“E ngjis unë Flamurtarin”, Resuli vjen me “mision”: Rikthehem në shtëpi, jam i bindur që e kapim elitën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2023 | 10:00

“E ngjis unë Flamurtarin”, Resuli vjen me “mision”: Rikthehem në shtëpi, jam i bindur që e kapim elitën

Dritan Resuli merr “timonin” e Fla murtarit. Një ditë pas shkarkimit të të Emiljano Çelës, klubi ka zyrtarizuar trajnerin e ri. Akordi ishte arritur që të hënën në fakt, por formalitetet u kryen dje. Ishte Alfred Ferko që e prezantoi para mediave. Drejtori tregoi shkakun që zgjidhën pikërisht 47-vjeçarin në pankinë, ndërsa sqaroi edhe çështjen e objektivave. Misioni “Superiore” mbetet i pandryshuar.

resuli ferko

“Dritan Resuli është trajneri i ri i Flamurtarit. I urojmë mirëseardhjen në shtëpi. Është një figurë shumë e njohur për ne, ndaj edhe vend për prezantim nuk ka. Kemi besim të plotë tek ai. Puna që ka kryer më herët me ekipin, na çoi drejt kësaj zgjedhjeje. Jam i sigurt që të njëjtën gjë do të vazhdojë të bëjë edhe tani. Do të dijë që ta çojë Flamurtarin aty ku duhet dhe ku janë objektivat tanë.

Klubi e ka të qartë se çfarë kërkon dhe synimet janë vendosur që në fillim të këtij sezoni. Misioni është i qartë dhe vetëm një: rikthimi në Superiore. Edhe trajneri i ri e di shumë mirë se çfarë ne presim.

Besoj se me punë dhe me përkushtim do t’i arrijmë. E dimë se kush jemi dhe sa mundësi kemi dhe jam i bindur që në fund do të arrijmë objektivin tonë dhe do të përmbushim pritshmëritë që kanë presidenti dhe qytetarët e Vlorës”, u shpreh Ferko, duke i lënë më pas fjalën trajnerit të ri.

TRAJNERI I RI

Është larguar nga Flamurtari në shtator të 2022-shit, e megjithatë kurrë nuk është ndier i shkëputur. Dritan Resuli e ka ndier veten pjesë të kuqezinjve dhe kësaj i mëshon gjatë deklaratës së dhënë pas rikthimit. Trajneri theksoi se do të punojë shumë dhe sidomos në anën psikologjike të skuadrës.

“Gjatë gjithë kohës unë kam qenë pjesë e Flamurtarit, asnjëherë nuk e kam ndier veten larg. Këtu jemi rritur dhe kjo është shtëpia jonë. Ky është një motivim dhe një përpjekje e madhe për ta çuar aty ku duhet këtë ekip.

Ne i kemi të gjitha cilësitë dhe mundësitë që të arrijmë të gjithë objektivat që ka klubi. Ekipi ka bërë ndeshje shumë të mira, por luhatjet kanë ndikuar në humbjen e pikëve. Tani mua më mbetet si detyrë që të shkrihem me ekipin dhe të futem në psikologjinë e çdo lojtari për të marrë maksimumin. Vetëm kështu ne mund të shkojmë drejt suksesit”, shprehet fillimisht 47-vjeçari i stolit të kuqezinjve.

Trajneri beson fort te shkurtimi i diferencës me rivalët dhe ngjitjes sa më lart në klasifikim. “Vetëm vendi i parë është i shkëputur me disa pikë, ndërsa me të tjerët jemi thuajse ngjitur. Cilësitë dhe kualitetet që ka grupi të japin besim se do të rikthehemi. Të vlerësojmë çdo lloj situate si në dhomat e zhveshjes, në fushë apo në stërvitje. Nëse veprojmë kështu, jam i bindur se do të shkojmë patjetër lart në renditje”, përfundon Resuli.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"