“Duhet të shënojmë gol sa më shpejt ndaj Tiranës”, Jazxhi: Besojmë te mrekullia në Kupë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2023 | 14:26

“Duhet të shënojmë gol sa më shpejt ndaj Tiranës”, Jazxhi: Besojmë te mrekullia në Kupë

QEndërmbrojtësi i Teutës, Artan Jazxhi, shpreson në një mrekulli sonte kundër Tiranës në “Niko Dovana” për të kaluar në finale të Kupës së Shqipërisë.

Jazxhi

Por Tirana udhëton në Durrës si favorit për të kaluar në finale të Kupës së Shqipërisë, pas një fitoreje bindëse në ndeshjen e parë gjysmëfinale me rezultat 3-0 javën e kaluar në Elbasan. Jazxhi thotë për “Panorama Sport” se do të duhet një përpjekje e jashtëzakonshme nga i gjithë ekipi për të parandaluar eliminimin në gjysmëfinale për sezonin e dytë radhazi.

Teuta tregoi ndaj Tiranës se kur angazhohet në maksimum mund këdo. Çfarë ju ka munguar më parë?

Jo vetëm me Tiranën në ketë sezon kemi treguar që me ekipet që janë lart në renditje kemi një bilanc pozitiv. Ndërsa problemi ynë ka qenë me ekipit e poshtme të tabelës që na kanë hapur probleme dhe që kemi lenë pikë, tani janë dhe 4 ndeshje deri në fund dhe shpresoj që të ruajmë vazhdimësinë dhe të arrijmë ato objektivat që kemi.

Si kanë shkuar përgatitjet në këto 48 orë dhe a jeni gati të përballeni sërish me Tiranën?

Do të jetë e fortë, por edhe ne kemi një skuadër cilësore dhe kompetitive, pjesa më e madhe e futbollistëve kanë eksperiencën e duhur. Do të bëjmë një ndeshje, duke tentuar kualifikimin. Shpresojmë t’ia dalim, sepse për këtë gjë jemi përgatitur.

A besoni te një mrekulli në këtë ndeshje të dytë të Kupës së Shqipërisë?

Na duhet një mrekulli. Në fakt do të ishte një mrekulli nëse kualifikohemi. Është e vështirë dhe është një mal i madh për ta kapërcyer. Ne duhet të besojmë dhe ta bëjmë që të ndodhë me paraqitje, shpirtin e ekipit dhe energjinë. Ne kemi veten, dhe tifozët që janë të gatshëm të luftojnë me ne dhe të kemi nivelin e realistit dhe optimizmit.

Një gol i shpejtë mund të rihapë llogaritë e kualifikimit?

Duhet të përpiqemi të shënojmë golin e parë ndaj Tiranës, pastaj duke parë e duke bërë, sepse çdo ndeshje është histori më vete dhe ka vështirësitë e veta. Nuk duhet të kemi presionin e golit të shpejtë, sepse mund të na çekuilibrojë në fushë.

Si mund ta arrijë Teuta vendin e katërt në renditje?

Nuk shikojmë shumë kalendarin e të tjerëve, po i yni është shumë i fortë. Vllaznia ka cilësi të shkëlqyera, pastaj ose përplasjet direkte ose skuadrat që luftojnë për shpëtim. Cilësia që do të bëjë ndryshimin e ne duhet të bëjmë më pak gabime.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"