E thërrasin “Pjeshka i vogël”, Paulo do elitën me Flamurtarin. Shkodrani tregon pse la Vllazninë për vlonjatët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2024 | 16:50

E thërrasin “Pjeshka i vogël”, Paulo do elitën me Flamurtarin. Shkodrani tregon pse la Vllazninë për vlonjatët

Nga Vllaznia në Superiore për t’iu bashkuar vëllait kapiten te Flamurtari. Paulo Pjeshka nuk e ka aspak problem që po luan në Kategori të Parë, madje thotë se nuk ka aspak diferenca me elitën. Në një intervistë për “Panorama Sport”, “Pjeshka i vogël”, siç e thërrasin në Vlorë, thotë se nuk i druhen asnjë kundërshtari dhe se po punojnë për t’u përmirësuar më shumë për “play off”-in.

paulo pjeshka

Mesfushori 21- vjeçar tregon edhe emocionet e të luajturit në një ekip me vëllain, Denisin, dhe nuk e kishte menduar ndonjëherë se do të luanin bashkë.

Me Vorën ishte një ndeshje që e nisët bindshëm, por më pas shkoi në diskutim. Duket se mbrojtja merr gola…çfarë po ndodh?

Normal që nuk shënon vetëm sulmi, por e gjithë skuadra që prodhon lojë. Nuk është se po marrim shumë gola, janë gjëra që po i punojmë çdo ditë në stërvitje. Po i përmirësojmë dhe po punojmë që të mos krijohen më këto situata. Ne e kemi në dorë lojën dhe minutat e fundit duhet t’i kalojmë të qeta dhe jo me tension, pasi na presin sfida edhe më fortë se Vora. Do të shprehemi më mirë që të shkojmë në ndeshjet e fundit bindshëm dhe të japim 100% për qëllimin që kemi.

Cilën shikoni nga skuadrat e Superiores më të mundshmen në “play off”?

Lufta luhet mes Skënderbeut, Laçit e Teutës. S’kam ndonjë preferencë, pavarësisht kundërshtarit ne do të shkojmë që të japim maksimumin. Qëllimi është ngjitja në Superiore përmes “play off”-it.

Ku ka luajtur Paolo Pjeshka para se të vinit te Flamurtari?

Isha tek ekipi i parë i Vllaznisë, kisha një kontratë atje. Përfundoi viti i parë, por nuk pata minutat që të më plotësonin mua të qëndroja si lojtar. Më pas erdha në Vlorë për të dhënë kontributin tim dhe për të marrë minutat që kërkoj. Jam i kënaqur, por kërkoj më shumë nga vetja që të jap maksimumin në fushën e lojës.

E prisni me padurim shansin që të luani përsëri te Vllaznia?

Normal që është qyteti im dhe është kënaqësi të luaj atje. Fokusi im është të jap më të mirën sa të jem te Flamurtari. Çfarë ndodh më tej, është punë tjetër.

Sa e lodhshme është të luani në Kategorinë e Parë?

Duke marrë shkas nga viti i kaluar që isha me Vllazninë në Superiore, nuk shikoj shumë diferenca. Ka ekipe që dinë të luajnë futboll mirë e lojtarët janë si të Superiores. Mund të jenë dy-tri ekipe me nivel pak më poshtë, por të tjerat s’kanë diferenca. Është kampionat i mirë.

Ju ka ndihmuar të qenët me vëllain në skuadër?

Nuk e kisha menduar ndonjëherë se do të luaja me vëllain, sepse është 8 vite më i madh. Është kënaqësi e madhe. E kam provuar të luaj edhe kundër tij, por kënaqësi e madhe të luash përkrahë Denisit, pasi jemi këtu të dy për të njëjtën gjë.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"