Durrsakëve nuk iu falet tjetër gabim, Teuta do fitoren kundër Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2024 | 16:18

Durrsakëve nuk iu falet tjetër gabim, Teuta do fitoren kundër Kukësit

Teuta është përqendruar te ndeshja me Kukësin, që luhet të dielën në “Kukës Arena”. Do të mungojë në këtë sfidë mbrojtësi Elmando Gjini, i cili është i skualifikuar për shkak kartonësh, ndërkohë që kthehet mbrojtësi tjetër, David Gjinollari.

teuta

Nuk pritet të ketë ndryshime të mëdha në formacionin e trajnerit Edi Martini, ndërsa objektivi i vetëm mbetet marrja e 3 pikëve. Pas barazimit me Vllazninë në shtëpi, durrsakët nuk mund të lënë të tjera pikë, pasi kampionati po shkon drejt finishit dhe nuk ka kohë për rikuperim. Situata është shumë e qartë për “Djemtë e detit”.

MBROJTJA – Pa dyshim, mbrojtja është reparti më i fortë i Teutës, jo vetëm për detyrën parësore që ka në skuadër, por edhe për golat me peshë që kanë shënuar lojtarët e prapavijës. Gjatë stërvitjes së kësaj jave trajneri Martini ka këmbëngulur në faktin se Teuta duhet të fitojë patjetër në Kukës dhe puna e tij dhe stafit është fokusuar te ky objektiv.

ANALIZA – Për të shkuar te fitorja ndaj kuksianëve duhet një skuadër sa më efikase, që të shfrytëzojë rastet që mund të krijohen. Jo si në disa ndeshje të fundit, ku Teuta ka shpërdoruar shumë raste. Stafi teknik ka bërë një analizë të shkurtër me ekipin, me qëllimin për të mobilizuar lojtarët për një reflektim në ndeshjen e radhës në Kukës. Një tjetër hap fals do ta komplikonte së tepërmi situatën e mbijetesës dhe durrsakët nuk duan ta mendojnë as barazimin në transfertën kuksiane. Edhe pse kundërshtari është thuajse i rënë, në kampin durrsak është vlerësuar maksimalisht. Favor për Teutën mund të jetë edhe fakti se Kukësi luan në Kupë në mesjavë dhe do konsumojë energji.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"