Kur një koncert mund të të “vjedhë” titullin e kampionit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2023 | 14:33

Kur një koncert mund të të “vjedhë” titullin e kampionit

Nga BESNIK DIZDARI

Janë tri pikëpyetje: titulli, Europa, rënia. Dhe të tria vetëm 90 minuta para mbarimit. Çka normalisht duhej ta bënin një kampionat futbolli mjaft tërheqës. E megjithatë, në cilësinë dhe spektakolaritetin e tij, të gjitha këto duket se nuk çojnë fort peshë në një kampionat si ky i Shqipërisë. Ose më mirë me thënë, nuk i mpakin të metat e tij të mëdha. Kësaj radhe madje, edhe për shkak të sjelljeve aspak sportive që ngjanë në ndeshjen SK Tirana – Bylisi.

bandicam 2023-05-25 18-05-06-276

Të papranueshme dhe aspak qytetare. Por nuk është kjo tema e editorialit tonë… Kështu pra. Ndërsa kampionati u bë tejet dramatik 90 minuta para mbarimit, megjithatë ai nuk i shton diçka të veçantë peshës së cilësisë së tij. Ngjarja e madhe e tij papritmas qëndron e kryesimi, të cilin do ta quaja të bujshëm, i Partizanit, çka ndodhi mbas barazimit 2-2 të kampiones në fuqi, SK Tirana, në Rrogozhinë.

Me sa duket, Rrogozhina, përveç shpërthimit befasues të skuadrës së saj Egnatia, kërkon të hyjë në histori si qyteti dhe stadiumi i saj “mikroskopik” që do të vendosë për fituesen e titullit të Kampionatit të Shqipërisë 2022-’23. Kjo ngaqë me barazimin në pikë (64) midis dy kryesuesve, në vendin e parë ngjitet Partizani, ndoshta edhe kur ai vetë nuk e kishte menduar. Nuk e kishte menduar ngaqë kryesuesja SK Tirana do të luante me skuadrën që zinte vendin e parafundit në kampionat, që ishte Bylisi i Ballshit.

Por 2-2-shi i tij, që mund të mbetet në histori si një ndër barazimet më të pamëshirshme, ndoshta edhe më absurde të të gjitha ngjarjeve të ashtuquajtura vendimtare të kampionateve të Shqipërisë: si rasti që përcaktoi titullin e Shqipërisë të vitit 2023.

Pyetja e parë që më lind është kjo: me çfarë vetësigurie Sport Klub Tirana pranoi që ndeshjen e fushës së vet ta luante në një fushë asnjanëse? E pra, kurrsesi nuk duhej ta pranonte. Sigurisht fajin e ka FSHF-ja. Ajo, e cila në fundin më përcaktues të kampionatit – përveç të tjerave me epilogun e lodhshëm me tri ndeshje brenda 9 ditëve – lejon që stadiumi të mbyllë dyert e tij për futbollin, duke ia “dhuruar” fushën e tij të blertë një koncerti.

Dhe këtë me naivitet e pranon SK Tirana. Kuptohet qartë ngaqë ndihej tejet e vetësigurt se edhe në një fushë asnjanëse ajo do t’ia rrëmbente fitoren Bylisit – skuadra e parafundit në renditje, të cilën e kishte mposhtur 2 herë gjatë kampionatit. Por duke harruar se ky i parafundit po luftonte fort për mosrënie, ndërkohë që kishte fituar 9 ndeshje dhe kishte barazuar plot 10 – çka përbënte një tregues mjaft me vlerë për forcën e tij.

Ma do mendja se ky rast hyn pa kakofoni në marramendjet që jo rrallë pushtojnë skuadrat kur ndodhen në pozitë të mirë. Ndërkaq, ja ku dalim te çështja e stadiumit “Air Albania” (ndoshta edhe të të dyja stadiumeve të Tiranës, pra edhe atij “Selman Stërmasi”), ndonëse më në hollësi kjo mbetet për t’u trajtuar veçan një herë tjetër.

Për këtu mund të themi vetëm kaq: këto janë pasojat e shkatërrimit, humbjes, të shuarjes madje, krejt të padobishëm dhe arrogantë prej qeverisë së sotme të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Një tjetërsim për një stadium të ri, modern, vërtet, por siç po shihet, në të mirë të një stadiumi, edhe koncertesh, edhe kullash, edhe hotelesh, edhe kafenesh. Duke lënë jo rrallë në plan të dytë qëllimin kryesor të ndërtimit të tij, që dihet është sporti, është futbolli. E gjithë kjo për një çast mund të të duket diçka episodike.

Kurrsesi! Është e pafalshme. Dhe nëse e pëson, pra nëse e humb titullin e kampionit të Shqipërisë, SK Tirana do të kujtojë për jetë se në thelb këtë titull ia humbi një koncert. Përveç të tjerave, një koncert edhe komercial. E them këtë, natyrisht, pa nënvlerësuar aspak forcën e qartë të kundërshtarit të saj të denjë që është Partizani. Po a vërtet, po të luhej në stadiumin e saj vendës me emrin “Air Albana”, SK Tirana do të fitonte me Bylisin e Ballshit – skuadër e parafundit në renditjen e kampionatit? Pa dashur të bëj absolutin e parashikuesit, sido që të jetë, logjika mua më thotë se po.

Madje, për shumë arsye, prej të cilave, pa harruar më kryesoren, që është forca e vërtetë e Sport Klub Tiranës, po vendos këtu këtë tjetrën, forcën psikologjike. Do të kishte jo disa qindra spektatorë, as 1000 pra, sa çfarë ishin në stadiumin e Rrogozhinës, por disa mijëra. Të cilët nuk do të ndalnin në mbështetjen e tyre në këtë ndeshje, fitorja e së cilës do të thoshte titull i kampionit të Shqipërisë. E plot e plot arsye të tjera…

Kësisoj, nënshtrimi ndaj kësaj FSHF-je, tash edhe “koncertale”, do të mbetet i përkuj tueshëm përjetë në historinë e Sport Klubit tonë të famshëm, natyrisht, nëse ai do ta humbasë titullin e kampionit. E megjithatë!… Megjithatë, asgjë nuk ka përfunduar ende. Dhe 90 minutat mund të na rezervojnë befasi të tjera. Të hënën do të kemi më të rëndësishmen, që është ndeshja Partizani – Teuta në Tiranë. Në stadiumin e ri të Partizanit, që me siguri ka për të qenë i mbushur plot me spektatorë.

Sepse ajo është ndeshja e titullit të mundshëm. Për këtë mjafton një 1-0 krejt i ngushtë për 16 herë kampionët. Çka do të thotë që edhe nëse SK Tirana fiton në Durrës me Erzenin, Partizani është kampion. Kështu, ngaqë në katër ndeshjet SK Tirana – Partizani, ky i fundit ka fituar 2 prej tyre e SK Tirana 1.

Në fund të fundit, për te titulli do të mund të shkonte skuadra, e cila plot 13 herë ka qenë në krye të renditjes: Partizani 2023. I cili me mend në krye, me siguri nuk harron që ndonëse ka fituar dy herë (4-1 e 2-0) në Durrës, më 26 janar 2023, brenda në Tiranë ka fituar Teuta, madje jo pak, por bukur 2-0! Ndërkohë, mund të ndodhë që rregulli i ndeshjeve të drejtpërdrejta të përcaktojë edhe dy verdiktet e tjera. Atë të vendit të 4-t “europian”: Teutë, Vllazni e Laç. E po kështu, edhe atë të vendeve 8-9.

Java 35 shkaktoi ndërkaq edhe dy tronditje të tjera: atë të Vllaznisë 1-1 në Shkodër me KF Laçin, atë të Kastriotit 1-4 me Partizanin e papërmbajtshëm, e pse jo, edhe atë 0-0 të Erzenit në Kukës, ky i fundit tash në vendin e rrezikshëm të 8-të. Ndonëse po ky Erzen në plot 13 herë ka qenë në treshen e parë të kampionatit. Ky është kampionati “kapriçioz” 2022-’23 i Shqipërisë me të gjithë paradokset e tij, ku ai “koncertal” i stadiumit “Air Albania” padyshim është kryeparadoksi.

Ky është kampionati që dramat e tij më shumë se për shkak të bukurisë së futbollit ia krijon numri i paktë i skuadrave (10) dhe dëshira e shfrenuar e Federatës Shqiptare të Futbollit, për të përjashtuar mundësisht deri dhe 3 skuadra nga vetëm 10 që janë gjithsej. Në botë nuk ka askund një rregullore të tillë kaq të pamëshirshme. Ky mund të quhet edhe një lloj “Kampionat i Përjashtimit”. Po deshe në thonjëza, e po deshe edhe me germa kapitale…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"