Retorika e një kampionati vendnumëro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2022 | 21:24

Retorika e një kampionati vendnumëro

NGA BESNIK DIZDARI

Dizdari2

E pra, nga t’ia fillosh? Në katërshen kryesuese kemi tri skuadra përfaqësuese të Shijakut, Ballshit dhe Rrogozhinës, të cilat, të tria së bashku në kampionat kanë marrë pjesë kështu: Erzeni i Shijakut 8 herë, Egnatia e Rrogozhinës 3 herë, e për fatin e madh, Bylisi i Ballshit 16 herë. Kjo do të thotë se në katërshen kryesuese të Kampionatit 2022-‘23 kemi tri skuadra, që së bashku kanë gjithsej 27 kampionate pjesëmarrjeje. Madje, dy prej tyre kanë vetëm 11 të tilla.

Kukesi-Tirana Superiore

Shifra të varfra natyrisht, për të mbushur fort me histori editorialet tona. Teksa jashtë Kampionatit Kombëtar kemi plot 4 kampione të Shqipërisë: Dinamo e Tiranës, Skënderbeu i Korçës, KS Elbasani i Elbasanit, Flamurtari i Vlorës, të cilat së bashku kanë fituar 29 kampionate kombëtare. Pa shkuar te nja 3 nënkampione, siç janë Besa e Kavajës, Tomori i Beratit dhe Luftëtari i Gjirokastrës. Të gjitha skuadra qytetesh të vërteta të futbollit kombëtar.

E gjithë kjo do të thotë se 60 për qind të historisë së shekullit tonë kampional, sot e kemi jashtë Kampionatit të Shqipërisë. Kemi vetëm 40 përqindëshin e saj që e përfaqësojnë vetëm 4 skuadra: Sport klub Tirana, Partizani, Vllaznia dhe Teuta. Siç e shihni, varfërimi historik i kampionatit ka arritur kulme. Merret me mend që është fjala për kulme rënieje. Jo kulme, kulme!… Ndërkaq, duke u munduar të mos përsëris morinë e pafund të shkrimeve që kam botuar këtu për këtë varfërim, megjithatë më duhet të ritheksoj gjithnjë problemin e problemeve, shkakun kryesor që është shkurtimi i kampionatit në vetëm 10 skuadra.

Çka tashmë, me gjithë shërbimin servil që i bëhet “kryefajtores” FSHF – për fat të keq edhe prej një pjese të madhe të gazetarisë apo medias (e fjalën gazetari thuajse po e heqin nga përdorimi) – nuk ka sjellë pra, asnjë përparim, asnjë rivalitet, asnjë zhvillim cilësor në meridianët a paralelet e vogla gjeografike të futbollit të kampionatit tonë kombëtar. Kësisoj, është dëmtuar rëndë, siç e kemi thënë me qindra herë, vetë popullariteti dhe përhapja cilësore e futbollit brenda tokës shqiptare.

Prej ku është mbërritur te goditja më fatale: që kjo ngushtësi pjesëmarrjeje ka mpakur tejet futbollin e qyteteve më të mëdha, më të vjetra, më tradicionale të Kampionatit Kombëtar. Megjithatë, mos të ngutemi. Janë vetëm katër javë dhe duke uruar tre “të vegjlit” me emrat Erzeni, Bylisi dhe Egnatia, pohojmë se përveç të tjerave, ata kanë meritën se na nxisin të flasim disi edhe më ndryshe.

Çka të detyron të pranosh se mbas ndeshjeve Erzeni – Vllaznia 1-0, KF Laçi – Egnatia 0-1, e sidomos Egnatia – Vllaznia 3-0 dhe Partizani – Erzeni 0-1, ky fillim i mbarë i “të vegjëlve”, mund të ndezë shkëndijë përtej një inkandeshence, nëse mund të shpreheshim kështu – se flakërima dihet, nuk ka më – për kthesa prej më të sprovuarve. Renditja e kampionatit ka në fund të saj dy kampione të viteve të fundit, madje dhe dy fituese të kupave të Shqipërisë që janë Teuta dhe KF Kukësi. Po për shkak se jemi në fillim, largësia në pikë vetvetiu është e vogël.

Kësisoj, përballë dukurisë befasuese interpretative të “të vegjëlve”, nuk jemi në gjendje të parashikojmë diçka të saktë. Mbi të gjitha, nuk jemi në gjendje të parashikojmë nëse ndryshimet e kaheve të garës mund të na çojnë te më e dëshirueshmja: te rritja e cilësisë së kampionatit. Çka nënkupton bukurinë e ndeshjeve, shfaqjen e elementit të ri të talentuar, gëzime qytetare fitoresh përmes një futbolli më spektakolar, në mënyrë që prej gjithë kësaj, spektatori braktisës të rikthehet në stadium. Është interesante ndërkaq, ajo çka ngjet në “përfoljet” komentuese të kampionatit të Shqipërisë. Besoj e vëreni se deri tani, e pakta nja 5 skuadra, “përfliten” se synojnë titullin kampion. Kjo do të thotë se 50 për qind e skuadrave në Shqipëri janë në garë për titullin. Ndryshe kjo do të thotë sikur në Itali, Angli apo Spanjë që kanë 20 skuadra në kampionat, 10 skuadra të tyre, qysh ditën e parë të kërkojnë titullin kampion!

Çka kur ndjek zhvillimet gjeopolitike në gjithë botën e futbollit, kjo duket krejt absurde. Ta do mendja po kështu edhe për Shqipërinë. Ajo që ka hyrë thellë në diskutimet, komentet, debatet për kampionatin, për fat aq të ngjashme në monotoninë e tyre, është melodia retorike që “këndohet” gati çdo javë: kush e fiton kampionatin? E paksa, edhe kush do të bjerë nga kampionati. Ndonëse jemi vetëm në javën e 4-t të tij! Dhe askund nuk dëgjon përmendjen pyetësore të temave të tjera, më parësore, të panumërta e aq shqetësuese, sidomos për një kampionat si ky i Shqipërisë, të tilla si: A do të kemi një kampionat më cilësor se i kaluari?

A do të sjellin skuadrat elementë të rinj të talentuar të racës shqiptare? A do t’i kemi skuadrat, e pakta me 50 për qind, të përbëra nga lojtarë të lindur e të formuar nga farishtet vendase të futbollit? Vetvetiu më del t’i quaj “farishte” ngaqë dëshiroj të mos kalamendem në pompozitet duke përdorur emërtimin madhështor apo “mbretëror” që i thonë “akademi”. Kur dihet që nëse “akademitë” nuk i japin laura askujt, atëherë vetvetiu ato nuk ekzistojnë.

E po kështu: A do të kemi shumë më pak se sot lojtarë të huaj krejt mesatarë, të cilët prej vitesh nuk po ndikojnë kurrsesi të paktën në zbukurimin e ndeshjeve tona? A do ta përdorim gjithnjë e më pak fjalën e huaj “merkato” që po ia zë frymën verës shqiptare parakampionale? Frymë kjo që sa vjen e më fort po ia mjegullon vërtetësinë (autenticitetin) stilit, qoftë edhe krejt pak, qytetar shqiptar skuadrave. Duke shkaktuar dukurinë shkatërruese të një kampionati që ka deri skuadra thuajse edhe pa asnjë lojtar të qytetit të saj! Aq sa, bie fjala, të duket se Erzeni, Bylisi, Egnatia, por dhe KF Kukësi, KF Laçi apo Kastrioti nuk kanë punë me Shijakun, Ballshin, Rrogozhinën, Kukësin, Laçin apo Krujën.

Qofsha i gabuar, megjithatë!… Dhe më tej: A do të përjetojmë të shtuna e të diela të një gëzimi qytetar, ditë dëfryese e çlodhëse të vërteta të futbollit? A do të mund të kemi, të paktën gjysmën e spektatorëve të pranishëm si të stadiumeve shqiptare të 30 e më vjetëve? A do të ndodhë që trajnerët të mos shkarkohen të paktën pa mbaruar periudha e parë e kampionatit apo ata do të flaken tej qysh në katër javët e para?

Dhe një tjetër, fort e rëndësishme: A do të përfaqësohet sado pak kampionati i Shqipërisë në ekipet e saj kombëtare? Kampionati i Kombëtar i Shqipërisë është tronditur jo nga shpërthimet e “të vegjëlve” – nëse vërtet ato do të mbesin shpërthime. Ai është tronditur nga një vendnumëro gjeografik, qytetar, tradicional, që kurrë më parë nuk e kemi përjetuar në jetën e tij 93-vjeçare.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"