“E meritojmë mbijetesën”, Bubeqi flet para sfidës me Pogradecin: Jam mësuar me futboll të egër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2023 | 12:05

“E meritojmë mbijetesën”, Bubeqi flet para sfidës me Pogradecin: Jam mësuar me futboll të egër

Burreli është gati që ta shpëtojë sezonin. Në Rrogozhinë shkojnë me mision të qartë, të likuidojnë Pogradecin. Përtej vlerësimeve që Dorian Bubeqi ka për kundërshtarin, qartazi e thotë që do të luajnë vetëm për fitoren. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri thotë se rënia në Kategorinë e Dytë do të ishte dështim.

Bubeqi

“Që pas ndeshjes me Besën, kemi menduar për ‘play out’-in. Ndihemi gati për ta kaluar këtë finale. Për fat, grupin e kam të plotë dhe ky është një plus. E vlerësojmë shumë Pogradecin, pasi është një ekip i fortë. Por nuk mund të them që kemi frikë, sepse futbolli luhet në fushë. Kundërshtari vjen vërtetë nga një kategori më poshtë, por ne e kemi vlerësuar si ekip të së Parës. E meriton, për vetë lojtarët që ka në përbërje. Liqenorët nuk i kam ndjekur dot këtë vit, përveçse ndeshjen që luajtën me Labërinë dhe atë në internet. I kam parë pikat e dobëta të tyre, që ne mund t’i sulmojmë. Futbolli është i bukur pikërisht se ka surpriza.

Fitoftë më i miri. Ai që e meriton. Ne kemi një ‘armë’ dhe ajo është, harmonia në grup. Të gjithë për një dhe një për të gjithë. Të them që kemi një individ, i cili ka bërë diferencë, nuk e them dot. Nuk e kemi, por kam grupin ama.

Luhet në Rrogozhinë, fare pranë Kavajës dhe shtëpisë sime? Nuk ka ndonjë ndikim kjo. Nuk kam probleme të tilla, pasi jam rritur në një futboll më ‘të egër’. Pastaj në 2023-shin nuk mund të flasim më për faktor fushe, luan brenda apo jashtë. Ne kemi qenë ekipi, i cili kemi fituar dhe jashtë, jemi po ata që jemi rrahur edhe brenda. Do të ishte dështim për Burrelin nëse nuk e shpëton dot sezonin.

Erdhëm deri këtu me sakrifica. Duke parë situatën që ishim në fazën e parë dhe si filloi faza e dytë, mendoj që kemi bërë shumë. Nuk e meritojmë që ne të zbresim. Por, por… besimi im është në këmbët e lojtarëve tani.

Është një gjë që nuk e kemi ne në dorë. Është loja e tyre që do të na japë mundësinë e qëndrimit. Unë si trajner sot (dje) mbylla ato të miat dhe nuk kam në dorë asnjë gjë. Thjeshtë ne jemi regjisorët që u themi aktorëve çfarë duhet të bëjnë ditën e skenës”, përfundoi tekniku kavajas i matjanëve.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"