

Dihet ndërkaq, nëse në një kampionat futbolli nuk ndodhin kësi ngjarjesh befasuese kur të fundit fitojnë ndaj të parëve, ai do të dukej si një kala e paprekshme. Mirëpo, ndoshta jo deri këtu, në këtë lloj qetësie, e skajshme, që kurrsesi nuk duhet quajtur “olimpike”, për të cilën, siç thonë në Shkodër, “askush nuk e xen kryet”. Dhe ja që edhe në këtë rast shkojmë te dukuria, më saktë te shkaku i shkaqeve. Do t’i futem një statistike përmbajtjesore të këtij kampionati për të prekur përsëri sëmundjen kryesore të tij, çka nuk është thjesht niveli mesatar a i ulët i ndeshjeve të tij, shpesh dhe krejt të zbehta në gjithçka: në ritëm, në teknikë e taktikë, në pasion e kthesa, në përgjegjësi loje.

Dhe ja se çka del:

Nga 115 ndeshje të kampionatit të zhvilluara deri tani, 44 ndeshje janë fituar nga fusha vendëse dhe 42 ndeshje në fushën kundërshtare. Për ta kuptuar edhe më mirë, theksoj se kemi 44 ndeshje të fituara nga skuadrat vendëse dhe 42 ndeshje nga skuadrat mike. Edhe më tej kjo do të thotë se vetëm 2 ndeshje më shumë janë fituar nga skuadrat vendëse. Ose pa iu mërzitur në këtë theksim të faktit, vetëm 38.26 për qind e ndeshjeve janë fituar prej skuadrave vendëse dhe 36.52 për qind prej skuadrave mike. Thuajse një raport barazie e bujshme, natyrisht. Çka po e shtjelloj më poshtë. E gjithë kjo përbën një rast krejt të jashtëzakonshëm për të gjitha kampionatet kombëtare të Europës. E pra, cila mund të jetë arsyeja që në Kampionatin e Shqipërisë fusha vendëse qenka kaq e dobët, kaq e dorëzueshme? Kjo ngaqë kemi të bëjmë me skuadra krejt të barabarta? Mbase profesioniste të vërteta që nuk i trondit aspak fusha kundërshtare? E pra, kjo nuk është aspak e vërtetë. Kjo përqindje kaq e barabartë – 44 ndeshje fitore brenda përballë 42 fitoreve jashtë, ka një arsye tjetër, që natyrisht edhe mund të marrë diskutim. Megjithatë, na duhet të pranojmë se kryeshkaku i kësaj barazie të pashembullt anormale, madje deri në rang europian, vjen sepse në Shqipëri forca e fushës vendëse po merr fund.

Dhe ja ku dalim te pyetja tjetër: përse po merr fund?

Përgjigjja është krejt e thjeshtë: po merr fund ngaqë nuk vijnë spektatorët të mbështesin skuadrën e tyre në qytetin e tyre. Dhe stadiumet thuajse janë të boshatisura. Kjo do të thotë se skuadra mike nuk ndodhet assesi përballë trysnisë që shkaktojnë tribunat e mbushura me spektatorë vendës, që ta marrin frymën në gjithçka: në britmat e jehonës së pamëshirshme, në mbështetjen e papushueshme, si të thuash, në një lloj kundërpeshe që e mpak kundërshtarin.

Kampionati i Shqipërisë ka mbërritur deri aty saqë skuadra mike nuk e ka frikë aspak stadiumin kundërshtar, nuk ka frikë asnjë trysni vendëse, sepse kjo sot thuajse nuk ekziston më. Deri aty, saqë shpesh i duket se po luan në fushën e vet (e edhe kjo me tribuna thuajse bosh) përderisa thuajse nuk u dëgjohet zëri tifozëve të paktë në numër të stadiumit vendës.

Ishte vërtet shembullore pamja e tribunave të stadiumit “Air Albania” të Tiranës dhe atyre të stadiumit “Loro Boriçi” të Shkodrës. Boshësi, boshësi dhe vetëm boshësi. Më saktë, as 1500 shikues në stadiumin e Shkodrës me 16.000 vende dhe po rreth nja 1500 shikues në stadiumin “e famshëm europian” të Tiranës me 22.000 vende! Dhe kjo ndodhte me spektatorët e dy skuadrave që kërkojnë titullin e kampionit! Për të 5 ndeshjet e kësaj jave mesatarja e spektatorëve për ndeshje ishte rreth 1000 apo më pak për ndeshje. Mjerim!

Kushedi sa herë është trajtuar problemi i mungesës së spektatorëve në këtë gazetë dhe jo vetëm nga autori i këtij shkrimi. Është trajtuar 100 herë, duke përdorur një hiperbolë që më duhet ta quaj realiste, ndonëse hiperbolë realiste nuk mund të ketë. Paska hiperbolë, si të thuash, figurative, për të theksuar, si në këtë rast, një shterim të skajshëm.

* * *

Dhe shkojmë te historia.

Është viti 1985. Dhjetor 1985. Një ndër revistat më të mëdha në botë, anglezja “World Soccer” organizon një hetim studimor, duke zbërthyer deri në imtësi se sa shkojnë europianët në ndeshjet e kampionateve të tyre kombëtare. Doli kjo e dhënë:

1. Italia 39.035 spektatorë për ndeshje.
2. Spanja 33.397 spektatorë për ndeshje
3. BRSS 22.523 spektatorë për ndeshje
4. Anglia 20.517 spektatorë për ndeshje
5. Rumania 19.102 spektatorë për ndeshje.

E kështu me radhë, plot 25 shtete. Kohë tjetër. Ndërkohë, “La Gazzetta dello Sport” e Milanos i bën një theksim të mëtejshëm studimit të revistës angleze, teksa titullon: “Mos është i sëmurë futbolli? Vetëm në Itali vazhdon bumi”.

Mos harroni: jemi 38 vjet më parë. Nuk jemi si sot, ku prania e spektatorëve, sidomos në vendet perëndimore, ka mbërritur në përmasa të paimagjinueshme.

Dhe ja ku na mbërrin befasia e madhe.

“WorldSoccer” e rendit Shqipërinë në vendin fort të nderuar asokohe: Shqipëria renditet në vendin e 17-të duke shënuar se ndeshjet e Kampionatit të Shqipërisë ndiqen mesatarisht nga 6686 spektatorë për ndeshje! Dhe nuk mjaftohet me kaq.

“Sipas kriterit tonë, – shkruante drejtori i “World Soccer”, Keir Radnedge, – rekordi i takon Shqipërisë me 3.74 spektatorë në 100 banorë”. Edhe pse nuk kemi mundur të verifikojmë të dhënat e marra nga e përjavshmja “Sporti Popullor”.

Dhe “La Gazzetta dello Sport”, e cila i kushtonte shumë vend këtij studimi në numrin e saj të 18 dhjetorit 1985, vendos dukshëm një shkrim statistikor të veçantë, kreun e të cilit, siç e shihni, e keni bashkangjitur këtu në botimin anastatik, të cilin e titullon:

“Shqipëria: në 100 banorë të saj çdo të diel 4 prej tyre shkojnë në stadium”.

Dhe shkruan:

“Surprizë! Është Shqipëria, mundësisht kombi europian më pak i zhvilluar (jo vetëm në aspektin futbollistik) ajo që udhëheq renditjen relative në raportin spektatorë/popullsi. Shifra e saj 3.74 për qind (që do të thotë se për çdo 100 banorë 3.74 prej tyre shkojnë në stadium), është dy herë më shumë sesa e spektatorëve në Skoci, e cila është e dyta në renditje. I ndjekin Spanja, Greqia dhe Rumania….”

Më poshtë vazhdon renditja ku pesë të parët e mesatares së spektatorëve për 100 banorë që shkojnë në stadium, janë:

1. Shqipëria 3.74
2. Skocia 1.79 3.
Spanja 1.72
4. Greqia 1.60
5. Rumania 1.56

Dhe vazhdohet deri në 25 shtete të Europës.

NGA FAQJA E “LA GAZZETTA DELLO SPORT”, 18 DHJETOR 1985. Është frontespic i shkrimit me renditjen e numrit të spektatorëve për 100 banorë. Me titullin: “Shqipëria: në 100 banorë të saj çdo të diel 4 prej tyre shkojnë në stadium”.

NGA FAQJA E “LA GAZZETTA DELLO SPORT”, 18 DHJETOR 1985.
Është frontespic i shkrimit me renditjen e numrit të spektatorëve për 100 banorë. Me titullin: “Shqipëria:  në 100 banorë të saj çdo të diel 4 prej tyre shkojnë në stadium”.

Nuk jemi naivë që sot të kërkojmë që në Shqipërinë tonë të kemi mesatarisht 6686 shikues për ndeshje, siç ndodhte më 1985- ën. Asokohe shqiptarët veç sportin e stadiumet kishin. Të izoluar tejet ata nuk kishin aq fort çka të bënin diçka tjetër. Sot rinia shqiptare ka edhe shumë gjëra të tjera për të bërë, për t’u çlodhur e për t’u argëtuar. Por që ne të arrijmë deri në këtë boshësi, si bie fjala e kësaj jave të shkurtit 2023 ku në 5 ndeshjet e zhvilluara, prania e spektatorëve ishte vetëm 1000 për ndeshje, kjo është pak t’i thuash skandal. Ky është mjerim i mospranisë, braktisje e jashtëzakonshme e ndeshjeve të Kampionatit të Shqipërisë. Dhe fakti që Federata Shqiptare e Futbollit nuk publikon prej vitesh numrin e spektatorëve të pranishëm sipas biletave të shitura, vetvetiu kjo të çon te “fshehja” e të vërtetave për këtë mospranim.

Kujtoj se ka qenë një gabim i madh që për dekada shtypi sportiv në Shqipëri të mos botonte numrin e spektatorëve në ndeshje. Nuk kam vonuar, por me emërimin si kryeredaktor i “Sportit Popullor”, ne e detyruam FSHF-në që çdo javë të bashkërendonim numrin e spektatorëve në ndeshje. Kjo sipas biletave të shitura, e mbase duke rrumbullakosur paksa me ata spektatorë që hynin pa pagesë në stadiume.

Le të bëjmë pra një krahasim me atë kampionat të sezonit në fjalë, atij të vitit 1985-‘86. Ka qenë një kampionat me 14 skuadra. Dhe? Vetëm 34 ndeshje janë fitore në fushën kundërshtare dhe plot 95 ndeshje janë fitore të fushës vendëse. Ndryshe kjo do të thotë se 52.19 për qind e fitoreve i përkasin fushës vendëse dhe vetëm 18.68 për qind e fitoreve skuadrave mike (të fushës kundërshtare).

Epërsia e forcës së fushës vendëse asokohe ka qenë tejet e qëndrueshme. Dhe kjo, mbi të gjitha, për shkak të pranisë së shumtë të spektatorëve vendës, të cilët nuk pushonin përmbi 90 minuta të tëra.

Ndërsa sot, prej braktisjes së spektatorëve, ka marrë fund edhe forca e fushës vendëse.

* * *

Sigurisht këtu ka peshën e vet fort vendimtare edhe “përjashtimi” (se përjashtim është) nga kampionati kombëtar i qyteteve më të mëdha. Me Vlorë, Korçë, Elbasan, Berat, Kavajë, Gjirokastër, Lushnjë apo Fier. Është vështirë ta gjesh gjeografinë e pasur të kampionatit të vitit 1985-‘86, përbërja e të cilit, duke i rreshtuar skuadrat sipas renditjes përfundimtare, ishte kjo:

DINAMO e Tiranës, FLAMURTARI i Vlorës, 17 NËNTORI i Tiranës, PARTIZANI i Tiranës, LOKOMOTIVA e Durrësit, VLLAZNIA e Shkodrës, APOLONIA e Fierit, LUFTËTARI i Gjirokastrës, TRAKTORI i Lushnjës, TOMORI i Beratit, LABINOTI i Elbasanit, NAFTËTARI i Qytetit Stalin, BESËLIDHJA e Lezhës, SHKËNDIJA e Tiranës.

DHE VËSHTRONI: JAVA E 8-të, 10 NËNTOR 1985:
BESËLIDHJA – VLLAZNIA 0-1 Spektatorë: 5000
LOKOMOTIVA – DINAMO 0-0 Spektatorë: 12.000
FLAMURTARI – TRAKTORI 5-0 Spektatorë: 6000
17 NËNTORI – SHKËNDIJA 2-0 Spektatorë: 6200
TOMORI – NAFTËTARI 2-0 Spektatorë: 11.000
PARTIZANI – APOLONIA 3-2 Spektatorë: 6500
LUFTËTARI – LABINOTI 1-0 Spektatorë: 4000

Çka do të thotë se në ndeshje kanë qenë 50700 spektatorë, pra mesatarisht 7242 spektatorë për ndeshje. Kjo do të thotë se vetëm në 1 ndeshje të 10 nëntorit 1985 ka pasur spektatorë më shumë se të gjitha ndeshjet së bashku të 24/25 shkurtit 2023!

Do të dëshiroja t’i them sot gazetarit të madh anglez Keir Radnedge me të cilin jam takuar vite më parë në kongreset e AIPS (e, ai ende sot 75-vjeçar, në çdo numër të “Word Soccer” shkruan editorialin e tij) se këto shifra kaq të larta të Kampionatit të Shqipërisë 1985-‘86 janë më e pakta mbi 90 për qind të sakta. Bileta që nuk ndalnin së shituri edhe për faktin se tribunat nuk ishin me vende të ndara si sot. Numri i biletave të shitura, e pakta mbërrinte në redaksi jo më vonë se 24 orë pas përfundimit të ndeshjeve. Dhe kur gazeta jonë, “Sporti Popullor”, doli të hënën, pra disa orë pas së dielës së përfundimit të ndeshjeve, numri i spektatorëve pas verifikimit më të mundshëm, për të qenë sa më të saktë, të shumtën nuk botohej të hënën, por të martën.

Ndërsa sot është vërtet e çuditshme, e rëndë, tejet e rëndë që na i çuan punët deri në këtë “derexhe”, siç e themi në turqisht!(Në shqip, sipas “Fjalorit të orientalizmave në gjuhën shqipe” të të paharrueshmit Tahir Dizdari, kjo përkthehet “deri në këtë shkallë apo gradë”).

Sigurisht, ndonëse fenomeni i boshatisjes së fushës vendëse prej spektatorëve po vendës është një faktor parësor, nuk i harrojmë të tjerat. Kësisoj, përveç “përjashtimit” prej kampionatit të skuadrave të qyteteve më të mëdha, ka dhe shkaqe të tjera, pra. Është niveli i ulët i kampionatit, braktisja e elementit të ri të talentuar, që dikur sillte familje të tëra në tribunat e stadiumeve. Pa shkuar tek organizimi më i çuditshëm në Europë i ndeshjeve të Kampionatit të Shqipërisë. Dhe këtu po jap një shifër të freskët: në të tria kategoritë e kampionateve të javës që shkoi, siç pashë në njoftimet e gazetës “Panorama Sport”, plot 20 ndeshje u luajtën në orën 13.00! Ndërkohë që edhe dy ndeshjet e kësaj të marte për Kupën e Shqipërisë, u luajtën po në orën 13.00! Mënyrë e mrekullueshme kjo për t’u thënë shqiptarëve: “Mos shkoni në stadium!” E natyrisht për të mos u merakosur aspak për humbjen deri sa s’ka ku shkon më të të ardhurave nga mosprania e spektatorëve në zhvillimin e ndeshjeve.

Edhe për këtë problem të mprehtë kritikat kanë qenë të pafundme. As që duan t’ia dinë. Dhe më e rëndësishmja: as që denjojnë të shpjegojnë përse i zhvillojnë 20 ndeshje në orën 13.00 të drekës. Meritojnë rreptësinë e sistemit të dikurshëm diktatorial, prej frikës së të cilit as guxoje të veproje kështu. Dhe braktisja e spektatorëve shkon paralel me braktisjen që u kanë bërë federatave sportive qeveria, ndonëse ajo ka një ministri edhe për këto punë. I ka lënë të bëjnë çfarë t’u teket. Jo çka kërkon sporti i sotëm modern. Pa harruar se edhe vetë kjo qeveri është një “mbështetëse” e kësisoj dukurish të padëshirueshme. Kujto ndërkohë, shpërndarjen absurde të mbështetjes financiare të vitit për federatat sportive.

Dhe 20 ndeshje në orën 13.00 për të gjithë, anekënd gjithë Shqipërisë!

Shkova te shumica e ndeshjeve të kampionateve të shteteve të tjera të Europës. Kishte vetëm 1 ndeshje në orën 12.30, por 99 për qind të ndeshjeve ishin në orare që varionin nga ora 15.00 e përtej. A vërtet Shqipëria është kaq e zonja, kaq novatore në organizimin e zhvillimit të ndeshjeve të kampionatit të saj saqë do t’i thotë Europës “mësoni prej meje”?

Për më tej “no comment!” Nuk ia vlen. Nën indiferencën e qeverisë shqiptare, prepotenca vetjake po kap majat edhe në sport. Vazhdoni të punoni kështu, për ta larguar gjithnjë e më fort spektatorin shqiptar prej kampionatit të tyre kombëtar të futbollit.

 

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"