Ecuria në 12 javë / Dinamo brenda objektivave sezonalë, por kryeqytetasit nuk kanë bindur ende

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2022 | 13:54

Ecuria në 12 javë / Dinamo brenda objektivave sezonalë, por kryeqytetasit nuk kanë bindur ende

Gjysma e parë e sezonit, me 12 javë kampionat të zhvilluara, është pozitive për Dinamon. Numrat i japin të drejtë në raport me objektivat e shpallur në fillim. Para se të niste kampionati, nga klubi u deklarua një objektiv i shumëfishtë: kthimi në Superiore me një skuadër që të jetë e aftë në masën 60-70% për të përballuar edhe elitën, rritja e elementëve të rinj dhe Kupa e Shqipërisë.

dinamo

Blutë aktualisht kryesojnë renditjen e Kategorisë së Parë, kanë ingranuar të rinjtë dhe kanë shitur Simon Simonin në Gjermani për 600 mijë euro, si dhe janë kualifikuar në Kupën e Shqipërisë, ku do të ndeshen me Kastriotin në turin e radhës. Për të gjitha këto gota e Dinamos duhet parë gjysmë plot.

Pse jo plot? Sepse ekipi nuk ka bindur ende 100%, ka pasur ndeshje ku ka treguar brishtësi dhe ka vuajtur. Humbja në Pukë, e dyta në kampionat, ishte një sinjal në këtë drejtim.

REZERVAT – Loja jo fort bindëse mund të justifikohet me specifikën e futbollit të Kategorisë së Parë. Por a mjafton që Dinamo mban vendin e parë? Natyrisht, rëndësi kanë rezultatet, por edhe loja thotë diçka.

Dhe e vërteta është se vetë trajneri Nevil Dede i ka pranuar rezervat karshi të tijve, duke pohuar pas disa ndeshjesh se skuadra ka shumë punë për të bërë. Po ashtu, edhe drejtuesit e klubit, me në krye presidentin Adrian Bardhi, kanë lënë të kuptohet se nuk kanë marrë sinjalet e një Dinamoje bindëse deri tani.

Pikëpyetja e madhe në këtë moment është: sa mundësi ka Dinamoja aktuale të përballojë elitën, a e ka 60% apo 70% të ekipit për t’u përfaqësuar edhe mes më të mirave sezonin e ardhshëm?

Me atë që është parë në këto 12 javë përgjigjja anon më shumë nga “jo”-ja. Besimi është i madh se blutë do të ngjiten në elitën e futbollit shqiptar, por me skuadrën aktuale është e qartë se do të kenë shumë vështirësi. Këtë e dinë mirë drejtuesit dhe tifozët e Dinamos.

Nga klubi blu pretendohet të rregullohet diçka gjatë merkatos së dimrit për të rritur cilësinë në ekip. Por në këtë sesion është shumë e vështirë të gjesh elementë vërtetë me vlera. Puna ka nisur dhe mbetet të shihet se çfarë do të “peshkojnë” drejtuesit e Dinamos.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"