“E ndryshoj Flamurtarin”, Longo: Klubi i parë shqiptar që njoh janë vlonjatët, detyrimi im është ta ngjis në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2023 | 21:49

“E ndryshoj Flamurtarin”, Longo: Klubi i parë shqiptar që njoh janë vlonjatët, detyrimi im është ta ngjis në Superiore

Diego Longo flet si trajner i Flamur tarit. Italiani u prezantua dje në Vlorë nga administratori Sinan Idrizi dhe drejtori i klubit, Alfred Ferko. Në konferencën për mediat, 47-vjeçari theksoi se i di mirë pritshmëritë e klubit dhe se nuk ndien aspak presion.

Longo Idrizi

Ai premtoi se kuqezinjtë do të kthehen në Kategorinë Superiore, në një kohë që kanë mbetur vetëm gjashtë ndeshje për t’u luajtur, teksa për Longon konsiderohen si finale.

Trajneri i ri e shikon si ogur të mirë që ndodhet në Vlorë në 100-vjetorin e klubit, ndërsa thotë se Flamurtari është ekipi i parë shqiptar që njeh, pasi ka ardhur si kundërshtar kur ishte pjesë e stafit teknik të Petrolul Ploeshtit në vitin 2014.

Longo, si ndiheni në krye të Flamurtarit?

Faleminderit që jeni këtu për këtë konferencë. Unë dua të falënderoj edhe drejtuesit e klubit që më kontaktuan për të ardhur te Flamurtari. Dua të them, se këtu jam për njerëzit që gjeta në këtë klub, sidomos pas eksperiencave të tjera. Më gëzon shumë fakti i nisjes së kësaj aventure të re dhe jam këtu për të dhënë më të mirën time.

Keni pasur oferta të tjera gjatë kësaj kohe dhe përse zgjodhët pikërisht vlonjatët?

Po, patjetër që kam pasur edhe oferta të tjera, por nuk kam pranuar. Ndihem i lumtur dhe i kënaqur që jam në Vlorë për të nisur këtë aventurë. Ishte e papritur për mua. Isha i ftuar nga drejtuesit për të ndjekur ndeshjen me Dinamon dhe pas saj presidenti Idrizi më kontaktoi. U ulëm dhe folëm për një bashkëpunim. Do të jap maksimumin tim, ashtu sikundër kam bërë në të gjitha klubet ku kam punuar.

Objektivi i klubit është Superiorja. Besoni se do të realizohet?

Jam këtu, duke menduar për 6 ndeshjet që kemi përpara. Duhet të ngjitemi në elitë, që është edhe objektivi i klubit.

Më pas do të dëshironit të qëndronit edhe sezonin tjetër në Vlorë?

Ajo që do të ndodhë më vonë nuk ka rëndësi. Sot ekziston vetëm Flamurtari dhe këto 6 ndeshje. Tek ato jam fokusuar dhe tek asgjë tjetër. Për të ardhmen kemi kohë të flasim. Mendjen tani e kemi te 6 sfidat që kemi përpara.

Çfarë mund të ndryshoni te ky Flamurtar në ndeshjet e mbetura?

I kam parë ndeshjet dhe e njoh skuadrën. Kam folur me lojtarët dhe drejtuesit. Sigurisht që do të ndryshoj diçka, por e rëndësishme është të marrim pikët. Nuk ka rëndësi si e dua unë lojën. Në fund ne duam pikët, pasi ato janë të rëndësishme.

Duke qenë se synohet Superiorja, keni presion për këtë gjë?

Nëse stërvit një skuadër me emrin e Flamurtarit dhe investimet e bëra në këtë klub, nuk ka presion, por ka vetëm detyrim të bësh më të mirën. Ai që ndien presion, nuk duhet ta marrë përsipër.

Ardhja juaj përkon me 100-vjetorin e klubit. Në krahë keni një nga legjendat, Alfred Ferkon. Sa e njihni historinë e Flamurtarit?

Skuadra e parë që kam njohur në Shqipëri është Flamurtari. Kur kam qenë pjesë e Petrolul Ploeshtit kam ardhur në Vlorë dhe atëherë ishim kundërshtarë. Jam këtu në 100-vjetorin e klubit me njerëz, të cilët i kanë dhënë shumë këtij klubi dhe shpresoj se ky është një ogur i mirë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"