Dy muaj pa fitore, Laçi bën gati kthesën e madhe ndaj Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2023 | 11:30

Dy muaj pa fitore, Laçi bën gati kthesën e madhe ndaj Tiranës

Plot dy muaj pa fitore! Laçi i Mirel Josës po kalon një krizë rezultatesh, pavarësisht lojës së mirë që ka bërë në disa ndeshje. Fakt është që prej 8 tetorit, kur thyente në shtëpi Skënderbeun me shifrat 2-0, nuk ka arritur dot të marrë tri pikë.

Laci

Që prej asaj ndeshjeje janë luajtur 7 të tilla dhe Laçi ka marrë vetëm tri barazime dhe 4 humbje. Trajneri Josa debutoi në rikthimin në krye të pankinës kurbinase, pikërisht në ndeshjen ndaj Tiranës në fazën e parë, më 3 tetor, duke marrë një fitore spektakolare në shifrat 0-3 në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Tashmë, si për ironi të fatit, kthesa e madhe e bardhezinjve kërkohet pikërisht ndaj kryeqytetasve, këtë herë të dielën në orën 13:30 në stadiumin e Laçit.

Në dispozicion të kreut të pankinës janë të gjithë lojtarët, me përjashtim të qendërmbrojtësit Paulo Zhunior, i cili ka plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë.

Rikthim i rëndësishëm është braziliani Uilliam Melo, i cili ka munguar në javët e fundit për shkak dëmtimi, ndërsa në ndeshjen me Teutën shleu edhe kartonët e verdhë.

Laçi pret të dielën edhe zhbllokimin e sulmuesit kryesor, Ronald Sobouejll, i cili edhe pse ka krijuar shumë raste për shënim në ndeshjet e kaluara, nuk ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës.

Me 16 pikë në vendin e shtatë, kurbinasit kanë humbur jo pak terren në renditje, por distanca me vendin e katërt është vetëm 4 pikë dhe kjo ngushëllon disi Laçin në këtë krizë rezultatesh. Një fitore me Tiranën do të ndryshonte komplet situatën.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"