“Duhet kujdes”, trajneri Bellai: Bylisi i bën llogaritë pas fitores me dibranët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2024 | 9:42

“Duhet kujdes”, trajneri Bellai: Bylisi i bën llogaritë pas fitores me dibranët

Bylisi do të kërkojë sot fitoren e tretë rad hazi, ku në “Adush Muçaj”, në orën 15:00, pret Korabin. Ballshiotët do të jenë të plotë dhe trajneri Arian Bellai, në intervistën për “Panorama Sport”, tha se ka besim tek ekipi. Trajneri Bellai e sheh ekipin në rritje dhe sipas tij këtë e kanë treguar loja dhe rezultatet e fundit.

Arian Bellai, trajneri i Bylisit

Fitorja në Lushnjë jua dha mundësinë ta përgatisni me qetësi Korabin…

Është e vërtetë që dy fitoret radhazi të japin besim, sidomos kur fiton edhe në një transfertë si ajo me Lushnjën. Situata është më pozitive dhe optimiste për vazhdimësinë. Gara mbetet e hapur dhe ndeshja me Korabin është një betejë shumë e rëndësishme për ne. Synimi dihet, 3 pikët dhe loja e bukur si në dy javët e fundit. Kjo është edhe porosia ime për futbollistët.

Grupi do të jetë më i plotë, kjo sjell edhe shtimin e konkurrencës…

Më në fund grupi është i kompletuar dhe ky është një ogur i mirë për pjesën e mbetur të sezonit. Konkurrenca ka qenë gjithnjë prezentë dhe disa herë na është dashur të lemë edhe titullarë jashtë 20-shes. Konkurrenca na ka ndihmuar që t’u japim kohë lojtarëve të dëmtuar për t’u rikuperuar. Plotësimi i grupit na ndihmon për të kaluar me sukses ndeshjet e rëndësishme dhe të realizojmë objektivin.

Bylisi u rikthye te fitoret, po Elbasani nuk di të ndalet…

I kam porositur djemtë edhe gjatë kësaj jave në stërvitje. Kemi ardhur deri këtu si grup bashkë, të besojmë dhe punojmë deri në fund. Nuk më interesojnë rivalët, sepse jam mësuar të shoh punën e ekipit tim. Çdo skuadre që përfshihet në këtë garë unë i uroj shumë suksese. E keni vënë re, që edhe kur kemi fituar, por kur jemi mundur qoftë edhe me të padrejtë, ua kemi dhënë dorën kundërshtarëve, gjyqtarëve. Futbolli është lojë dhe ne duam që të kënaqim sa më shumë spektatorët dhe ata të mbushin stadiumet. Bylisi e ka bërë më së miri këtë gjë, sepse kemi marrë respekt në shumë rrethe.

Me fitoren e sotme jeni në Superiore edhe matematikisht, si ndiheni?

Të fitojmë njëherë, sepse ky kampionat ka treguar se ndodhin surpriza. Me logjikë po, të kalojmë Korabin e pastaj të bëjmë llogaritë… A i merr Bylisi 15 pikët deri në fund, siç shprehen lojtarët tuaj? Më vjen mirë që djemtë kanë optimizëm, por duhet që të jemi me “këmbë në tokë”. Më duhet të them se i kemi të gjitha mundësitë që ta bëjmë një gjë të tillë. Mos harroni këtë sezon kemi pasur ecuri për tu pasur zili në pjesën e parë, gjë që nuk e ka bërë asnjë ekip tjetër.

byli kor

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"