“Duhet të fitonim me Elbasanin, të bëjmë maksimumin për ‘play off’-in”, Frashëri: Flamurtari i mungon elitës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2024 | 19:45

“Duhet të fitonim me Elbasanin, të bëjmë maksimumin për ‘play off’-in”, Frashëri: Flamurtari i mungon elitës

Erlis Frashëri mendon se me pak kujdes, me Elbasanin duhet të fitonin. Çdo ndeshje, sipas Frashërit, është një finale për Flamurtarin. Për “Panorama Sport”, korçari 35-vjeçar thekson se ekipi po punon fort për të arritur më të mirën, gjë të cilën e tregoi edhe ndaj Elbasanit.

frasheri flamurtari

Mbrojtësi thekson se ishte një ndeshje me aromë Superiore, si dhe bën apel që Flamurtari nuk duhet të dorëzohet, por të shkojë në “play off”- me moral të lartë. “Flamurtari zhvilloi një ndeshje të mirë dhe patëm mundësi për të fituar takimin, por edhe Elbasani bëri lojë të mirë. Me pak kujdes edhe mund ta fitonim takimin. Çdo ndeshje e quajmë si finale, pavarësisht se nuk kapëm dy vendet e para. Po përgatitemi për “play off”-in. Nëse nuk përgatitesh gjatë kësaj kohe dhe e lëshon veten, i bie që në ato finale të shkosh i dorëzuar.

Ne po stërvitemi mirë dhe ndeshjet po i shikojmë si finale. Normal që nuk është si ndeshja Flamurtari-Luzi, pa ofenduar ekipin tjetër, por kjo ndeshje ishte Superiore ku mungonin vetëm prozhektorët. Ishte një ndeshje me ritëm shumë të madh, raste, dyluftime, tifozët. Pra, ishte një ndeshje elite”, u shpreh fillimisht Frashëri.

PRITSHMËRITË – Erlis Frashëri ndjen keqardhje, teksa thotë se Flamurtari nuk e meriton të jetë në vendin e tretë dhe se është një emër që i mungon Superiores. Ai premton maksimumin për finalet që vulosin objektivin. “Më vjen keq që e shikoj Flamurtarin në vendin e tretë. Duhej të ishte në krye, që t’i jepte një atmosferë të mirë qytetit. Ne si futbollistë të Superiores vlerësojmë se kjo do t’i bënte shumë mirë skuadrës.

Unë jo se jam pjesë e kuqezinjve, por e kam thënë edhe më herët, që Flamurtari është një ekip i madh në futbollin shqiptar. Uroj me shpirt dhe me zemër që të gjithë të bëjmë maksimumin, që të arrijmë deri në finalen e “play off”-it dhe të jemi në Superiore. Flamurtari i ka të gjitha kushtet dhe anën financiare. Duhet të bëjmë të gjithë maksimumin që skuadra të arrijë objektivin. Superiores i mungon Flamurtari dhe duhet që të rikthehet sa më shpejt”, thekson korçari.

KËSHILLA DHE BATUTA – Ish-kapiteni i Skënderbeut ka një mesazh për të rinjtë vlonjatë të Flamurtarit. Frashëri tregon me batutë edhe këshillën që i ka dhënë ish-trajneri i Skënderbeut dhe Flamurtarit, Gerd Haxhiu. “Kam një këshillë për të rinjtë e sotëm këtu në Vlorë. Ky është një qytet i bukur dhe tani vjen vera dhe bëhet edhe më bukur. Në fakt edhe në dimër këtu është bukur…

Të kenë kujdes, mos të harxhojnë shumë kohë në plazh, por të stërviten shumë, pasi plazhi vjen…Nëse nesër Flamurtari shkon në Superiore, vjen një ekip tjetër të shikon dhe ikën jashtë shtetit dhe mbyll çdo gjë. Thjesht të ulin kokën dhe të punojnë, dhe të bëjnë stërvitje të mirë. Mua këto fjalë mi ka thënë profesor Gerd Haxhiu, kur e kam pasur në Korçë dhe kam qenë 20 vjeç. Po nuk ia kam dëgjuar fjalën atij (qesh). Nuk ia dëgjoja asnjëherë fjalën Gerdit, por kur u martova më ka ndryshuar shumë…”, përfundon Erlis Frashëri.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"