Editoriali i kampionatit/ Meditimi që nxisin dy ndeshje të bukura…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2024 | 17:03

Editoriali i kampionatit/ Meditimi që nxisin dy ndeshje të bukura…

NGA BESNIK DIZDARI
I kam pasë të rralla editorialet e kampionatit. Kështu ngaqë skema zhgënjyese e tij, siç e kam thënë më parë, m’i varfëron mendimet, sepse ajo, në të vërtetë, ka varfëruar tejet vetë garën, ose më saktë: ka cënuar nordin e Kampionatit.

partizani tirana

Megjithatë, kam përshtypjen se java që shkoi dhuroi dy ndeshje fort të bukura. Ishin Partizani-SK Tirana 2-1 dhe Vllaznia-Egnatia po 2-1. Në të vërtetë, kampionati ka disa ndeshje që mund të quhen interesante, por vërtet të bukura e me nivel të lartë, ai ka pak.

Ndërkaq, nëse do të përshkoheshim për te ajo, se si në Shqipëri bëhet shtjellimi i kampionatit për sot, mund të themi se është bërë një lloj revolucioni, si të thuash mediatik. Në themelimet e gazetarisë sportive ndër ne, qysh në vitet ’30 të shekullit të kaluar, ajo për futbollin ka qenë një gazetari, që mund të quhet emotive. Kësisoj, e ndikuar sidomos nga radio italiane, sikur të detyronte që ndeshjet e futbollit të kampionatit të përshkruheshin shpesh përmes një emfaze mbase. Dhe kjo duke u përpjekur për të dhënë një përshkrim thuajse letrar. Ky stil, shpesh herë disi edhe poetik, gjithsesi ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për ta bërë futbollin një sport shumë të dashur për shqiptarët. Ndeshjet e futbollit përjetoheshin si shfaqje, si spektakle emotive, ç’ka nuk do të thotë se në tanësi ato nuk konsiderohen të tilla.

Sidoqoftë, nuk është plotësisht kështu. Në gjithë këtë stil, sot ai që ndikon pa mëshirë gati në gjithçka është televizioni, transmetimet televizive të ndeshjeve. Dhe teksa ato përfundojnë, shpërthejnë furishëm diskutimet, opinionet, kundërshtimet, moviolat. Doemos flitet për humbjen dhe fitoren, për prishjen apo përforcimin e synimeve të skuadrës, për blerjet e gabuara apo “të lumtura” të lojtarëve në “merkaton (tregun) e janarit”, për VAR-in, për arbitrin. E, çuditërisht çdo javë flitet edhe për presidentin e klubit, deri dhe për drejtorin sportiv të tij!

Dhe? Flitet e shkruhet shumë pak për vlerat e ndeshjeve, për bukurinë e saj, cilësinë e lojërave. Për çudi, shumë pak mbërrihet te zbërthimi i nivelit të lojës. Mandej çudia e madhe: shumë pak mbërrihet te portretizimi i lojtarëve më të mirë. Kalojnë shkarazi!

E pra, dikur, ata ishin protagonistët e gazetarisë. Drejt me e thënë, sot sundon “gazetaria” e blerje-shitjeve, e titullit kampion pa filluar mirë kampionati. Mandej ajo shkon te “merkato” pra. E menjëherë për te ndërrimi i mundshëm i trajnerit përmes pyetjes kërcënuese po të gazetarisë së sotme: “A e rrezikoni vendin në krye të skuadrës?”. Aq sa të duket se ndërrimi krejt alogjik i 14 trajnerëve në këto 24 javë, është i nxitur sidomos nga kjo pyetje e pamëshirshme.

Tashmë, duke e lënë mënjanë këtë tjerrje disi të gjatë, po i kthehem rreshtave të parë të këtij editoriali. Te vlera dhe bukuria e dy ndeshjeve Partizani-SK Tirana 2-1 dhe Vllaznia-Egnatia po 2-1. Dhe nëse një pendë mazrrekiane e dikurshme, do të bashkohej me një pendë të sotme, të ashtuquajtur “moderne”, atëherë ndoshta gjithçka do të shkonte te një përshkrim apo përcaktim të shpejtë e racional të përmbledhur kësisoj:

Partizani-SK Tirana dhe Vllaznia-Egnatia personifikuan ritmin e lartë deri në fund. Aksione të bukura, dëshirë e madhe për të fituar, e pse jo edhe të një futbolli stili. Kalim i menjëhershëm në sulm, madje me të veçantën e tij: një sulm i paramenduar qysh nga mbrojtja, sa majtas e djathtas, në pasime sa vertikale po aq edhe horizontale, shpesh herë madje edhe me një takim. E mandej? Mandej gjuajtjet spektakolare të denja për kampionatet më të bukur të Europës. Me vetëm një të metë: ndodh që sulmuesi ka dëshirë ta shënojë vetë golin, ndonëse është i lirë bashkëlojtari tjetër. Kësaj radhe megjithatë, ndoshta nuk qe plotësisht kështu. Kujtoni golin e Balës, përmes vrullit të sulmit për të mbërritur te pasimi, në mos gaboj, i Çobës, dhe Balaj, i cili e kupton se nuk nevojë ta godasësh, topin, por vetëm ta shtysh paksa, gati si në një ledhatim për në rrjetë.

Kështu pra, vrull i sulmit dhe pasime të pagabueshme për te ai, që është shënuesi i golit. Nuk mund të them se ishte i tillë edhe goli i Latifit të Tiranës, ndonëse edhe ky vetëm sa e “ledhatoi” për në rrjetë, ashtu si Balaj. Abazaj nuk pasoi, gjuajti shumë bukur vetë, e ktheu portieri dhe Latifi aty afër drejt e për në rrjetë.

Prej këtu shkojmë te goli për shkëlqim i Carës. Po deshe quaje brazilian. E, kur i kthehemi ndeshjes së Vlllaznisë, fort i ngjashëm qe dhe goli i Grudës. Gjithçka ishte një provë stili deri në përkryerje…

Atëherë? Them se ia vlen të ndalemi te kësisoj kryeveprash, edhe pse ato mbërrijnë prej një futbolli të kampionatit modest të Shqipërisë. Dhe nëse këta episode stili, duke i komentuar, duke i veçuar, pse jo, duke ua zbërthyer përmbajtjen krijuese me kompetencë interpretimi, atëherë edhe gazetaria futet në një rrugë tjetër, që i takon të jete rruga europiane. Duke i lënë pra, mënjanë të gjitha të tjerat: tregun, paratë, shitjet, blerjet, moviolën, VAR-in, presidentin e klubit, drejtorin…

Sigurisht nuk e harrova golin e Qatos të Laçit! Të dukej se ishte marrë nga arkivi i Mishel Platinisë. Është për analizë filmike në leksionet e futbollit më të bukur të botës. Ajo që “po harroj” kësaj rradhe, është loja e portierëve. Me guxim them se asnjëherë në historinë e tij, Kampionati Kombëtar i Shqipërisë nuk ka patur kaq shumë portierë të mirë njëkohësisht. E me që jemi te stili: asnjëherë Shqipëria nuk ka patur portierë kaq elegantë, në fizik, në ndërhyrjet atletike të tyre dhe për çudi në goditjet e përsosura me organin më pak të përdorshëm në këtë rol, që janë këmbët. Qarri, Sherri, A.Hoxha, Abdullahu dhe jo vetëm këta…

Kështu pra, ishin dy ndeshjet e bukura Partizani-SK Tirana e Vllaznia-Egnatia që nxitën këtë meditim timin përmes sinkronizmit të stilit të gazetarisë së vjetër dhe kësaj të re. Dhe është mëkat që në këte rast të flasësh për fitues e humbës. Pati vetëm fitues. Fitoi futbolli europian i të katërt këtyre skuadrave.

Ndërkaq, i ndikuar prej një të famshmi të gazetarisë, Gianni Brera (1919-1992), po më pëlqen që gjithë këte bukuri, çuditërisht shqiptare, të shpalosur prej ndeshjeve të javës që shkoi, ta përcaktoj si civilizim të futbollit. Ma nxit kjo thënie e Brera-s:

“Sporti agonistik, – thotë ai, – e ka synimin e tij më të saktë për të shfaqur prirjet e një komuniteti, të një populli, madje të një populli i cili brenda këtyre prirjeve përfshin bukurinë fizike, përgatitjen teknike e morale, kulturën – të gjitha këto në një fjalë të vetme: në civilizimin”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"