Duka flet si zëvendëspresident i UEFA-s: I kënaqur që do jap kontribut në zhvillimin e futbollit europian. Ja në cilat stadiume do luajmë Europianin e U17

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2023 | 17:07

Duka flet si zëvendëspresident i UEFA-s: I kënaqur që do jap kontribut në zhvillimin e futbollit europian. Ja në cilat stadiume do luajmë Europianin e U17

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, nga sot e deri në vitin 2027, do të jetë njëkohësisht edhe zëvendëspresident i UEFA-s. Një arritje padyshim historike për futbollin shqiptar dhe motiv krenaria për të, siç është shprehur në një prononcim për faqen zyrtare të FSHF-së.

duka

“Padyshim që ndihem i nderuar, i respektuar, jo vetëm unë, por i gjithë futbolli shqiptar për vlerësimin që i bën komuniteti europian i futbollit një kandidature nga Shqipëria për të qenë Zv.President i UEFA-s. Padyshim që është rezultat i kontributit të punës së gjithë futbollistëve, trajnerëve dhe i gjithë komunitetit të futbollit shqiptar për të patur një vend në drejtimin e futbollit europian.

UEFA është një organizatë sportive, bashkimi i të gjitha federatave europiane dhe organet e saj drejtuese padyshim që marrin vendime për të mirën e futbollit europian në përgjithësi dhe kjo do të thotë se të qenurit në një post drejtues të UEFA-s, pra në postin e Zv.Presidentit, nuk të bën që të marrësh vendime të njëanshme pavarësisht Federatës nga vjen, por unë jam i kënaqur që do të jap kontributin tim në mbarëvajtjen e futbollit europian, në strategjitë e zhvillimit të tij, pse jo edhe me vendimet e përditshme apo administrative që do të duhet të marrë Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s për të mirën e futbollit në përgjithësi”, tha ai.

Më pas, Duka ka shpjeguar edhe se çfarë do të thotë për vendin tonë organizimi i Europianit të U17 që iu besua Shqipërisë për fazën finale në vitin 2025 teksa zbuloi  katër stadiumet që do të presin ndeshjet.

“Vendimi i marrë sot nga UEFA për organizimin e finaleve të Kampionatit Europian 2025 për moshat U-17 në Shqipëri padyshim që është një lajm shumë i mirë për futbollin shqiptar, mund të them që është lajmi më i mirë në vitet e fundit. Ky është një aktivitet shumë madhor, ku do të marrin pjesë 16 skuadra nga e gjithë Europa, mund të them që nga pikëpamja organizative ka të bëjë shumë më shumë dhe shumë më i madh se sa finalja e UEFA Conference League, por edhe nga pikëpamja e përfaqësimit.

Pra e ardhmja e futbollit, të rinj nga e gjithë Europa, më të mirët e perspektivës do të vijnë të luajnë në Shqipëri, në katër stadiume shqiptare, në ‘Air Albania’, ‘Loro Boriçi’, “Egnatia Arena” dhe ‘Elbasan Arena’. Padyshim duhet shumë punë për ta bërë sa më mirë organizimin e saj. Ne kemi dhënë, kemi marrë shumë garanci edhe për investime të përbashkëta me qeverinë shqiptare. Nuk janë vetëm ndeshjet, nuk janë vetëm kualifikueset deri në finale, por janë edhe përgatitjet e ekipeve, akomodimi i tyre, ambientet e stërvitjes që janë kërkesa që për momentin ne nuk i kemi, por jemi të bindur që do t’i plotësojmë deri në 2025. Kjo është ngjarja më e madhe sportive që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri, është ngjarje më e madhe se Conference League, është ngjarja më e madhe e mundshme që ne mund të organizojmë me infrastrukturën, apo me një vend si ai i joni.

Unë jam i bindur, që stafi, administrata e Federatës Shqiptare të Futbollit, në bashkëpunim me administratën e UEFA-s do të bëjnë organizimin e një aktiviteti shumë të mirë, një aktivitet në nivele të larta profesionale. Me këtë rast dua që t’u bëj thirrje të gjithëve që ta mbështesin këtë aktivitet, pasi duhen të gjithë aktorët në vend të jenë pozitivë dhe ta mbështesin, qoftë pushtetet vendore atje ku do të luhet, qoftë shkollat apo Ministria e Arsimit, apo padyshim edhe pushteti qendror. Duke qenë të gjithë bashkë, duke pasur një klimë pozitive, jam i sigurt që do të kemi një kampionat model, ashtu siç kishim një finale të Conference League model. U bëj gjithashtu thirrje të gjithëve që ta mbështesin dhe t’i mbushin stadiumet. Të krijojnë me të vërtetë një atmosferë festive, pozitive, gjatë gjithë ndeshjeve, nga dita e parë te finalja e kampionatit Europian për moshat nën 17 vjeç, në Air Albania”, ishin fjalët e tij.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"