“Duhet vazhdimësi për të mbijetuar”, Spahiu: Besa, e dënuar për 3 pikë me Kastriotin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2024 | 13:30

“Duhet vazhdimësi për të mbijetuar”, Spahiu: Besa, e dënuar për 3 pikë me Kastriotin

Pavarësisht se nuk shënoi në Burrel, sulmuesi Ermir Spahiu ishte pa dyshim ndër lojtarët më problematikë për mbrojtjen matjane. Eurogoli që shënoi në Berat, e që u duartrokit si rrallë herë edhe nga tifozëria vendëse, do të mbetet gjatë në kujtesën e tij.

ermir spahiu besa

Për Spahiun, vërtet Besa ka fituar 3 takime radhazi, por asnjëra prej tyre nuk do të vlente nëse nuk do të ketë vijimësi. “Trajneri Bubeqi ka gjetur “ilaçin” për të na motivuar më shumë, e duke na lehtësuar edhe mënyrën se si shkojmë te goli. Kemi arritur të shënojmë në 3 ndeshjet e fundit dhe kjo është një armë që garanton fitoret. Përtej të gjithave, mendoj se qoftë 3 apo 4 fitore, do të na zëroheshin nëse ato nuk shoqërohen me fitore të tjera deri në fund.

Ne vijojmë të mbetemi në zonën e mbijetesës dhe t’i largohesh asaj kur kanë mbetur edhe 5 javë, na duhet të vijojmë me fitore. I kemi shumë borxhe si presidentit Bizhdili ashtu edhe tifozëve verdhezinj. Kastrioti është një finale më vete dhe nuk e shohim nga klasifikimi, pasi ka përvojë dhe do ishte gabim fatal nëse do mendonim fitoren para kohe. Duam t’i marrim ndeshjet e po ashtu fitoret një e nga një. Jemi të dënuar të fitojmë”, përfundoi Spahiu. Për Besën mungon Perja dhe Kapo.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"