“Duhet korrigjuar finalizimi”, Shehu paralajmëron Skënderbeun: Nuk largohemi pa pikë nga Korça

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2022 | 23:45

“Duhet korrigjuar finalizimi”, Shehu paralajmëron Skënderbeun: Nuk largohemi pa pikë nga Korça

Besëlidhja do të udhëtojë të shtunën drejt Korçës, atje ku e pret Skënderbeu. Takimi do të luhet në orën 16:00 për llogari të javës së shtatë të kampionatit. Lezhjanët lakmojnë vetëm fitoren, por edhe një barazim nuk do t’u bënte keq. Grupi do të jetë më në fund i plotë, pasi edhe futbollistët e dëmtuar janë drejt rehabilitimit. Tri pikët që morën kundër Orikut dhanë qetësi dhe i larguan nga zona e ftohtë.

mqdefault

Protagonist i padiskutueshëm ishte Eduard Shehu, që shënoi atë gol në fund të fraksionit të parë. Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, sulmuesi 21-vjeçar shprehet i lumtur për formën që po kalon. Shqiptaro-amerikani që po kthehet në një lider në vijën e parë, paralajmëron se nuk do të dalin “thatë” as këtë javë.

“Ndeshja me Orikun ishte me të vërtetë dramatike, por rëndësi ka që morëm pikët, të cilat na larguan nga zona e ftohtë. Atë përballje duhej që ta fitonim patjetër dhe ia dolëm, ndonëse me vuajtje të mëdha psikologjike. E nisëm mirë lojën, por nuk arritëm që t’i shfrytëzonim rastet që na u paraqitën para portës kundërshtare. Kjo bëri që të ishim nën presion. Falë lojës sulmuese, në fund të pjesës së parë ia dolëm që të shënojmë, duke e mbyllur me fitore. Kjo na çliroi dhe në pushimin e ndeshjes ishim të qetë.

Jam mjaft i lumtur dhe i gëzuar që m’u dha rasti që goli im të kishte vlerën e tri pikëve, që na nxorën nga halli. Si të mos mjaftonte kjo, edhe të dytën e kthyem në dramë të vërtetë pasi nuk arritëm që të dyfishonim, çka na ngarkoi shumë edhe psikologjikisht. Por ia dolëm të menaxhonim ngarkesën emocionale dhe në fundin e pjesës së parë shënuam duke marrë tri pikët. Tani jemi të përqendruar te sfida e transfertës ndaj Skënderbeut.

Do të punojmë për të minimizuar gabimet dhe do të luajmë si profesionistë të vërtetë. Nuk duhet t’i shpërdorojmë rastet e krijuara. Nëse do t’i zbatojmë të gjitha këto përballë korçarëve, nuk do të kthehemi pa pikë nga kjo transfertë”, përfundoi sulmuesi, që ka shënuar deri tani 4 gola me fanellën e Besëlidhjes, tre në kampionat dhe një në Kupë.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"