“Edhe kur kemi qenë ndjekës nuk e kemi humbur asnjëherë besimin”, Lleshi: Elbasani me meritë në krye

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2024 | 19:53

“Edhe kur kemi qenë ndjekës nuk e kemi humbur asnjëherë besimin”, Lleshi: Elbasani me meritë në krye

Elbasani ia doli të ruajë kryesimin edhe pas kësaj jave, duke qëndruar në këtë pozicion që kur ia rrëmbeu Bylisit prej katër ndeshjesh. Këtë mundësi ia dha fitorja me Lushnjën të dielën në mbrëmje, teksa për disa orë panë që ky pozicion t’u rrëmbehej nga Bylisi që kishte fituar më herët.

ARSEN LLESHI ELBASANI

Edhe pse një ndeshje e nisur jo mirë, pasi pësuan të parët, në fund verdheblutë dolën me tri pikë, ku goli i qetësisë u shënua nga sulmuesi Arsen Lleshi. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, 24-vjeçari shpreh kënaqësinë për tri pikët dhe shpreson të vazhdojë me këtë ritëm deri në fund. “Normalisht kur shënon, dhe në fund skuadra merr fitoren, çdo lojtar ka një kënaqësi të veçantë. Ne e kishin vlerësuar maksimalisht Lushnjën dhe edhe pse u gjetëm shumë shpejt në disavantazh treguam potencialin duke e kthyer lojën në favorin tonë. Detyra jonë është të vazhdojmë me këtë ritëm dhe unë personalisht do të përpiqem të bëj më të mirën time për të ndihmuar skuadrën”, u shpreh fillimisht sulmuesi elbasanas.

GOLA FATSJELLËS – Arsen Lleshi ka realizuar tetë gola deri tani me verdheblutë në shtatë takime dhe të gjitha kanë një emërues të përbashkët, janë fatsjellës për ekipin. Thuhet kështu, pasi sa herë shënon Lleshi, Elbasani fiton. “Të them të drejtën nuk e kisha parë asnjëherë në këtë prizëm, por më vjen mirë që qenka kështu. Unë sa herë hyj në fushë jap maksimumin tim që skuadra në fund të dalë fituese. Golat nuk janë meritë e vetëm atij që i shënon, por është puna e mirë e bërë nga i gjithë ekipi dhe ne jo më kot jemi edhe skuadra që kemi shënuar më shumë. Unë do përpiqem të shënoj gjithnjë dhe shpresoj të vazhdojë ky trend pozitiv i fitoreve të skuadrës”, vijoi më tej 24-vjeçari.

TITULLI – Prej kohësh në Elbasan nuk fshihen më sa i përket titullit kampion. Edhe kur ishin ndjekës, verdheblutë donin vendin e parë, ndërsa tani që e kanë arritur nuk duan ta lëshojnë më. “Ne jemi me meritë në krye. Me qetësi dhe durim arritëm deri në vend të parë. Edhe kur kemi qenë ndjekës nuk e kemi humbur asnjëherë besimin se do të shkonim deri këtu. Megjithatë, asgjë nuk ka mbaruar, pasi janë ende pikë të tjera në lojë dhe ndeshje të vështira. Mendojmë vetëm javë pas jave dhe çdo fitore që marrim normalisht na afron me objektivin. Për momentin, synimi ynë i vetëm është të kalojmë me sukses Korabin, ku na pret një përballje e vështirë’, mbylli prononcimin e tij për gazetën Arsen Lleshi.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"