Duhej rokadë Cikalleshi-Uzuni. Probleme me golin në Kombëtare, ja pse nuk shënojmë dot

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2023 | 23:45

Duhej rokadë Cikalleshi-Uzuni. Probleme me golin në Kombëtare, ja pse nuk shënojmë dot

NGA NEPTUN BAJKOCollage Maker-28-Mar-2023-07-48-PM-6810

Së pari duhet të them se pashë një reagim pozitiv të Kombëtares pas ndeshjeve të fundit me Edi Rejën. E kam fjalën për mënyrën se si luajti në përgjithësi, duke marrë në konsideratë shumë elementë: mungesat, kundërshtarin dhe kohën e pakët që kishte Silvinjo në dispozicion. Një element i pëlqyeshëm sipas meje ishte loja me detyra të përcaktuara, veprimet në bllok në aspektin mbrojtës dhe manovrat në gjysmëfushën tonë kur humbnim topin. Në aspektin taktik pashë një ekip të disiplinuar dhe aspak aventurier në veprimet individuale…

ÇFARË NUK SHKOI Emri i Polonisë natyrisht nuk është për të mos u marr në konsideratë. Kanë lojtarë si Levandovski dhe shumë histori në skenën europiane. Por megjithatë ata në përgjithësi ishin të ngadaltë dhe më shumë ishin të fokusuar të mos bënin gabime se sa të na dominonin apo të na sulmonin si dikur. Ishte një shenjë pasigurie që nuk u lexua mirë nga ne dhe nuk u shfrytëzua si duhet. Në pjesën e dytë polakët shfaqen shenja lodhjeje të tmerrshme, por ne nuk u treguam as të saktë dhe as cinikë për t’i goditur me ftohtësi. Për këtë më vjen keq. I patëm rastet, por pse nuk i shfrytëzuam dot? Sepse vonoheshim në momentin final të sulmit, ose ndonjë lojtar donte ta zgjidhte individualisht duke gjuajtur nga distanca. Për të shkuar te goli nxitimthi dhe me gjuajtje nga distanca duhet të lësh lojtarët e duhur, qetësinë dhe eksperiencën. Pa më thoni pak sa shpesh shënon Shqipëria nga distanca?!

CIKALLESHI DHE MESFUSHA Në pjesën e dytë, kur Cikalleshi duhej të ishte i freskët, sepse është shumë i rëndësishëm në veprimet sulmuese, tek ai pa dyshim ndikoi lodhja. Mori përsipër më shumë se ç’mund të mbajë, sepse bëri repart i vetëm kundër mbrojtësve shumë fizikë. Prandaj prisja që pas daljes së Cikalleshit të luhej pak më shumë vertikalisht me Uzunin dhe të kalonte ai në qendër të sulmit. Kjo ndodhi në mënyrë fragmentare. Asani, që për hir të së vërtetës ka një teknikë të lartë, por nuk arriti të shkonte në fundore rregullisht dhe më pas të kthente topin ose të krosonte si duhet. Fundoret i japin gjerësi skuadrës, por krijojnë edhe hapësira të çmuara. Asani tentoi disa herë të futej nga qendra, por kjo i dha mundësi Polonisë të rigrupohej dhe ne e humbnim shansin. Asllani dhe Ramadani në veprimet sulmuese ishin larg zonës së veprimit dhe bëheshin të lexueshëm. Mirëpo unë e mirëkuptoj trajnerin në këtë pikë, sepse të luash kundër Polonisë së plagosur, pa pasur asnjë ndeshje miqësore, që të njohësh më mirë të metat e skuadrës, është stresuese për këdo.

KUJDES DETAJET… Duhet të jemi korrektë dhe të pranojmë se një barazim nuk do të ishte i padrejtë në Varshavë. Mirëpo kemi nevojë që të korrigjojmë detaje që vendosin fatet e ndeshjes. Së pari po ju marr shembull zëvendësimet. Mendova se u kryen në kohën e duhur, por një lojtar si Mehmeti nuk mund të hyjë aq shpejt dhe aq shpesh në veprime individuale, sepse energjitë e skuadrës janë të limituara. Kjo nuk ndodhi. Djaloshi ka shumë cilësi, por i duhet më shumë pjekuri dhe vendosmëri për të goditur portën. Detaji tjetër është që pësuam një gol për të cilin nuk do të thoshim asnjë fjalë nëse do të shënohej që në fillim nga goditja standarde, por mbrojtja u tregua e përgjumur bashkë me portierin. Pashë një Balliu dhe një Hysaj shumë strikt dhe shumë pak pjesëmarrës në fazën sulmuese. Pse? Sepse trajneri u kishte thënë të mos dalin nga roli. Bukur, por jo kaq strikt edhe kur je duke humbur. Duhet një plan B që të rrezikosh pak më shumë në portën kundërshtare. Shqipëria gjithsesi ka ende shanse të mira që të kualifikohet, por duhet t’i fitojë të gjitha deri në fund…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"