Dy muaj e gjysmë pa fitore në shtëpi, Bylisi do kthesën në ndeshjen ndaj Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2022 | 10:55

Dy muaj e gjysmë pa fitore në shtëpi, Bylisi do kthesën në ndeshjen ndaj Laçit

Në Ballsh e kanë të qartë se ndaj Laçit bëjnë punë vetëm tri pikët, për më tepër që skuadra vjen në këtë sfidë pas një ecurie jo të mirë.

BYLIS

Në mënyrë që të ruhen edhe ekuilibrat në garë dhe distanca me skuadrat rivale, ballshiotët përgatiten për kthesën në kampionat, ndërsa trajneri Bellai dhe stafi i tij kanë punuar shumë në aspektin psikologjik me ekipin dhe lojtarët.

Xhoele Maçolli e ka humbur këtë sfidë dhe mund të jetë si alternativë, ndërsa zgjidhja është gjetur, pasi me shumë gjasa Ruçi pritet që të jetë si titullar në këtë duel shtëpie.

Bylisi nuk fiton në Ballsh për afro dy muaj e gjysmë, teksa takimi i fundit kur mallakastriotët kanë marrë tri pikët është ndeshja me Erzenin e përfunduar me shifrat 4-1.

Ka qenë data 30 shtator kur mallakastriotët shpartallonin me rezultatin 4-1 ekipin e Erzenit. Që nga ajo sfidë, skuadra e Arian Bellait nuk ia ka dalë në shtëpi, edhe pse ka pasur sfida delikate me ekipe si: Tirana apo Teuta.

THIRRJA – Në rrjetet sociale, por edhe në mjediset e klubit, po bëhet thirrje që në sfidën ndaj kurbinasve të ketë një mbështetje maksimale.

Bylisi luan sfidën e parafundit në shtëpi për vitin 2022 dhe pritet që edhe mbështetja të mos mungojë duke qenë se është një duel që luhet në fundjavë.

Sfidat mes Bylisit dhe Laçit kanë qenë interesante, si kur janë luajtur në Kurbin, ashtu edhe në Ballsh.

Tifozët mallakastriotë i janë gjendur pranë ekipit të tyre të zemrës në momente të vështira dhe si rrjedhojë ata do të kërkojnë marrjen e tri pikëve dhe do të jenë një shtysë më shumë për suksesin e skuadrës së tyre të zemrës.

Bylisi ka qenë një ekip që ka pasur një kurbë me luhatje, ndërsa e kanë nisur shumë mirë sezonin, por që në javët e fundit nuk kanë pasur stabilitet.

E. SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"