Dueli me Vllazninë, dëmtimet me peshë shqetësojnë trajnerin Martini

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2023 | 21:59

Dueli me Vllazninë, dëmtimet me peshë shqetësojnë trajnerin Martini

Teuta luan të mërkurën një ndeshje shumë të rëndësishme për objektivin që ka në këtë fundsezoni, pikërisht arritjen e një vendi që mund t’i dhurojë pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës.teuta

Duke qenë se vendi i katërt është në lojë për Europën, nisur nga fakti që Tirana dhe Egnatia do të diskutojnë finalen e Kupës dhe thuajse e kanë të sigurt zonën e UEFA-s përmes kampionatit, e bën edhe më shumë interesante garën, veçanërisht për skuadra si Laçi, Vllaznia dhe Teuta.

Durrsakët shpresojnë shumë se me tri pikët në Shkodër, do të kenë një mundësi të artë për të kapur vendin e katërt deri në fund. Mirëpo, në përgatitjet e ndeshjes me kuqeblutë, jo çdo gjë ka shkuar sipas parashikimeve për trajnerin Edi Martini. “Panorama Sport” mëson se është dëmtuar së fundmi fantazisti Sherif Kallaku dhe qendërmbrojtësi Artan Jazxhi. Dy titullarët e Teutës nuk janë stërvitur dje me ekipin dhe prania e tyre në fushë të mërkurën është në dyshim të madh. Shanset për riaftësim e dy lojtarëve do të shikohen në dy ditët e ardhshme, teksa stafi mjekësor po bën të pamundurën.

Mirëpo, fakt është që edhe dje nuk bëri stërvitje të plotë as mbrojtësi i majtë, Blerim Kotobelli, i cili vazhdon të ndiejë shqetësime që pas dëmtimit të dy javëve më parë. Mirëpo, nëse për Kotobellin mundësitë e aktivizimit janë të mëdha, meraku i Martinit është se si do të përgjigjen Kallaku dhe Jazxhi, të cilët në rast mungese, do të prishin planet e trajnerit. Nga ana tjetër, stafi teknik nuk llogarit për këtë takim as Jurgen Goxhën, që vijon të ketë probleme fizike.

Gjithashtu mesfushori Erando Karabeci nuk do të jetë i gatshëm në Shkodër. Problemet në hernien diskale po e pengojnë lojtarin të luajë dhe me siguri ai e ka mbyllur para kohe këtë sezon. Të gjitha këto probleme në prag të një prej ndeshjeve më të rëndësishme për fatet e sezonit, e shqetësojnë jo pak stafin durrsak. Martini ka punuar shumë ditët e fundit sa i përket anës taktike, por mungesat në stërvitje kanë bërë që t’i prishen planet.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"