“E pësuam si budallenjtë”, Alegri vazhdon avazin: Kishim tre vite pa luajtur për vendin e parë, ruajtëm 9 pikët avantazh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2023 | 23:30

“E pësuam si budallenjtë”, Alegri vazhdon avazin: Kishim tre vite pa luajtur për vendin e parë, ruajtëm 9 pikët avantazh

Juventusi është qartësisht kandidate për titullin kampion. Por edhe pas barazimit 1-1 ndaj Interit kryesues, trajneri Masimiliano Alegri vazhdon të mos e cilësojë atë si objektivin e skuadrës. Pas ndeshjes, ai theksoi se për ekipin e tij kishte më shumë rëndësi që të mos mundej se sa të fitonte.

alegri

“Kemi pësuar një gol si budallenj, sidomos pas pesë minutash, por kishim bërë edhe më parë gabime në situata të tjera në të cilat mund të kishim bërë më mirë. Kur Interi ka fushë të hapur, me teknikën që ka ata mund të bëjnë disa aksione të mira, si ndodhi edhe në derbi, Lautaro ishte i zoti për të shënuar këtë gol. Ndoshta mund të ishte bërë një faull më herët, por skuadra bëri një paraqitje të mirë, Juventusi kishte tre vite që nuk luante për vendin e parë. Nuk ishte e lehtë për askënd, duke më përfshirë edhe mua. Djemtë u treguan të aftë, ne duhet të qëndrojmë të qetë dhe të vazhdojmë të punojmë. Tani është Monza ndaj të cilës humbëm dy herë sezonin e kaluar. Do të na duhet një ndeshje e fortë.

Objektivi është të futemi në katër vendet e para, ndërkohë ruajtëm nëntë pikët ndaj vendit të pestë. Sonte skuadra u tregua e pjekur, ne mbetëm kompakt edhe nëse goli me siguri mund të ishte shmangur.

Duhet të kesh guxim, sepse fati i favorizon trimat. Duhet të sulmosh përpara, por ndërkohë kemi gjetur ekuilibrin. Kemi punuar shumë për këtë, duhet të përmirësohemi edhe kur kemi topin.

Vlahoviç? Sot Dushani luajti ndeshjen e tij më të mirë në nivelin teknik që kur iu bashkua Juventusit. Ai dominoi De Vraj, duke përfituar nga lëvizja e Kiezas. Jam i lumtur për të, ai vetëm mund të rritet, duke marrë parasysh që është vetëm 24 vjeç.

Merkato? Tregu i transferimeve të janarit nuk ekziston, jam shumë i kënaqur me ekipin. Skuadrat bëhen në qershor. Qëllimi ynë është të bëjmë hap pas hapi, sot ishte më e rëndësishme të mos humbisje sesa të fitonim pasi ajo mund të na kishte lënduar””, tha Alegri për “DAZN” pas ndeshjes.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"