Dueli Shkumbini-Maliqi/ Pashja do fitoren e tretë; Kapiteni Xaka, me mision në Peqin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2021 | 13:00

Dueli Shkumbini-Maliqi/ Pashja do fitoren e tretë; Kapiteni Xaka, me mision në Peqin

Shkumbini do fitoren e tretë radhazi. Edhe kjo javë i gjen në shtëpi, ndërsa do të presin Maliqin. Është një përballje mes dy skuadrash të ngjitura rishtas në Kategorinë e Parë, ndaj pritet që të jetë interesantë. Trajneri Lorenc Pashja vlerëson miqtë dhe kërkon që të njëjtën gjë ta bëjnë edhe futbollistët e tij.

Shkumbini-Maliqi

“Jemi përballë një sfide të vështirë. Maliqi ka bërë paraqitje pozitive dhe do të kërkojë të mos dalë pa pikë nesër (sot). E megjithatë, mendoj se do ia dalim. Kemi gjendjen e mirë psikologjike dhe kemi përballuar presionin e fillimkampionatit dhe kjo falë grintës. Këtë gjë ua kam thënë edhe gjatë kësaj jave lojtarëve. Pres vetëm gjykim korrekt, si në ndeshjet shtëpiake e në transferta. Dua hakun”. FATMIR AHMETI – PANORAMASPORT.AL

Maliqi udhëton për pikë në Peqin. Këtë e thotë qartazi edhe sulmuesi Arlind Xaka, gjatë një deklarate për “Panorama Sport”. Kapiteni e quan transfertë delikate, por jo të pamundur.

“Na pret një transfertë e vështirë, ndaj një ekipi që ka bërë mirë në javët e para. Vlerësim për Shkumbinin, por ne do të shkojmë në Peqin për pikë dhe shpresoj që të mos dalim duarbosh. Ekipi ynë ka treguar këto javë që është solid dhe i barabartë me çdo kundërshtar në këtë kategori.

Kam besim te të gjithë çunat që do të japim maksimumin në këtë duel, po rritemi dita-ditës, ato që na interesojnë më shumë janë pikët. Për sa i përket aspektit personal, përpiqem që në çdo ndeshje të bëj më të mirën, duke ndihmuar ekipin. Objektivi im është që të kërkoj golin në çdo përballje, pasi kjo është detyra ime si sulmues. Sigurisht që ato kanë vlerë kur shndërrohen në pikë. Të gjithë së bashku do ia dalim të bëjmë krenarë drejtuesit dhe tifozët që na mbështesin”, tha sulmuesi. ILDI MEROLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"