“Thumbimi” i trajnerit Memushi për gjykimet: Flamurtari di të luftojë edhe ndaj “14 lojtarëve”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2024 | 11:09

“Thumbimi” i trajnerit Memushi për gjykimet: Flamurtari di të luftojë edhe ndaj “14 lojtarëve”

Trajneri i Flamurtarit, Eqerem Memushi, kërkon më shumë nga lojtarët që futen nga stoli. Ai shfaq rezerva kur thotë se po u jepet mundësia dhe duhet të tregojnë veten.

eqerem memushi

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri pohon se skuadra ka bërë gabime elementare që duhet të rikuperohen. Sytë i ka nga “play off”-i dhe rikthimi i të dëmtuarve. Peng i ka mbetur fitorja “e vjedhur” në Elbasan, pasi me ato tri pikë, situata sot në kampionat do të ishte ndryshe.

Memushi, sa i kënaqur jeni me barazimin kundër Elbasanin?

Rëndësi ka që zhvilluam një ndeshje të bukur. Të dyja ekipet janë për t’u përgëzuar, pasi dhanë gjithçka në fushë. E rëndësishme është që të argëtohet edhe publiku. Ishte një ndeshje e luftuar që i plotësoi të gjitha, lojë me raste, me gola, me kartonë. Jemi në rrugë të mbarë. E rëndësishme është që skuadra nuk po humbet. Nuk duhet të humbasim asnjë takim e drejt asaj do shkojmë. Luajtëm me një kundërshtar, që në këto tri faza nuk e ka mundur asnjëherë Flamurtarin. Djemtë dhanë maksimumin dhe ju uroj suksese. Takim i bukur për t’u mbajtur mend.

Mendoni se meritonit të fitonit në këtë ndeshje?

Pa diskutim që po. U shfaqëm rrezikshëm te zona e golit, por ndikon edhe mungesa e eksperiencës dhe kam rezervat e mia. Lojtarët që futëm nuk i quaj ndërrues, pasi ekipi përbëhet nga 25 lojtarë, që duhet të jenë pak më të përgjegjshëm për të ndryshuar ritmin e skuadrës e për ta ndihmuar më shumë, pasi janë më të freskët. Të jenë me mentalitet tjetër, të kërkojnë më shumë nga vetja. Ne po ua japim mundësitë.

Çfarë kërkoni nga kjo skuadër?

Uroj që të kenë këtë vazhdimësi dhe të na shfaqin lojëra të bukura e të vijmë te fitorja. Jemi ndëshkuar nga disa gabime elementare, por edhe kemi shpëtuar prej tyre. Kam drejtuar shumë skuadra në Superiore dhe në Kategorinë e Parë, por ky grup është shumë i mirë. Lojtarët kanë entuziazëm me njëri-tjetrin. Uroj ta çojnë deri në fund këtë gjë.

Pas shumë kohësh u rikthye “Flora Kuqezi”, a ndihet prania e ultrasve?

Falënderoj nga zemra tifozët e grupimit “Flota Kuqezi”. I ftoj të jenë gjithmonë të pranishëm, pasi janë tifozi i 12-të në fushë. Ata e nxisin skuadrën që të japë maksimumin.

I shikoni të vështira ndeshjet e “play off”-it?

Nga vetë mënyra se si janë vendosur skuadrat në klasifikim, ne na mbetet që të kemi vazhdimësinë e rezultateve pozitive. Të tregojmë se Flamurtari ka merituar diçka më shumë në kampionat. Rëndësi ka që ekipi të krijojë mentalitetin që nuk duhet të humbas asnjë takim e të shkojmë në “play off”. Takimet janë të vështira, pasi si ne përgatiten edhe kundërshtarët, që kanë objektivat e tyre. Na favorizon ndeshja e parë që luajmë në Vlorë. Kemi dy rezultate edhe fitoren dhe barazimin që mund të na çojnë në “play off”-in e dytë. Me mundësitë që kemi dhe me rikthimin e të dëmtuarve besoj se do ta synojmë finalen e madhe.

I druheni ndeshjes finale me skuadrën e Superiores?

Finalja me ekipin elitar është vetëm një takim. Mund të ndodh që ata të na kapin ne në gjumë ose e kundërta. Një takimi s’i dihet kurrë. Futbolli është i paparashikueshëm e shanset në ndeshje janë aty.

Dëmtimet kanë qenë problem, si është situata me rikuperimet?

Vucaj është duke u rikuperuar, Beqja e ka kaluar. Shpresojmë të kemi Hasën që po punon me fizioterapistin dhe përgatitësin atletik. Besojmë te këta të tre, pasi janë tre pika shumë të forta të Flamurtarit.

I druheni gjykimit në këto ndeshje?

Gjyqtarët kanë ndikuar shumë në takimin që ne luajtëm në Elbasan, ku meritonim të merrnim tri pikët. Pavarësisht se u larguam si fituesit moral, duhet të ishim edhe fituesit e vërtetë të ndeshjes. Po të kishim ato tri pikë, do të ishte ndryshe edhe për ecurinë e kampionatit. Ne shikojmë përpara, të tjerat lihen mbrapa. I kemi mundësitë të tregojmë se dimë të luajmë edhe kundër “14 lojtarëve”.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"