“Dy klubet janë në elitë, të gjendet akordi për spektaklin”, Kasa: Finalja me Bylisin të luhet në “Elbasan Arena”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2024 | 15:06

“Dy klubet janë në elitë, të gjendet akordi për spektaklin”, Kasa: Finalja me Bylisin të luhet në “Elbasan Arena”

Klevis Kasa shënoi golin që i dha barazimin Elbasanit përballë Flamurtarit duke ruajtur ecurinë prej 22 ndeshjesh radhazi pa humbje. Mirëpo, më shumë sesa rezultati, vëmendjen e mori mënyra e realizimit me anë të një roveshatë spektakolare.

klevis kasa elbasani

20-vjeçari i mësuar me gola të bukur, pas atij me Apoloninë më herët, për “Panorama Sport” rrëfen emocionet e përjetuara edhe pse në fund i vjen keq që nuk dolën me fitore nga Vlora. Kasa ndihet i vlerësuar që po merr eksperiencë me emra të njohur të futbollit shqiptar dhe ka besim se me verdheblutë do të dalin kampion. Mbrojtësi ka një dëshirë në fund të këtij kampionati, që ndeshja finale me Bylisin të luhet në “Elbasan Arena”, duke shpresuar që të gjendet një dakordësi, sepse edhe ekipet kanë realizuar ngjitjen në Superiore.

Klevis, e prisje atë gol me roveshatë dhe kujt ia dedikoni? 

Të jem i sinqertë, e besoja se mund të arrija të shënoja në këtë ndeshje, duke parë mënyrën sesi po sulmonim dhe rastet që kishim. Nuk prisja të shënoja në atë mënyrë. Golin ia dedikoj familjes sime që më ka mbështetur në çdo hap, gjithashtu edhe ekipit, djemve, që dhanë gjithçka në këtë ndeshje për të mos dalë me një rezultat negativ.

Kanë ndonjë sekret golat spektakolarë pas atij me Apoloninë apo janë rastësi? 

Nuk mund të them rastësi për golat, sepse me rastet e krijuara edhe me dominim të ndeshjes goli do të vijë. Nuk i dihet se si vjen. Megjithatë, goli më i bukur është ai që kalon vijën e portës edhe që futet në rrjetë.

Ju vjen keq që nuk dolët me fitore nga Vlora? 

Sigurisht që na vjen keq, sepse kemi bërë një ndeshje të shkëlqyer. Nga ana tjetër arbitri gaboi në rastin e golit të parë dhe ne mund të ishim në avantazh që nga ai moment. Kështu që besoj se edhe ajo ndeshje do ishte mbyllur me tri pikë për ne.

Për një lojtar të ri si ju, sa ju ndihmon të punoni me një grup futbollistësh me eksperiencë? 

Të punosh me lojtarë me eksperiencë do të thotë shumë, sepse mëson. Ata më mbështesin shumë që unë të rritem dhe më vjen mirë që në ekip kam lojtarë me eksperiencë si Gava, Telushi, Hasani etj.

Keni dy ndeshje në shtëpi para finales me Bylisin, si i prisni? 

I kemi në shtëpi dhe patjetër që duhen vlerësuar maksimalisht. Për ne kanë rëndësinë e tri pikëve dhe do të mendojmë sesi t’i fitojmë. Më pas vjen radha për të menduar për Bylisin.

Ju vjen keq që finalen me Bylisin nuk e luani në Elbasan?

Shumë keq na vjen. Do të ishte një spektakël i vërtetë nëse sfida e fundit do të luhej në Elbasan, për vetë atmosferën që krijohet në stadium. Prezencë e madhe tifozësh dhe stadiumi do të ishte plot. Nuk e di, nëse do të ishte e mundur të bëhej një marrëveshje mes klubeve, meqenëse të dyja janë në ngjitura në Superiore, që të luhej në “Elbasan Arena”. Do të ishte një spektakël më vete.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"