Papritmas kampionati u zbukurua…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2022 | 20:43

Papritmas kampionati u zbukurua…

NGA BESNIK DIZDARI
Kështu ndodhi. Kampionati, krejt papritmas, u zbukurua, çka më detyroi të lë mbas “antieditorialin” e kampionatit e të kthehem te editoriali i tij. Ndonëse, prapë nuk mund të rri pa e lidhur pak me “antieditorialin” e javës që shkoi, pra. Ai që merrej me sundimin e kryeqytetit Tiranë me arbitra, delegatë, vëzhgues e “varistë”. Në të tria kampionatet e Shqipërisë ky sundim nuk u ndal. Edhe në këtë javë të fundit qenë plot 30 arbitra nga kryeqyteti Tiranë dhe nja 20 vëzhgues e delegatë po kryeqytetas.

Besnik-Dizdari

Dhe u ndala paksa te kritikat e drejtuesve të Vllaznisë ndaj arbitrimit në ndeshjen me Partizanin e se si m’u dukën “të buta”. Them “të buta” se ata edhe mund të shpreheshin që pasaktësia e arbitrimit në ndonjë episod vendimtar të ketë ardhur ngaqë arbitrat, të tre, me të gjithë dy delegat e vëzhgues, ishin nga kryeqyteti Tiranë. Kur ndeshja zhvillohej në Tiranë përballë një skuadre po të kryeqytetit Tiranë, që ishte Partizani. Kësisoj, nuk di kur do të ndodhë që Vllazninë apo skuadrat e tjera të qyteteve t’i gjykojnë vendasit. Ose, të paktën delegati e vëzhguesi të jenë vendas, siç janë këta vendasit e pandalshëm të kryeqytetit Tiranë. Përsëris: dihet qartë e mirë që gjyqtari vjen përherë nga një qytet asnjanës. U premtoj lexuesve se do ta ndjek çdo javë këtë statistikë “arbitrale” të markës shqiptare. E nëse “Panorama Sport” do të botojë me skrupulozitet (“përpikmëri” në shqip) qytetin nga vjen çdo arbitër, delegat a vëzhgues, madje edhe arbitri i katërt e deri te “varisti”, ka mundësi të na dalë jo një monopolizim, por një mbimonopolizim kryeqytetomanie!…

Dihet, ndërkaq, se përcaktimi i parë për gazetarinë është se ajo bëhet për të informuar, informuar drejt e saktë. Mandej vijnë nënpërkufizimet, ku mbi të gjithë qëndron ai i mendimit përherë kritik që vjen prej profesionit të gazetarisë së vërtetë sepse gazetaria është pa dyshim kritike. Vetëm kështu ajo mund të ndikojë për përparimin e një kombi, në të gjitha fushat e jetës.

I kthehemi editorialit të kampionatit. Dhe pa ngurrim, them se ky kampionat i varfër me vetëm 10 skuadra u zbukurua. Po të duash, thuaji se u bë fort interesant. Tri qenë rezultatet kyçe që e zbukuruan. Mbi të gjitha fitorja 2-1 e Kastriotit ndaj kryesueses SK Tirana, fitorja e bujshme 3-0 e KF Laçit ndaj KF Kukësit dhe ajo 2-0 e Egnatias ndaj Skënderbeut.

Në të vërtetë, tronditja më e fuqishme ndodhi në shkallët e fundit, ku katërshja e vendeve 7, 8, 9, 10 lëvizi e gjitha. Dinamo zbriti e 8-ta, Egnatia u ngjit e 7-ta, Kastrioti la vendin e fundit mbasi kishte qenë i tillë në plot 17 javë! Dhe më e rëndësishmja: Skënderbeu zbriti në vendin e fundit, çka të bën të mendosh që nëse skuadra jonë e famshme korçare, bie fjala, zbret në Kategorinë II (rrejshëm I); e nëse kampionati do të jetë përsëri me vetëm 10 skuadra – çka nuk dua ta besoj – atëherë do të kishim jashtë kampionatit të parë kombëtar të Shqipërisë, skuadrat e qyteteve Fier, Berat, Kavajë, Lushnje, Elbasan, Gjirokastër, Vlorë e Korçë! Ndryshe, kjo do të thotë se kampionati i Shqipërisë nuk do të mund ketë pjesëmarrës të tij Skënderbeun e Korçës, Flamurtarin e Vlorës, AF Luftëtarin e Gjirokastrës, KS Elbasanin e Elbasanit, KS Lushnjën e Lushnjës, Besën e Kavajës, Tomorin e Beratit, Apoloninë e Fierit! Plot 8 skuadra të qyteteve parësore të gjeografisë së Republikës së Shqipërisë. Do të ishte “super” mjerim historik i kampionatit (siç po detyrohem të përdor “superin” gjithnjë e më të konsumuar në gazetarinë e sotme sportive televizive). Se mjerim është edhe kështu si është tash për tash…

E megjithatë, papritmas kampionati u zbukurua. U zbukurua sepse humbi sportklub Tirana kryesuese me skuadrën e fundit, Kastriotin; sepse KF Laçi tronditi 3-0 KF Kukësin; sepse Egnatia mposhti Skënderbeun. U zbukurua sepse, për shembull, SK Tiranës do t’i duhet të kujtojë e të meditojë se si e humbi kampionatin që shkoi Vllaznia duke qenë 9 pikë përpara. Aq sa çfarë qe edhe në këtë kampionat 2021-‘22, po 9 pikë përpara SK Tirana ndaj KF Laçit në javën 5 (11 me 2), kur laçianët ishin të fundit në renditje. Epërsi “9” kjo, që vazhdoi edhe në javët 6, 7, 8, 10, 11 e deri në javën 12 kur SK Tirana kishte 27 pikë e KF Laçi 18 pikë! Ec mandej e mos e kujto “9-pikëshin” e Vllaznisë të stinës së kaluar!…

Ka qenë 7 dhe 9 dhjetor 2021. Shihni sa përkim interesant: KF Kukësi – KF Laçi 1-2 dhe SK Tirana – Kastrioti qetësisht 3-0. Tash KF Laçi thellësisht KF Kukësit 3-0 dhe “anasjelltas” nga 7 dhjetori, Kastrioti – SK Tirana 2-1! Dhe KF Laçi në vend të dytë me vetëm 3 pikë larg kryeqytetasve. Në 11 javët e fundit, 10 fitore dhe vetëm 1 barazim. Ky qenka KF Laçi i vitit 2022. Për shembull: 5-0 Dinamos, 2-1 KF Kukësit, 1-0 SK Tiranës, 4- 2 Teutës, 1-0 Partizanit, 1-0 Vllaznisë, 3-0 KF Kukësit!

Mirëpo, dihet ndërkaq se çka është sportklub Tirana. Sportklub Tirana nuk është Vllaznia “e butë” dhe “e ambël”. Sportklub Tirana është e forta e pandalshme që nuk mund të dorëzohet asisoj. Ndonëse kësaj radhe i duhet të kujtojë se ka përballë një pengesë “të frikshme” që mban emrin Mirel Josa, trajneri i kundërshtarit të saj të ri, KF Laçit, i cili është një tiranas “doc”, siç thuhet. Fitimtar i paharrueshëm nën fanellën tiranase, madje mirëfilli trajneri kampion me te në 2004. E jo pak javë në drejtim edhe në titullin e vitit 2007.

Por – mbërrijmë kështu te një “por” tejet paralajmërues – bukur 4 herë trajner i kampiones jotiranase me emrin e mirënjohur Skënderbeu i Korçës (2013, 2014, 2015, 2016). I vetmi trajner në historinë e Shqipërisë 4 herë rresht kampion. Ndoshta kjo e bën Josën njeriun që mund të ketë në dorë çelësin që mund të hapë më shumë se një portë të kalasë së vjetër kryeqytetase, SK Tiranës aq të sprovuar në nja 24 tituj të kampionit të Shqipërisë, për mua madje 26… Ndërsa KF Laçi deri më sot veç një vend të 3-të të vetëm. Në këtë largësi të kahut të historisë, të duket sikur nuk mund të ketë një duel midis tyre. Ndonëse një duel për kryeshënuesin ka lindur tashmë: Seferi (SK Tirana) 11 gola e Guindo (KF Laçi) po 11 gola. Të duket se laçianët nuk po duan t’ia dinë as për “harresën” e bukur të nja 6 golave të Lushkajt…

Natyrisht nuk mund të harrojmë se kampionati ka edhe plot 15 javë, që mund të përmbysin shumë fate, që mund të lindin fate të reja. E që kushedi, nëse papritmas në fatet e kësaj “bote” mund të ndërhyjë edhe Skënderbeu i Korçës, edhe Egnatia e Rrogozhinës, edhe Dinamo, ajo të cilën me naivitet “gazetarie” e bënë para kohe deri dhe mëtuese të titullit…

E mund të vazhdojë kësisoj me befasitë e tij edhe Kastrioti i SK Tiranës. Kjo do të thoshte që fati i kampionatit të ndodhej në duart e katërshes së fundit. Vërtet?…

E pra, pse të mos ndërhyjnë? A nuk ndërhyri Kastrioti i 17 javëve i fundit në renditje? Edhe për të gjitha këto futbolli është fort i bukur. Mëkat që jo rrallë ndodh që t’i prishet bukuria!… Qoftë edhe me sundimin e njëanshëm “arbitral” të kryeqytetit Tiranë…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"