Editorial i kampionatit / Çka mundet me ndodhë?…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2023 | 11:05

Editorial i kampionatit / Çka mundet me ndodhë?…

Nga Besnik Dizdari

Titull që në gjuhën zyrtare të Shqipërisë do të duhej shkruar: “Çfarë mund të ndodhë?”. Dhe ec e gjeje cili është më i bukur. E titullova në gegërisht, mbase edhe ngaqë Vllaznia e Shkodrës e jo pak edhe KF Laçi i Laçit, i përkasin gegërishtes. E nëse Fishta pati thënë se “kaj fjalë turke banlazem”, unë do të thosha se “kaj paskajore i ban mirë shqipes”.

Tirana-Partizani

Tash, duke kaluar te ky kampionat 2022-’23, po më pëlqen ta “zhvlerësoj” ndeshjen që u quajt vendimtare, këtë SK Tirana-Partizani 1-1 që drejt me thënë, qe e një niveli vërtet të pëlqyeshëm. E ajo u quajt si përherë “derbi”, që e dini nuk më pëlqen asesi, ngaqë flak tej historinë e emërtimit, për ne, fort tradicional, etnik, qytetar e shqiptar së bashku.

Kësisoj, po më pëlqen të vlerësoj më fort dy ndeshjet e kësaj të diele, ato PartizaniVllaznia dhe KF Laçi-SK Tirana. Jo thjesht ngaqë ky kampionat ka pasur plot ndeshje rezultatesh për shumëkënd të papranueshme, të tilla si: Erzeni-Vllaznia 1-0, PartizaniErzeni 0-1, Egnatia-Vllaznia 3- 0, Partizani-Kastrioti 0-0, SK Tirana-Erzeni 0-1, Teuta-Partizani 1-4, Egnatia-Partizani 3-0, Teuta-Erzeni 1-2, Kastrioti-Vllaznia 1-0, Partizani-Vllaznia 1- 2, Partizani-Teuta 0-2, Partizani-KF Laçi 1-2, SK Tirana-Teuta 0-2, Vllaznia-Kastrioti 0-1, KF Kukësi-Egnatia 0-3 e deri Vllaznia-Egnatia 0-4!

Siç e shihni, janë shumë këto ndeshje “anormale”, të cilat kanë një protagonist krejt të rrallë, që është “i sapoardhuri” mbas bukur 20 vjetëve në Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë. Është Erzeni i Shijakut, që me fitoret e tij ka tronditur plot katër të famshëm të kampionatit të Shqipërisë, siç janë SK Tirana, Partizani, Vllaznia e Teuta, duke qëndruar në plot 11 javë në treshen kryesuese të Kampionatit, por që tash çuditërisht është i rrezikuar për në rënie.

E edhe kjo e lëkund disi personalitetin e kampionatit. Ndërkaq, nga rreshtimi i rezultateve të mësipërme na del se Partizani ka humbur plot 4 herë ndeshje rezultatesh “anormale” në fushën e vet dhe SK Tirana 2 herë.

Vllaznia ka fituar edhe në Tiranë me Partizanin ku do të luajë të dielën. Ndërkohë që SK Tirana nuk ka humbur asnjë nga ndeshjet me KF Laçin, madje ka fituar edhe në Laç, aty ku luan nesër. Kështu po mbërrijmë te ndeshjet KF Laçi-SK Tirana dhe Partizani-Vllaznia, të cilat krejt papritmas, të paktën për mua, duken shumë më të rëndësishme se ai që pa mëshirë quhet veç “derbi”, që ishte ndeshja SK Tirana-Partizani 1-1.

I gjithë ky “prozaizëm” rezultatesh, na thotë se në Laç dhe në Tiranë, do të zhvillohen dy ndeshje dramatike, enigmatike madje. Dhe ne që shpresojmë se ato do të jenë dy ndeshje që do t’ia forcojnë sadopak personalitetin këtij kampionati “të vogël” 10 skuadrash. Një kampionat me më shumë “jo” se “po”, pikërisht për kah personaliteti i tij i brishtë.

E them këtë ngaqë, me sa vërej, në shumë ndeshje të tij, kampionati shpreh vërtet brishtësi. Fitohen edhe ndeshje pa meritë, humbje ndeshjesh të pamerituara, pra. Dhe të gjitha këto përmes kthesave vërtet të çuditshme gjatë vetë 90 minutave, çka pa dyshim të fusin në mendime…

Ajo që po guxoj të shtoj është kjo tjetra. Është ajo që më thotë se ndeshjet janë, si të thuash, të buta. Mandej, duke kaluar te një gjykim disi teknik, mendoj se asnjëherë si sot, nuk kam pa mbrojtje kaq të brishta, kaq “indiferente”, saqë shpesh shihen mbrojtës që i kthejnë shpinën kundërshtarit, se mos po i vret topi ose e lejojnë gjuajtje sa herë t’i teket një sulmuesi, duke e vështruar si spektatorë.

Kampionati i Shqipërisë ka humbur rreptësinë e mbrojtësve, vendosmërinë, “egërsinë” e markimit, në kuptimin jo të keq të kësaj fjale. Këtë e tregon edhe kjo shifër: mesatarja e 11-metërshave të dhënë është vetëm 1.1 për ndeshje. Kur ka një sentencë që thotë “në fund të fundit, më mirë një 11-metërsh (penallti) sesa një gol”. Pa harruar ndërkaq, se mesatarja e golave të shënuar nuk shkon më tej se 2.18 për ndeshje. Kësisoj, po teknikisht, mund të themi se këtij kampionati i mungojnë shënues të rreptë, të papërmbajtshëm si dikur.

Kryeshënuesi (Hasani) deri tash ka vetëm 15 gola në arkiv, kur ndjekësit e tij kanë vetëm 11 gola të shënuar. Kjo edhe për faktin se Xhixha e Skuka nuk janë më në këtë kampionat. Janë shitur dhe natyrisht nuk janë zëvendësuar. Kështu ndodh kur paratë mbysin çdo ndjenjë të vërtetë të futbollit e rrjedhimisht dobësojnë tejet personalitetin e një kampionati.

Sidoqoftë, ndoshta tri javët e fundit do t’ia rrisin personalitetin, natyrisht pa të shkuar në mend se mund të ketë lëshime, që dihet se janë të dënueshme. Ndërkohë që vëren se papritmas është zgjuar Kastrioti i Krujës, teksa për atje lart kujton që një luftë për vendet 3-4 që të çojnë në Europë, synojnë Egnatia, Vllaznia e KF Laçi, pa guxuar për të shkuar deri te Teuta. Kuptohet qartë se këtu nuk ka vend për të lëshuar pe.

Nuk po shkoj mandej, të ndeshje të dy javëve të fundit, të tilla si ato Kastrioti-Partizani, Erzeni-SK Tirana e Partizani-Teuta. Sapo mbarojnë këto të javës 34, rrufeshëm edhe ato bëhen të rëndësishme dhe të lënë që të shpresosh se edhe ato do të jenë ndeshje përforcuese të një personaliteti e karakteri të lartë sportiv. E kam thënë edhe një herë tjetër: duhen kontrata më të zgjatura se 1-vjeçare me futbollistët.

Kjo do të përforconte pikërisht personalitetin e kampionatit. Kur një kolegu i them se si ka mundësi që shumë lojtarë, kur humbet skuadra, e lënë fushën e lojës krejt të qetë, aspak të mërzitur madje, për humbjen; shpesh disi edhe me një buzagaz të çuditshëm, ai më thotë se janë “duke menduar kontratën që po bëjnë me një skuadër tjetër për kampionatin tjetër”.

Vërtet?… Ndoshta edhe kjo hyn në atë që cenon personalitetin e skuadrës dhe të kampionatit. E pra, mos ka humbur ambicia për të luftuar për qytetin, për krenarinë e fanellës së qytetit, për respektin e madh të spektatorit të qytetit tënd? Po a kemi më skuadra të “qytetit tënd”, teksa sheh se kemi skuadra me asnjë lojtar “të qytetit tënd”, por të sendërtuara me të gjithë lojtarët të marrë prej qyteteve të tjerë?

Ndërkohë që kemi deri dhe skuadra të cilat as nuk jetojnë dhe as nuk luajnë në “qytetin tënd”. Kësisoj, edhe më fort dalim me përfundimin, se po nuk u forcua personaliteti i kampionatit, ai do të jetë përherë i brishtë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"